Bllokimi” i bujqësisë dhe prova e madhe e Shqipërisë për fondet europiane

“Bllokimi” i bujqësisë dhe prova e madhe e Shqipërisë për fondet europiane

Bujqësia shqiptare, që ende përbën rreth 15 për qind të ekonomisë kombëtare, po kalon një periudhë të vështirë. Për të tretin vit radhazi, ky sektor ndodhet në rënie, i ngarkuar nga problemet e vjetra – copëzimi i tokës, mungesa e mekanizimit, fragmentimi i tregut dhe politikat e paqëndrueshme të mbështetjes, të kombinuara me braktisjen e zonave rurale nga emigrimi.

Ndërsa prodhimi bujqësor ka rënë për më shumë se dy vjet rresht, Shqipëria rrezikon të humbasë jo vetëm konkurrueshmërinë në rajon, por edhe mundësitë për të përfituar nga mbështetja financiare që Bashkimi Europian po ofron për vendet kandidate.

Pas hetimeve të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Bashkimi Europian ka ngrirë përkohësisht 112 milionë euro nga programi IPARD, pas konstatimit të parregullsive dhe keqpërdorimeve në rreth 33 milionë euro fondesh të mëparshme.

Në intervistën e posaçme të dhënë për “Monitor”, përfaqësuesja e lartë e OLAF-it theksoi se procesi i bashkëpunimit me autoritetet shqiptare po vazhdon, por nënvizon se shqetësimet mbi mënyrën si janë përdorur fondet mbeten serioze dhe se zbatimi real i masave antikorrupsion është vendimtar për vendimet e ardhshme të Brukselit.

Në fakt, rreziku shkon shumë përtej humbjes së këtyre fondeve. Mënyra si Shqipëria e menaxhon programin IPARD do të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë e saj si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në aftësinë për të përthithur financime më të mëdha në të ardhmen.
Sipas burimeve zyrtare nga BE, Shqipëria mund të përfitojë deri në 1 miliard euro fonde europiane deri në vitin 2027, përmes programeve që lidhen me reformën, energjinë, zhvillimin rural dhe digjitalizimin.

Por ky potencial mbetet i kushtëzuar nga aftësia për të garantuar transparencë, integritet dhe menaxhim të drejtë të fondeve publike. Ndaj, bllokimi i IPARD-it nuk është një episod i izoluar – është një sinjal paralajmërues për mënyrën se si vendi do të trajtojë një volum shumë më të madh financimesh në vitet që vijnë.

Në një moment kur procesi i integrimit në Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë të re, besueshmëria financiare e Shqipërisë bëhet po aq e rëndësishme sa përmbushja e kritereve politike dhe ligjore.

Bashkimi Europian po e lidh gjithnjë e më shumë mbështetjen financiare me performancën në luftën kundër korrupsionit dhe me standardet e menaxhimit të fondeve.

Çdo parregullsi, vonesë apo dështim në zbatimin e reformave financiare rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në ritmin e disbursimit të fondeve dhe në nivelin e besimit të Brukselit.

Ekspertët e BE-së kanë sugjeruar se në dekadën e ardhshme, përfitimi nga fondet e BE-së do të jetë një nga motorët kryesorë të rritjes për Shqipërinë, por vetëm nëse administrata publike fiton kapacitetin për t’i përdorur ato me efikasitet dhe ndershmëri.

Krijimi i strukturave si SASPAC (Shërbimi i Auditimit dhe Sistemit të Parandalimit të Abuzimeve me Fondet e BE-së në Shqipëri) dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare kundër Mashtrimit janë hapa të rëndësishëm, por zbatimi real i këtyre politikave do të përcaktojë nëse vendi do të arrijë të kapë apo të humbasë momentin.

Ngjarja e IPARD duhet të shërbejë si një provë zgjuarsie institucionale. Nëse qeveria reagon me transparencë, ndëshkon abuzimet dhe krijon mekanizma efektivë kontrolli, Shqipëria mund të rikthejë besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të rifitojë qasjen e plotë në fondet e BE-së.

Në të kundërt, çdo vonesë do të ketë efekt zinxhir në programet e tjera europiane dhe do ta izolojë vendin në një moment kur rajoni po ecën përpara.

Bllokimi i bujqësisë është një simptomë e qartë e një problemi më të gjerë: dobësisë në administrimin e fondeve publike.

Nëse Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht, duhet të tregojë se mund të menaxhojë me përgjegjësi çdo euro të investuar nga taksapaguesit europianë.

Përvoja e vendeve të Europës Lindore tregon se përdorimi efikas i fondeve të BE-së ka qenë vendimtar për zhvillimin ekonomik dhe afrimin me standardet e Unionit.

P.sh., Rumania dhe Bullgaria, që u anëtarësuan në vitin 2007, kanë përfituar së bashku mbi 80 miliardë euro, ndërsa fondet e politikës bujqësore kanë ndihmuar në modernizimin e fermave dhe uljen e varfërisë rurale.

Kroacia, anëtare që nga viti 2013, ka marrë rreth 25 miliardë euro nga fondet e BE-së duke arritur të trefishojë investimet në sektorin bujqësor dhe turizmin rural, sipas të dhënave të Komisionit Europian dhe European Court of Auditors (ECA).

Ndaj, kjo është një provë që vendi nuk mund ta humbasë. Shqipëria duhet të kapë momentin, të forcojë institucionet e kontrollit, të luftojë korrupsionin dhe të tregojë se është gati të administrojë me integritet fondet që do të përcaktojnë rrugën e saj drejt Europës.

Vetëm atëherë “bllokimi” i bujqësisë mund të kthehet në një pikë kthese për të gjithë ekonominë shqiptare.

/MONITOR

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news