Deputeti socialist Ben Blushi ka ashpërsuar tonet e akuzave dhe kritikave ndaj Kryeministrit Edi Rama. Në një bashkëbisedim të zhvilluar me qytetarët në Korcë, Blushi tha se Edi Rama ka shumë shokë që kanë vrarë njerëz. Ndërsa mungesën e tij në takimin e organizuar nga kreu socialist Rama në qytetin juglindor të vendit në kuadër të anëtarësimeve të reja në parti, Blushi e justifikoi me faktin se ai nuk ishte i ftuar.
“Nuk dua të ndaj, po të më kishin ftuar do të shkoja edhe unë atje, por nuk më ftojnë më. Po ska gjë, më mirë që jam me ju sesa të isha vetëm fare. Po të kisha shkuar të ai mitingu i PS, pjesë e së cilës jam dhe do të jem do të kisha fol siç flas me ju. Ky takimi jonë ka një avantazh që aty nuk është. Aty është një miting, kurse unë dua që ta marrin mikrofonin të gjithë dhe të flasin”, tha Blushi.
Referuar deklarimeve të bëra më parë nga Kryeministri se në Korcë një kompani e përpunimit të mishit kërkon kasape por nuk gjen, Blushi tha “Edi Rama thotë se në korcë ska kasapë, mirë dakord nëse s’ka kasapë, Edi Rama ka shumë shokë që kanë vrarë dhe njerëz , të na i sjellin për kasapë në Korcë, por asnjë s’do i marrë në punë. Ne duam ata që merren me bagëti, jo ata që therin njerëz”.




