Ina Jano
Qeveria plotësoi kushtet për integrimin, në 23 qershor shembim murin e bllokimit
Boshti i Jugut përfundon në dy vitet e para të mandatit të ardhshëm
Pas Shkodrës, Berati ishte qyteti i radhës në të cilin u ndal Kryeministri Berisha për të festuar 22-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet. Lideri demokrat gjatë fjalës së tij mes qindra të pranishmëve akuzoi Ramën si bllokuesin e integrimit të shqiptarëve. Duke përmendur edhe shkeljen e ligjit nga ana e kreut të selisë rozë në ndërtimin e pallatit të bashkëshortes, numri një i qeverisë deklaroi se kjo nuk do të thotë se Rama mund të vijojë të bllokojë integrimin e vendit pranë strukturave evropiane. “Nga kjo platformë, nga Berati mijëravjeçar, dua t’i them Edi Ramës se duke shkelur ligje mund të ndërtosh pallate, t’u zësh lulishtet e dritaret gjitonëve të familjes tënde, por nuk do të mundesh kurrë t’u bllokosh shqiptarëve rrugën e integrimit, rrugën e Evropës. Muri që ke ngritur për të bllokuar statusin do të shembet përfundimisht në 23 qershor dhe ti, do të ecësh drejt arkivës së etërve të tu, sepse e vërteta është se, sot, je i vetmi në politikën evropiane që përdor pushtetin e qytetarëve të ndershëm socialist shqiptarë, për të bllokuar procesin e integrimit. Por sot ky status është bllokuar nga votat e atyre të cilët, në vend që të lexojnë dhe të mbështesin vizionin për të ardhmen, i qëndrojnë besnik testamentit ideologjik të etërve të tyre”, – tha Berisha. Gjithashtu gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryetari i mazhorancës tha se qeveria ka bërë gjithçka ka në dorë për integrimin e shqiptarëve, por tashmë është radha e Ramës që mos bllokojë më, pasi në 23 qershor ai do të marrë përgjigjen e merituar. “Qeveria që ju mbështesni, ka plotësuar të gjitha kushtet që varen prej saj, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE”, – nënvizoi kreu i ekzekutivit.
Investimet
Një pikë të rëndësishme gjatë fjalës së tij kreu i mazhorancës ja kushtoi investimeve që janë bërë dhe do të vijojnë të shtrihen në këtë zonë. Sipas numrit një të ekzekutivit, Boshti i Jugut do të përfundojë në dy vitet e parë të mandatit të ardhshëm qeverisës së PD-së. Ai siguroi se ndërtimi i Boshtit të Jugut i rrugës së Arbrit janë fjala e dhënë dhe zotimi solemn i tij, si dhe janë realiteti i ardhshëm i çdo shqiptari”. Shqipëria e 4- vjeçarit që vjen, theksoi ai, do të jetë Shqipëria e projekteve më të mëdha në tërë historinë e saj, Shqipëria e kaskadës së Devollit, Shqipëria e projektit TAP, e gazsjellësit Trans-Adriatik. Këtë vit dhe 2 vitet e ardhshme, ne do të kompletojmë infrastrukturën. “Boshti i Jugut është premtimi ynë madhor. Por ju jeni dëshmitar se segmenti i parë i saj, që kushtonte gjithsej 70 milionë euro, u transformua në interesin më të mirë tuajin dhe të mbarë shqiptarëve, u shndërrua në tunelin e Kërrabës dhe të autostradës Tiranë – Elbasan, e cila kushton rreth 5 herë më shumë se segmenti Baldushk – Papër. Por ne qëndrojmë në projektet tona. Ne po ecim me to nga Dumreja drejt Beratit dhe ju premtoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Arbrit janë fjala ime e dhënë, janë zotimi im solemn dhe janë realiteti ynë i ardhshëm. Kundërshtarët e mi politikë gabojnë kur mendojnë se unë mund t’u kthej shpinën premtimeve të mia. Unë premtoj ato që besoj. Në rast se unë, sikundër çdo njëri prej jush, i besoj diçkaje, vlerës, rëndësisë, nuk tërhiqem kurrë prej saj. Ndaj nuk jam tërhequr e nuk tërhiqem kurrë nga Boshti i Jugut dhe ai do të përfundojë”, – shtoi Kryeministri.
Arritjet
Gjatë këtyre viteve nën qeverisjen e djathtë vendi ka bërë progres të madh. Kështu Shqipëria u bë pjesë e NATO-s, një arritje kjo për tu vlerësuar dhe gjithashtu qytetarët shqiptarë lëvizin të lirë në të gjitha vendet e Shengenit. Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të të gjitha përpjekjeve dhe hapave historikë të realizuar nga vendi ynë, nën drejtimin dhe vizionin e kësaj force politike dhe mazhorance në qeverisje, duke përmendur fillimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, më pas, anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, plotësimin e të gjitha kushteve që varen prej saj, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, si dhe gjithë përkushtimin dhe arritjet e saj në zhvillimin ekonomik e të gjithanshëm të vendit, veçanërisht në këto vite të krizës ekonomike globale.
E ardhmja
Në ceremoninë ku ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës, qeveritarë vendorë, të rinj e të reja, aktivistë e simpatizantë të kësaj partie, Berisha premtoi se forca që ai drejton jo vetëm që është faktuar si forca politike kryesore e integrimit, por ajo e meriton një mandat të tretë qeverisës sepse ka një projekt te shkëlqyer për vitet e ardhshme. “Përmes këtij projekti zotohemi që në këtë vend të konsolidojmë shërbimet më të mira për qytetarët shqiptarë, standardet më të mira për shkollimin e tyre, standardet më të mira për shërbimin shëndetësor, standardet më të mira për lëvizjen e tyre dhe transportin rrugor, se do të krijojmë standardet më të mira për biznesin dhe punësimin, se do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar më tej biznesin shqiptar”, u shpreh Kryeministri. Ai tha se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e zhvillimit më të madh ën historinë e Shqipërisë, e investimeve publike e private dy herë më të mëdha se ç’ndodhën në këtë 4-vjeçar. Pjesë e ceremonisë festive të 22-vjetorit të kësaj ceremonie u bë edhe anëtarësimi i 300 të rinjve beratas në PD, 22 prej të cilëve, në mënyrë simbolike, kreu i kësaj partie Berisha, u dorëzoi edhe kartën e anëtarësimit.
Rama: Kush beson Kryeministrin, tallet me veten
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar menjëherë pas akuzave që Kryeministri Berisha bëri në adresë të tij nga qyteti i Beratit ku mori pjesë në 22-vjetorin e themelimit të PD-së në këtë qytet. Kreu i PS-së duke kritikuar deklaratat e kreut të qeverisë për rritjen ekonomike nënvizoi se ai që i beson ato çfarë Kryeministri i vendit nxjerr nga goja duhet të tallet me veten. “Çfarë vetëmohimi duhet për ta votuar një Kryeministër që thotë Shqipëria e katërta në botë me Zvicrën e Brazilin! Kush e voton tallet me veten keq fare”, – shkroi Rama në Twitter. Ndërkohë, Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve demokratë, hodhi akuza ndaj liderit të PS-së për bllokimin e statusit si dhe ndërtesën në pronësi të bashkëshortes së Edi Ramës duke e cilësuar atë si të jashtëligjshme.
Olldashi në 22-vjetorin e PD-së në Fier, arritje në të gjithë sektorët
Dega lokale e PD Fier ka festuar sot përvjetorin e 22-të të krijimit. Në takimin festiv merrnin pjesë anëtare, simpatizantë, ish- themelues të PD, grupi i deputetëve të PD, si dhe ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Pas përshëndetjeve të kryetarit të PD-së së Fierit, Ferdinant Murati dhe një prej ish-themeluesve të kësaj dege, Xhelal Tahiraj, foli zoti Olldashi, i cili bëri një bilanc të arritjeve nën drejtimin e PD-së. Ai vlerësoi nismëtarët e parë për guximin, kurajon dhe vizionin e tyre, në rrëzimin e diktaturës. “Ishte një mision i vështirë, sfidues, që kërkonte guxim, trimëri e mençuri për të kuptuar se qytetarëve të këtij vendi do t’i jepej ajo që u ishte mohuar për 50 vjet me radhë, liria për të ecur përpara, liria për të ecur drejt një të ardhme më të mirë, drejt Evropës”, – theksoi ai. Sipas tij, momente të tilla përvjetorësh nuk janë vetëm momente festimesh, por edhe refleksionesh, për të parë rrugën e përshkuar, arritjet, shkallën e realizimit të tyre në raport me premtimet dhe objektivat. “Ne në 8 vjet kemi realizuar rreth 600 milionë euro investime në qarkun e Fierit. Kemi ndërtuar rreth 570 km rrugë, nga të cilat rreth 260 km rrugë nacionale dhe 310 km rrugë rurale. Kemi ndërtuar rreth 91 shkolla, me qëllim përsosjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kemi mirëmenaxhuar sistemin arsimor si faktori bazë për zhvillimin dhe perspektiven e shoqërisë”, – tha Olldashi. Në vijim të bilanceve dhe realizimeve, ai përmendi ndërtimin e 64 qendrave shëndetësore dhe krijimin e dy parqeve arkeologjike, të cilat ishin lenë të braktisur dhe ishin shndërruar në objekt vjedhjesh. Sipas Olldashit, arritjet në këto 8 vjet janë të prekshme e të dukshme në të gjithë sektorët. “Gjatë këtyre dy mandateve në qarkun e Fierit kanë përfituar subvencionim nga shteti rreth 2350 ferma bujqësore, ndërkohë që janë investuar rreth 285 milionë euro në sektorin e energjetikës, me qëllim përmirësimin e këtij shërbimi”, – përfundoi ministri Olldashi.




