Berisha: Unë kam durim, i ftoj sërish të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohemi kundër Edi Ramës!

Berisha: Unë kam durim, i ftoj sërish të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohemi kundër Edi Ramës!

A duket sikur u shua protesta pas masave represive që mori kryeministri, qoftë gjobave administrative dhe qoftë faktit që shumë të rinj u dhunuan, u mbajtën në komisariate, i ka stepur kjo njerëzit?

Sali Berisha: Ambrozia, shkaku është diku tjetër.
E vërteta është, të jemi realistë, studentët janë në tërësi në mësim.
Studentët janë në tërësi në mësim, t’ua them se nuk mund të jetë sekret, se qe një vendim bumerang mbyllja e universitetit.
Mbyllja e universitetit na riktheu një skenar të vitit ’91, kur studentët u shpërndanë në rrethe. Ky është shkaku kryesor.
Kurse këta që vazhdojnë, vazhdojnë, por mendoj se një strategji tjetër duhet të mendohet sepse është e domosdoshme që opozita të bashkohet.
Të bashkohen të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe t’i përmblidhen me protesta të fuqishme. Protestat e përditshme shprehin shpirtin e revoltës të atyre qytetarëve, por rëndësi kryesore ka të krijohet një front i gjerë i fuqishëm dhe kjo kërkon një bashkërendim të gjithë faktorëve opozitarë.

-Pavarësisht se ju keni bërë këto ftesa, duket se disa nga partitë e vogla e kanë refuzuar, madje kanë nisur të njoftojnë edhe kandidaturat e tyre për Bashkinë e Tiranës. Kur do vendosë opozita kandidatin e saj për Bashkinë e Tiranës dhe a mendoni se nuk keni asnjë shans për të fituar për sa kohë që opozita nuk bashkohet?

Sali Berisha: Tani, unë nuk humbas durimin.
Ftesa ime nuk ka në bazë se ne nuk kemi kandidat, ne kemi kandidatë të shkëlqyer, ju garantoj.
Por ftesa ime ka në bazë bashkimin e të gjithë faktorëve që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, që e konsiderojnë Edi Ramën si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Prapë unë tregoj durim, prapë unë i ftoj dhe ftesa ime është shumë e qartë. Asnjëri nuk ftohet të ndryshojë programin e tij, të ndryshojë qëndrimin ndaj Sali Berishës, të ndryshojë platformën e tij, jo!
Bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin dhe pastaj të votojnë të lirë. Secili merr votat që meriton, secili bën koalicionet që dëshiron.
Në këtë kuadër, unë prapë kam durim, megjithëse unë i dëgjoj që refuzojnë, por në qoftë se janë të vërtetë për largimin e Edi Ramës, është absolutisht alfa që duhet bashkuar të gjithë faktorët opozitarë.

Share it :