Berisha: Skënder Balluku shënjestroi dhe goditi sot drejtuesit kryesorë të PD. Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në përfundim të protestës së opozitës para selisë blu, akuzoi Edi Ramën dhe Belinda Ballukun për dhunë ndaj protestuesve dhe drejtuesve të PD.
Sipas Berishës, gjatë protestës janë shënjestruar dhe goditur disa figura kryesore të opozitës, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në spital. Ai u shpreh gjithashtu se policia ka përdorur mjete si granata zhurmuese dhe ka përshkallëzuar situatën në terren.
Në fjalën e tij, Berisha falënderoi mbështetësit për qëndresën, duke e cilësuar protestën si përballje me një “regjim represiv”. Ai theksoi se “dosja Rama-Balluku nuk mbyllet” dhe paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar, duke e cilësuar atë si një qëndresë paqësore që nuk mund të ndalet.
FJALA E BERISHËS:
Një mirënjohje të pakufishme dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, për qëndresën, për heroizmin, qëndruat të pamposhtur ndaj një terrori të një regjimi që u soll sonte si një pushtues barbar.
Zëri juaj, qëndresa juaj, u shndërrua në tmerr të vërtetë për narko-regjimin e Edi Ramës.
Sot, me urdhër të Edi Ramës, Skënder Ballukut, Sokol tradhëtarit, besëprerit Bizhga, dhe Enton Allushit, shefi i policisë operative i njësisë operative, kanë treguar fytyrat e vërteta prej kriminelësh profesionistë.
Nuk kanë asgjë të përbashkët me punonjësit e policisë, por janë kriminelë të certifikuar, të cilët mendojnë se do zmbrapsin një popull të tërë në mbrojtje të dyshes famëzezë Rama dhe Balluku.
Tani, dhe një herë, deklarova para pak, po deklaroj përsëri.
Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet gjer ditën e fundit të jetës së tyre. Ata janë të regjistruar në analet e këtij populli, hajdutët më të mëdhenj të historisë së shqiptarëve.
Ndaj dhe nuk ka forcë në botë që t’i mbrojë ata nga ndëshkimi mbarëpopullor.
Sot, në emër të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës, Skënder Balluku që mori drejtimin e narko-policisë, shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike.
Luciano Boçi është në spital me djegie.
Flamur Noka përsëri pësoi goditje, por vazhdon detyrën. Klevis Balliu në spital. Në spital janë drejtues të tjerë.
Aulon Kalaja, gazetarja Aulon Kalaja, i goditur personalisht, edhe një hakmarrje për qëllimet e tij ndaj regjimit.
Drejtues dhe veprimtarë të tjerë të Partisë Demokratike janë të plagosur.
Sot, Sokol Balluku ka përdorur bombat kundër protestuesve, granatat e zhurmës që quhen dhe që kanë plagosur disa prej tyre. Kanë hedhur shishe molotov dhe kanë plagosur edhe protestues, por dhe policë, sepse u duheshin si dëshmitarë të gjoja akteve të protestuesve.
Dënoj me forcën më të madhe dhe ju siguroj se forcë në botë që të mposhtë kryengritjen tonë paqësore nuk ka.
Edhe një herë, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufijshme ndaj jush, gra dhe burra, djem dhe vajza, guximtarë të pamposhtur. Faleminderit.




