BIRN: Fuqia e PSD nuk qëndron tek programi, por tek paratë dhe ndikimi i Tom Doshit

BIRN: Fuqia e PSD nuk qëndron tek programi, por tek paratë dhe ndikimi i Tom Doshit

Partia Socialdemokrate e Tom Doshit prezantohet në këto zgjedhje parlamentare me një program politik, por ekspertët vlerësojnë se forca e saj elektorale nuk qëndron tek programi, por te fuqia financiare dhe ndikimi që kryetari ka mbi elektoratin.

Me tre deputetë në parlament që mbështetën me votë qeverisjen e Partisë Socialiste, PSD futet në këtë fushatë me një program elektoral që fokusohet tek premtime sociale për një jetë me dinjitet, duke nisur nga fëmijët, pensionistët dhe familjet në nevojë, ndërsa përmban edhe nota kritike për qeverinë e udhëhequr nga Partia Socialiste.

Programi i publikuar në faqen e partisë nis me premtime për dyfishim të shpenzimeve publike për sistemin shëndetësor, rritjen deri në 5% të buxhetit për arsimin, rritje të pagës minimale, vendosje të minimumit jetik dhe rritje pensionesh. Kapitujt e tjerë i kushtohen prodhimit vendas me në fokus fermerët, ku nuk kursehen kritikat për korrupsionin me fondet të programit të BE-së IPARD nga qeverisja socialiste.

“Kjo politikë, ku bujqësisë shqiptare dhe fermerëve nuk u ofrohet mbrojtje nga shteti, nuk u ofrohet ndihmë për t’u zhvilluar dhe modernizuar, duhet të marrë fund”, shkruhet në programin e PSD-së.

Tezat sociale të programit po artikulohen edhe nga kryetari i kësaj partie, Tom Doshi, referuar pak videove të takimeve të tij me elektoratin të publikuara në rrjetet sociale.

Nuk hyhet në Europë as me pension 100 euro, as me ndihmë sociale 60 euro për 4 persona…është një turp i madh i të gjitha qeverive”, u tha Doshi simpatizantëve gjatë një takimi gjatë muajit mars.

Edhe pse PSD ka kandidatë në gjithë vendin, fushatën e ka fokusuar kryesisht në qarkun Shkodër, me ambicjen e shprehur për të marrë 3 mandate deputeti në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e 11 janarit.

Në këtë zonë, Tom Doshin e konsiderojnë si një ‘bamirës’ që i hap telefonin çdo njeriu, financon ndërtimin e kishave apo shtrimin e rrugëve të fshatrave, një model fushate që për analistët e politikës cilësohet si ‘klientelist’ dhe që lidhet me dështimin e institucioneve për të ofruar shërbime sociale.

Erzen Koperaj, gazetar me bazë në Shkodër dhe pedagog në universitetin “Luigj Gurakuqi” i tha BIRN-it se “rritja e elektoratit të PSD-së në këto katër vite dëshmon në një mënyrë dështimin e institucioneve, pasi problemet e infrastrukturës dhe shërbimeve me të cilat ndeshen qytetarët në jetën e tyre të përditshme, marrin zgjidhje nga vullneti i një individi dhe jo nga ato që i ngarkon ligji”.

Ndërsa për Afrim Krasniqin, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, PSD nuk ofron për votuesin as program dhe as ideologji, por është e lidhur ngushtësisht me emrin dhe fuqinë e kryetarit të saj si individ.

“Është një parti e bazuar mbi individin, mbi forcën financiare dhe personale të individit, me ndikimin e tij në zona të caktuara dhe është bazuar mbi lidhje të atilla që në Shqipëri konsiderohen si lidhje klienteliste, dhe do të ketë sukses për aq kohë sa lideri i kësaj partie do të ketë sukses dhe ndikim publik,” tha Krasniqi.

Nuk votohet programi, por kryetari

Biznesmeni nga Shkodra u zgjodh si deputet i PS-së në vitin 2009 dhe 2013, por u përjashtua nga kjo parti në vitin 2015, pasi akuzoi publikisht ish-presidentin Ilir Meta për një komplot vrasjeje ndaj tij.

Ai arriti të rizgjidhet deputet në vitin 2017 në qarkun e Shkodrës nën siglën e PSD, dhe dy vite më vonë mori drejtimin e kësaj partie pas tërheqjes së themeluesit e kryetarit, Skënder Gjinushi, ish-ministër i qeverisë së fundit të regjimit komunist, aktualisht kryetar i Akademisë së Shkencave.

Prej vitit 2018, Doshi është shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si person i padëshirueshëm për shkak të “angazhimit të tij në korrupsion domethënës”.

Ai nuk është politikani tipik që e gjen në debatet televizive të darkës apo në artikulime ideologjike në video të kuruara teknikisht në rrjetet sociale të partisë, ndërsa programi i saj elektoral mbetet pothuaj i panjohur për publikun.

Për Krasniqin, nuk janë idetë dhe propozimet socialdemokrate që e identifikojnë këtë parti, por është një parti tipike që identifikohet me kryetarin.

“Nuk funksionon si një parti me struktura me vendimmarje dhe me ideologji”, thotë ai, duke marrë si shembull për këtë qëndrimin e 3 deputetëve të saj gjatë legjislaturës aktuale.

“Në asnjë rast të vetëm ata nuk kanë pasur propozime që lidhen me çështje social-demokrate, politika sociale apo nisma të tjera ligjore, por përkundrazi kanë votuar gati në mënyrë të heshtur çdo akt të qeverisë, pavarësisht se sot shprehen të pakënaqur me situatën në Shqipëri” shton Krasniqi.

Në këtë kontekst, ai beson se PSD nuk mund të gjykohet në bazë të një programi apo të një kontrate sociale të cilën e respekton, pasi është një parti e bazuar mbi individin dhe një ‘projekt personal’ i Doshit.

“Ditën që ai do t’i japë fund projektit personal politik edhe për partinë nuk ka të ardhme politike”, theksoi Krasniqi.

“Pra nuk mund ta quajmë PSD-në si parti politike në spektrin politik që konkuron me ide, konkuron me alternativa dhe ka një qasje të caktuar për problematikat që ka vendi dhe ka një program në lidhje me sfidat, nevojat, reformat dhe të ardhmen e tij”, përfundon ai.

Edhe Koperaj ndan një qëndrim të përafërt.

“Pavarësisht se cili është emri dhe historia e PSD-së, që prej 2017 dhe në vijim, ajo lidhet vetëm me një emër, atë të kryetarit të saj”, thotë ai, duke shtuar se “rëndom, në Shkodër dhe zonat përreth saj quhet partia e Tom Doshit”.

Sipas tij, edhe pse në këto zgjedhje për herë të parë PSD futet me një program elektoral kryesisht social, votuesit e saj nuk ndikohen nga premtimet për bujqësinë apo përkrahjen e biznesit të vogël që ka ky program.

Ai thekson se vota që jepet në emër të kësaj partie është votë për Doshin dhe ka të bëjë me lidhjen e tij të drejpërdrejtë me elektoratin.

“Pavarësisht kësaj, edhe në këtë prag fushate, pika e fortë që artikulohet në çdo takim të kandidatëve të PSD-së është profili i z. Doshi si garanci, si ‘njeriu që dëgjon njerëzit për hallet e tyre, marrëdhënie që nuk nis vetëm gjatë fushatës elektorale, por në çdo kohë dhe si njeriu që u ka hapur telefonin njerëzve kur shteti nuk e ka hapur,” thekson ai.

PSD e ka përqëndruar fushatën në qarkun Shkodër, ku në disa zgjedhje parlamentare dhe lokale ka treguar se është një faktor politik real, kryesisht si aleate e Partisë Socialiste, për të fituar mandate deputetësh apo për të marrë drejtimin e Bashkisë Shkodër.

Por në këto zgjedhje, PSD shihet si faktor vendimtar që rrezikon elektoratin tradicional të dy partive të mëdha.

“Megjithëse hapësirën e debatit politik në këtë prag fushate duket se e kanë zënë dy partitë kryesore PS dhe PD, PSD shihet si forca që do t’i rivalizojë, madje të jetë vendimtare në garën për atë që quhet mandati i njëmbëdhjetë në qark”, konstaton gazetari nga Shkodra.

Referuar zgjedhjeve të katër viteve më parë, sipas Koperajt, gjeografia e elektoratit socialdemokrat shtrihet kryesisht në zonat e Laçit të Vaut të Dejës, Bushatit, Pukës, Dajçit, Velipojës, Anës së Malit, ndërsa në zgjedhjet lokale të fundit tregoi se ka elektorat edhe në katër bashkitë e këtij qarku.

/BIRN

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.