Drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit u mblodhën në “Elbasan Arena” për të përcaktuar në terren masat e sigurisë për ndeshjes Shqipëri-Serbi. Drejtori i rendit publik, Gjovalin Loka, bëri të ditur se për këtë sfidë do të jetë të impenjuar 1500 forca të policisë. Nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe për këtë masat e sigurisë do të jenë më të forta. Drejtuesit e lartë të policisë së shtetit u mblodhën mesditën e së enjtes në stadiumin “Elbasan Arena” për të përcaktuar në terren planin për mbarëvajtjen e sfidës Shqipëri-Serbi. Ashtu siç pritej për sigurinë e ndeshjes do të impenjohen 1500 forca të policisë. Me gjithë këtë shifër rekord, drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit bëri të ditur se deri tani nuk ka asnjë informacion shqetësues. Policia e Shtetit ka bërë publike edhe disa prej masave të tjera të rëndësishme të sigurisë. Sa u përket pallateve rreth impiantit të ndeshjes, askush nga banorët nuk do të pengohet të shohë sfidën nga ballkoni i tij. Megjithëse Federata Shqiptare e Futbollit siguroi se Ballist Morina nuk do të jetë i pranishëm në stadium, drejtuesi i Policisë bëri të ditur se tifozi që ngriti dronin në Beograd nuk do të ndalohet nëse është i pajisur me biletë për ndeshjen Shqipëri-Serbi.





