Borxhet ndaj biznesit/ Zbardhet strategjia e qeverisë, kriteret dhe koha e shlyerjes

Gëzim Saliu

 

Kësti i parë i borxhit shlyhet brenda marsit, 350 milionë dollarë shpërndahen brenda 2014-ës

 Huaja e qeverisë me FMN-në dhe BB-në, përcaktuese për faturën e borxhit 720 milionë dollarë

 

 

rruge ne ndertimQeveria ka përcaktuar strategjinë e për shlyerjen e borxhit ndaj biznesit, ku parashikohet që gjysma e tij të ndahet tek sipërmarrësit brenda vitit 2014. Nisur nga fakti se brenda këtij muaji do të miratohet kësti i parë i borxhit që Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i japë ekzekutivit shqiptar, pritet që fillimi i shlyerjes së borxhit të nisë në muajin mars. Zëvendësministri i Financave, Erion Luçi, i cili është edhe drejtuesi i Komitetit Ndërministror që do të merret me procesin e shlyerjes së borxhit të qeverisë ndaj biznesit, bëri të ditur se pagesa do të nisë nga faturat më të vjetra në kohë.

 

Borxhi

Qeveria ka parashikuar që për një periudhë trevjeçare të shlyejë të gjitha borxhet e prapambetura që ka ndaj bizneseve dhe individëve, të përcaktuara në shifrën e 720 milion dollarëve. Sipas parashikimeve, kësti i parë i shlyerjes do të nisë në muajin mars, kohë kur qeveria do të marrë edhe shumen e parë, të parave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas Luçit, në muajin mars do të lëvrohet transhi i parë prej 100 milionë euro nga FMN-ja, ndërsa nga kjo marrëveshje pritet që qeveria shqiptare të marrë një borxh prej 300 milionë euro ku synohet të shlyhet thuajse gjysma e borxhit. Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka përcaktuar 5 llojet e detyrimeve, që nisin me pagesat e punëve publike, për mallra apo shërbime, vijon më tej me TVSH-në e parimbursuar, kthimin e tatimit si dhe me vendimet gjyqësore që lidhen me shpronësime apo largime nga puna. Ndërkohë, ministritë e linjës po përgatisin të gjithë listat e projekteve të përfunduara dhe që s’janë paguar, në mënyrë që shpërndarja e tyre të jetë sa më korrekte. Duke iu referuar buxhetit të miratuar të 2014, qeveria ka vendosur që brenda këtij viti të paguajë 350 milionë dollarë borxhe, çka do të thotë 50% e detyrimeve, shifër kjo që mbetet për t’u konfirmuar në varësi edhe huasë që do të marrë qeveria nga FMN-ja dhe Banka Botërore. Marrëveshja me FMN-në për financimin e borxhit që qeveria u ka bizneseve për punët publike,do të miratohet nga Bordi i Drejtorëve të këtij institucioni të rëndësishëm financiar ndërkombëtar në mesin e këtij muaji. Kushti i vendosur nga FMN për këtë borxh ndaj qeverisë është që rëndësi ti jepet faktit të shlyerjes së të gjitha detyrimeve brenda këtij viti, duke mos krijuar më borxhe të reja. Ndërkohë, i gjithë procesi parashikohet të mbyllet në vitin 2016, ndërsa pritet të ketë edhe ndryshime ligjore, për të përcaktuar saktë si p.sh në rimbursimin e TVSH-së apo edhe në ligje të tjera, me qëllim parandalimin e krijimit të borxheve të reja. Nga ana e tij Kryeministri Rama, pavarësisht se nuk ka dhënë asnjë afat për shlyerjen e borxhit, ka deklaruar se gjithë procesi i do të jetë transparent dhe i monitoruar qartësisht në mënyrë që, sipas tij, askush të mos hedhë akuza për shlyerje selektive.

 

 

Takimi

Venizelos, Bushatit: Shqipëria do të marrë statusin brenda Presidencës greke të BE-së

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në takimin e zhvilluar dje me homologun e tij grek, Evangelos Venizelos, shprehu vullnetin e qartë të Shqipërisë për të biseduar dhe trajtuar të gjitha çështjet me ndikim të drejtpërdrejt për qytetarët tanë, që nuk kanë marrë ende zgjidhje. Duke theksuar rëndësinë vendimtare të perspektivës evropianë të Shqipërisë dhe vlerën strategjike të partneritetit dhe bashkëpunimit me Greqinë, Bushati, vlerësoi vizionin e presidencës greke për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si shenjë e kontributit të vazhdueshëm të Greqisë për stabilizimin dhe ankorimin përfundimtar të rajonit në rrjedhat evropiane. Ministri Venizelos theksoi se “raportet mes dy vendeve tona janë të një rëndësie strategjike dhe se intensifikimi i tyre përbën interes të ndërsjellë”. Gjithashtu, ai shprehu bindjen që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat brenda presidencës greke të BE-së. Po ashtu dy homologët vlerësuan se partneriteti parësor politik dhe strategjik mes dy vendeve përfton një dimension të ri, atë evropian, duke promovuar më tej proceset integruese të Shqipërisë me familjen evropiane. Gjithashtu ditën e djeshme në kuadër të vizitës së tij në Athinë, ministri Bushati zhvilloi një takim kryeministrin grek Antonis Samaras, ku kryediplomati shqiptar paraqiti vullnetin e palës shqiptare për trajtimin e të gjitha çështjeve të hapura midis dy vendeve në frymën e besimit të ndërsjellë përmes dialogut dhe konsultave në të gjitha nivelet, në përputhje me realitetin e ri në Ballkan. Ndërkohë që Samaras ka pohuar “vullnetin e palës greke, për të shkuar drejt një marrëdhënieje të orientuar nga zgjidhja e problemeve, duke mos mbetur peng i së shkuarës”.

 

 

Ambasadori i OSBE-së

Raunig: S’jemi arbitër mes së majtës dhe së djathtës, Shqipëria, faktor stabiliteti në rajon

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, deklaroi se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon. Në një bashkëbisedim të zhvilluar dje me një grup studentësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile, ku fokusi i këtij takimi ishte rreth historisë dhe veprimtarive të Prezencës së OSBE-së, Raunig u shpjegoi studentëve arsyet që çuan në vendosjen e një Prezence të OSBE-së në Shqipëri, në vitin 1997. Ai foli gjithashtu se si është zhvilluar marrëdhënia me vendin pritës përgjatë 17 viteve të shkuara, si dhe rreth përparësive specifike që ka Organizata në krahasim me organizma të tjerë ndërkombëtarë. “OSBE-ja është partnere e Shqipërisë dhe Shqipëria është pjesë e OSBE-së. Ne jemi këtu si një ofertë për vendin. Ne nuk jemi këtu për të kontrolluar. As jemi arbitër mes së majtës dhe së djathtës. Ne jemi këtu për të ndihmuar në forcimin e demokracisë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për qytetarët e saj”, – tha ai. Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon, ambasadori Raunig tha se qysh nga viti 1991, Shqipëria ka pasur një politikë të jashtme shumë konstruktive.

 

 

Takimi me AIDA

 Ministria e Ekonomisë: Qeveria e angazhuar për përmirësimin e klimës së biznesit

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) prezantoi dje projektin “Aksesi i Bizneseve në financë”, në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), si ndihmë për sipërmarrësit e rinj të SME-ve. Zv. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, vlerësoi bashkëpunimin AIDA-JICA si ndihmë ndaj bizneseve për të njohur aksesin në financë në marrëdhëniet me bankat. Ajo gjithashtu konfirmoi angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në veçanti për përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbështetjen e sipërmarrësve. Paketa e re fiskale, Këshilli Ekonomik Kombëtar, masat lehtësuese për fasonet që po avancojnë me shpejtësi dhe së afërmi, krijimi i Këshillit të Investimeve, një tjetër premtim i rëndësishëm i Kryeministrit që do të realizohet brenda pak kohësh.  “AIDA do të ndihmojë me të gjitha projektet zhvillimin e bizneseve të reja dhe fuqizimin e SME-ve ekzistuese përmes programeve dhe në përputhje me planin që ka qeveria dhe ministria në përputhje me modelin e ri ekonomik, që synon pikërisht rritjen e biznesit vendas dhe të huaj”, tha Paskali.

Share it :