BIRN: Te lajmet e Klanit dhe Top Channel gjen Baba Vangën

BIRN: Te lajmet e Klanit dhe Top Channel gjen Baba Vangën

3 dhjetor, Agjencia Telegrafike Shqiptare pyeti në një titull të publikuar në faqen e parë të saj në internet: “A do të bëhet realitet profecia e Baba Vangës që mund të ndryshojë botën në vitin 2026?”. Përgjigja është e thjeshtë: Jo!

Edhe pse nuk ekziston asnjë provë që Baba Vanga, një mistike bullgare me emrin Vangeliya Pandeva Gushterova, të ketë bërë ndonjë parashikim të shkruar gjatë jetës së saj, në mediat shqiptare, përfshi edhe ato publike, gjen me dhjetëra artikuj për profecitë e supozuara të saj.

Këto teori konspirative qarkullojnë vit pas viti, përgjithësisht të përkthyera nga media tabloide dhe pa asnjë kontroll editorial.

Publikimet që citojnë Baba Vangën janë të mbushura me paralajmërime për katastrofa; takimin e shumëpritur me alienët; profeci për zhdukjen e Europës dhe rëniën e botës nën sundimin e Vladimir Putinit.

Studiuesit i shikojnë raportime të tilla si pjesë të fushatave dezinformuese apo narrativash të rreme, të cilat lidhen sipas tyre, në një mënyrë ose tjetër me propagandën e shpërndarë nga Kremlini.

Erlis Çela, studiues i medias dhe komunikimit, vëren ndotje masive të informacionit përmes dezinformimit të maskuar si kuriozitet, një fenomen sipas tij i rrezikshëm.

“Ky rrezik ka të bëjë me faktin se profecitë mistike dhe narrativat apokaliptike, të cilat i serviren publikut si lajme, përdoren shpesh si instrument për përhapjen e propagandës,” tha Çela për BIRN.

Edhe Viola Keta, eksperte e verifikimit të fakteve, i sheh këto publikime si pjesë agjendash.

“Lajme të tilla, me personazhe të veshur me misticizëm, spekulime dhe të pavërteta, duke shfrytëzuar emocionalitetin e njerëzve dhe që përhapen në mënyrë të përsëritur, sidomos në prag të eventeve me interes global, me shumë shanse janë pjesë e agjendave që kërkojnë destabilitet dhe konfuzion,” theksoi Keta.

“E vërteta” sipas Baba Vangës

Vangeliya Pandeva Gushterova [1911-1996], e njohur ndryshe si Baba Vanga ishte një mistike dhe shëruese e verbër bullgare, e cila gjatë regjimit komunist u instrumentalizua nga shteti dhe me gjasë, dyshohet se u përdor nga shërbimet sekrete përmes Institutit të Sugjestologjisë.

Ajo njihet edhe për shkak të lidhjes me Lyudmila Zhivkovën, vajzën e diktatorit bullgar Todor Zhivkov. Në vitet ’80, Vanga priste vizitorë edhe nga udhëheqës të Bashkimit Sovjetik dhe takimet e saj menaxhoheshin deri në detaje nga shteti, i cili merrte edhe një tarifë simbolike nga vizitorët.

Kjo ka ngjallur spekulime, por fakti është që për parashikimet që ndante me vizitorët ajo merrte një rrogë nga regjimi i Zhivkovit.

Edhe pse sot njihet globalisht për parashikime gjeopolitike dhe apokaliptike, mbesa e saj, Krasimira Stoyanova, burimi më i besueshëm biografik rreth Vangës, shkroi se në realitet ajo jepte kryesisht këshilla personale shëndetësore dhe nuk ka lënë asnjë profeci të shkruar. Ajo jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj në zonën e Rupites në malet Kozhuh të Bullgarisë dhe vdiq në Sofje më 11 gusht 1996.

Shumica e parashikimeve që i atribuohen vit pas viti besohet se janë trillime të mëvonshme, prej individësh, interpretuesish, prej tabloidëve dhe me raste edhe prej propagandës ruse, të cilat përdorin emrin e saj për të përhapur dezinformim dhe frikë.

Studimi akademik “Mediums, Media, and Mediated ‘Post’-Truth: Baba Vanga in the Russian Imagination” (Mediumët, Media dhe ‘Post’-e Vërteta e Ndërmjetësuar: Baba Vanga në Imagjinatën Ruse) nga Mary Neuburger dhe Adam Hanzel nga Universiteti i Teksasit në Austin, ilustron se si figura e Baba Vangës po përdoret për propagandë dhe për të krijuar narrativa pro-ruse.

Studiuesit thonë se “në të shumtën e rasteve, “e vërteta” sipas Vangës është e dobishme për regjimin e Putinit” dhe vënë në dukje se shpesh “profecitë” vijnë nga media afër pushtetit, por ato mund të jenë edhe shpikje sporadike që besohen masivisht për shkak të statusit të Vangës.

Ndërsa vënë në dukje se kjo nuk është diçka e kontrolluar direkt nga Kremlini, pasi kushdo mund të prodhojë një profeci të re në emër të Vangës, studiuesit theksojnë se ajo i shkon për shtat regjimit, sidomos kur parashikohen suksese të mundshme të presidentit Putin.

Bitter Ëinter, një revistë e publikuar në Torino që shkruan për të drejtat e njeriut dhe liritë fetare, shpjegon se në fakt Baba Vanga ishte e njohur në Bullgari jo për parashikimet gjeopolitike, por për këshillat për shëndetin e atyre që shkonin ta vizitonin. Pak a shumë si ata që “lexojnë” filxhanin e kafesë apo pëllëmbën e dorës.

Megjithatë, revista vë në dukje se media në Rusi si “Komsomolskaya Pravda”, një gazetë pranë regjimit, e përsërisin herë pas here “profecinë” e “Putinit që kontrollon botën”. Profecia fillimisht shoqëroi fitoren e Putinit në zgjedhjet e vitit 2018 (diçka krejtësisht e pritshme) dhe u ripublikua në vitin 2022 për të inkurajuar pushtimin e Ukrainës.

Zakonisht ky “parashikim” dhe ato që sinjalizojnë fundin e Perëndimit, për t’u bërë të përtypshme, shoqërohen me informacione shtesë mbi arritjet në shkencë, motin e keq dhe katastrofa natyrore në pjesë të ndryshme të botës.

Një studim i BIRN i vitit 2024 mbi “Shpërndarjen e narrativave dezinformuese kundër NATO-s dhe BE-së nga aktorë kundërshtarë në median shqiptare” gjeti se Vanga dhe misticizmi rreth saj ishte një prej mënyrave se si narrativat pro Putin dhe kundër BE apo NATO përfundonin te lexuesi shqiptar.

“Megjithëse një figurë jo politike, parashikimet e Baba Vangës shpesh përdoren nga mediat konspirative dhe dezinformuese për të përforcuar narrativa të caktuara edhe kundër NATO-s dhe BE-së”, thuhet në studim.

Laundromat për lajme të rreme

Pavarësisht se profecitë përgënjeshtrohen vit pas viti, mediat në shqip duke ndjekur përgjithësisht verbërisht tabloidët britanikë, i riprodhojnë ato pa asnjë ndryshim. Kështu, “profecia” se Europa do marrë fund në vitin 2024 dhe më pas në vitin 2025, ndahen nga të njëjtat media pa reflektuar.

Mes mediave që i publikojnë profecitë e Baba Vangës janë edhe televizione kombëtare si Top-Channel apo TV Klan, të cilat i përkthejnë përgjithësisht nga Daily Mail. Materiale të ngjashme gjen edhe në media të tjera të njohura në vend si Euronews, Panorama, Shqiptarja.com.

Të maskuara si kuriozitete, këto tekste me tituj “click-bait” për fundin e botës dhe katastrofa apo mrekulli, bëhen jashtëzakonisht virale afër fundit të çdo viti. Për të qenë të besueshëm, artikujt shoqërohen me “parashikime të suksesshme”, edhe pse askush nuk është në gjendje t’i verifikojë ato.

Kjo formë e ripublikimit njihet si laundromat i lajmeve të rreme. Procesi fillon kryesisht me një burim anonim në rrjete sociale, përcillet në tabloide dhe mbërrin copy-paste në media në Shqipëri, përfshi agjenci publike që nuk kanë nevojë për “click-bait” pasi paguhen nga buxheti i shtetit dhe jo nga reklamat.

“Për fat të keq konstatoj se këto lloj lajmesh janë bërë rutinë në media shqiptare. Shumë prej portaleve nuk janë të interesuara për të filtruar narrativat propagandistike që kamuflohen në këto publikime,” tha Erlis Çela.

“Për mua është tepër shqetësues fakti që një media publike, e cila mbështetet nga taksapaguesit dhe nuk funksionon me logjikën e medias komerciale, publikon lajme që synojnë të nxisin klikimet dhe që nuk kanë asnjë fakt të verifikuar,” shtoi ai.

Pavarësisht mungesës së burimeve reale, madje në mungesë totale të burimit të “profecisë”, referenca nga njëra media në tjetrën rrezikon të shihet nga publiku si informacion i besueshëm.

Sipas Ketës, lexuesit e kanë gjithnjë e më të vështirë që të dallojnë informacionin real mes numrit të madh të publikimeve spekulative.

“Tjetër gjë e rëndësishme, sa i ndërgjegjshëm është publiku se media nga e cila është marrë ky lajm, njihet për lajme spekulative dhe sensacionale dhe me një qasje antiemigracion, që lidhet më tutje me politikën që frymëzon këtë qasje,” përfundoi Keta./Reporter.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news