Berisha thirrje studentëve dhe pedagogëve: Kontribuoni për protestën, Rama nuk shpëton dot!
Kryetari i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve gjatë një takimi me anëtarët e Departamentit të Arsimit që të kontribuojnë për protestën që po zhvillohet jo vetëm në Tiranë.
Berisha tha se, Edi Rama nuk shpëton nga ky zemërim i përgjithshëm popullor.
Berisha: Kundërshtuam me forcën më të madhe ligjin. E kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kemi organizuar protesta dhe tryeza. Kemi kundërshtuar ligjin për administrimin e pasurive kulturore. Kemi kundërshtuar me forcën më të madhe ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Është mashtrues, pa asnjë turp, se vetëm sa nuk tha që me ato ndryshime e forcuam pozicionin. Lexojini ju ndryshimet që kanë bërë. Me ndryshimet që kanë bërë, i kanë hapur derën e sëpatave, i kanë hapur derën e ndërhyrjes në çdo park. Po!
Me ndryshimet që i bëri ligjit, i kundërshtuam, i çuam në Gjykatën Kushtetuese, por në diktaturë autoritare, kur pushteti është i gjithi në një dorë, merr kudo të njëjtën përgjigje.
Edhe Gjykata Kushtetuese ndahej katër me katër dhe linte në fuqi vendimin e qeverisë.
Kundërshtuam paketën e maleve. Çfarë ishte paketa e maleve? Ishte si t’u krijoje trafikantëve, t’u jepje prona publike e private për të investuar paratë e drogës së tyre.
A mund të imagjinoni ju që të përfitojë nga paketa e maleve investitori në Hamallaj? Është gjithsej 30 metra mbi nivelin e detit. 25-30 metra.
Të përfitojë nga paketa e maleve investitori në Maminas? Është fiks 70 metra mbi nivelin e detit. Këtu na mbinë malet.
Pastaj, sigurisht, pa asnjë lloj kriteri, duke marrë tokën me ligjin e tij të korporatës së investimeve, është një ligj që kthen ligjet e ’46-ës.
Ne i kundërshtuam këto me forcën më të madhe. Pra, bëmë gjithçka për të demaskuar, për të mbrojtur si trashëgiminë kulturore, ashtu dhe mjedisin.
Ne mirëpritëm me shumë kënaqësi kërkesat e protestuesve, si për anulimin e këtyre ligjeve, ashtu dhe për largimin e Edi Ramës.
Ne, faktikisht, ishim në protestën tonë të nëntë. Por u thirr kjo protestë dhe ne zgjodhëm të mbështesim atë dhe u bëmë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve tanë të jenë çdo ditë në protestë.
Tani thirrja ime për ju, për pedagogët e universiteteve, është të mendojnë se si të kontribuojnë në këtë protestë.
Roli i studentëve dhe roli juaj në mbështetje të saj është i jashtëzakonshëm.
Kjo protestë ka zgjedhur rrugën paqësore, strikt paqësore, të përballjes me regjimin. Çka do të thotë që mund të jetë më e zgjatur, por rezultatin do ta ketë.
Nuk ka asnjë lloj mundësie që Edi Rama të shpëtojë nga ky zemërim i përgjithshëm popullor.
Dhe ju duhet të bëni gjithçka që ky zemërim të ketë sukses.
Kjo revoltë, kjo protestë të përfundojë me sukses.
Disa informacione shumë shqetësuese tregojnë se janë bërë presione mbi studentët. Studentët janë në provime. Dhe studentët janë masivisht në protestë, por ka edhe pedagogë që u kanë bërë presion atyre.
Ju, në departamentet tuaja duhet të jeni avokatë të studentëve dhe nuk duhet të pajtoheni me asnjë njeri që u bën presion studentëve.
Aty ka njerëz të të gjitha bindjeve, të jemi realistë… se janë ca opozitë e opozitës që mendon se ajo është në timon, por ajo në fakt është si miza e Diderot që mendonte se tërheq karrocën dhe jo kali.
Protestën e tërheqin qytetarët aty dhe të rinjtë që rrinë gjashtë orë, pesë orë, i lajnë rrugët e Tiranës me energjinë dhe entuziazmin e tyre.




