“Enti Kombëtar i Banesave nuk ka asnjë kompetencë për të pezulluar një procedurë të miratuar me VKM. Bashkia e Tiranës ka ndjekur procedurat ligjore për përzgjedhjen e fituesve të programit social të subvencionimit të interesave të kredisë”

Ndërprerja nga Enti Kombëtar i Banesave i procedurës për miratimin e përfituesve nga programi i strehimit për subvencionimin e interesave të kredisë është në shkelje të ligjeve të vendit dhe të kartës së autonomisë vendore. Ky ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës lidhur me vendimin e EKB-së për bllokimin e kredive të buta. Përmes një letre drejtuar Entit Kombëtar të Banesave, Bashkia e Tiranës ka argumentuar ligjërisht papajtueshmërinë dhe tejkalimin e kompetencave të Entit Kombëtar të Banesave, në kërkesën për ndërprerjen e procedurave për programin e strehimit.
EKB nuk ka kompetencë
Enti Kombëtar i Banesave nuk ka asnjë kompetencë për të pezulluar një procedurë të miratuar me VKM. Bashkia e Tiranës ka ndjekur procedurat ligjore për përzgjedhjen e fituesve të programit social të subvencionimit të interesave të kredisë, brenda kuotave të miratuara nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe një kopje të tyre ia ka dërguar Entit Kombëtar të Banesave.
Prefekti ka konfirmuar listat
Prefekti është i vetmi institucion administrativ që verifikon ligjshmërinë e akteve të miratuara nga organet e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qark. Prefekti i Tiranës ka konfirmuar të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak për listat e përfituesve nga programi i strehimit për subvencionimin e interesave të kredisë.
Vetëm KLSH mund të auditojë veprimtarinë
I vetmi institucion që auditon veprimtarinë ekonomike e financiare të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë, është Kontrolli i Lartë i Shtetit, kompetencë të cilën në letrën drejtuar Bashkisë së Tiranës, Enti Kombëtar i Banesave ia njeh vetes!
Cenohet autonomia vendore
“Karta Evropiane e Autonomisë Vendore” përcakton se autonomia vendore nënkupton të drejtën dhe aftësinë e bashkësive vendore për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e tyre dhe në të mirë të popullsive të tyre, një pjesë të mirë të çështjeve publike. Kërkesa e Entit Kombëtar të Banesave është shkelje e drejtpërdrejtë e autonomisë vendore. “Kërkesa e Entit Kombëtare të Banesave për ndërprerjen e procedurës së miratimit të përfituesve nga ky program social, nuk është i mbështetur në asnjë akt ligjor e për rrjedhojë nuk mund të sjellë si pasojë juridike, pezullimin e kësaj praktike. Bashkia e Tiranës, në përputhje dhe në respekt të ligjeve të vendit dhe detyrimin ndaj qytetarëve, do të vijojë normalisht procedurat e përzgjedhjes së personave që përfitojnë subvencionimin e interesave të kredisë”, – u shpreh në daljen për mediat nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo. Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë 872 familje që kanë aplikuar për kredi të butë. Një pjesë e dosjeve të plotësuar prej tyre presin miratim në Këshillin Bashkiak dhe pjesa tjetër është në proces shqyrtimi, në bazë të kritereve të përcaktuara në VKM.
Bozdo: Buxheti i detajuar, po bllokohet qëllimisht
Lidhur me bllokimin që po i bëhet buxhetit të Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo u shpreh se është vepër e cila bllokon investimet. “Ka kaluar një muaj që është bllokuar dhe për fat të keq, dje u njoftuam zyrtarisht nga Këshilli Bashkiak që mbledhja e radhës është vendosur në “kalendat greke” apo praktikisht në fund të muajit shkurt, çka do të thotë që edhe këtë muaj, edhe muajin në vijim, Bashkia e Tiranës nuk do të jetë në gjendje të operojë me buxhetin e saj. Me pak fjalë jemi në statusin e plotë të bllokimit të investimeve, të bllokimit të pagesave për shërbime për qytetarë të Tiranës dhe absolutisht është një situatë e papranueshme, e papranueshme për interesat e qytetarëve të Tiranës, por e papranueshme edhe për faktin sepse ky bllokim nuk është gjë tjetër veçse me background apo skenarë të pastër politikë. Edhe njëherë tjetër, thirrja i shkon kryeministrit, i shkon qeverisë, Bashkia e Tiranës nuk ka lidhje me konfliktin politik të sajuar, të stisur, Bashkia e Tiranës është këtu për t’ju shërbyer qytetarëve, për të investuar për çerdhet, kopshtet, shkollat. Projekti i buxhetit është plotësisht i detajuar për këtë gjë, të gjitha gjërat janë marrë parasysh, kështu që nuk ka asnjë arsye jo vetëm për ta shtyrë por për ta mos miratuar atë. Prioritetet tona, ato që janë diskutuar me komunitetet me vite me radhë, planifikimi i buxhetit afatmesëm 3-vjeçar nuk ndryshon, investimet janë po ato, shkollat janë po ato, çerdhet janë po ato, nuk ka asnjë arsye për të kërkuar kohë suplementare për ndryshime që kanë ardhur jo për shkakun tonë por nga qeveria qendrore, edhe një muaj, duke e bllokuar. Praktikisht deri në fund të shkurtit kemi 1/6 e vitit të bllokuar”, – përmendi nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.




