Berisha: Nesër ngremë shtyllat e turpit dhe do të shkruajmë me gërma të zeza emrat e atyre që tradhtojnë zgjedhësit

Berisha: Nesër ngremë shtyllat e turpit dhe do të shkruajmë me gërma të zeza emrat e atyre që tradhtojnë zgjedhësit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar në Kuvend se opozita do të ngrejë ‘shtyllat e turpit’ për deputetët që, sipas tij, po tradhtojnë zgjedhësit duke votuar reformën territoriale.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha u bëri thirrje deputetëve të Fushë-Arrëzit, Pukës dhe zonave të tjera që të mos dorëzohen përballë Edi Ramës dhe të votojnë në përputhje me interesat e qytetarëve.

Ai akuzoi mazhorancën se po ushtron presion ndaj deputetëve për të siguruar votat për reformën, ndërsa adresoi akuza edhe ndaj qeverisë lidhur me trajtimin e kryetarit të Bashkisë së Memaliajt.

Kreu i PD-së tha se nëse opozita vjen në pushtet, do të mbajë përgjegjës politikisht deputetët që, sipas tij, kanë votuar kundër interesit të zgjedhësve.

Fjala e kreut të PD, Sali Berisha në parlament:

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Ndërkohë që zhvillohet ky debat, njeriu me 5 mbiemra këtu në parlament, që ka porosi të vrasjeve, që është i implikuar me tre kartele droge, bën presion mbi deputetët dhe bën pazare për t’i detyruar që të votojnë.

U bëj thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit dhe të Pukës, përfaqësuesve të zonave të tjera të zgjedhin dinjitetin, karakterin, nderin dhe përfaqësimin e qytetarëve, pa u dorëzuar para Edi Ramës dhe pazareve të tyre të pista.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin nga narkopolicia e Skënder Ballukut dhe Edi Ramës ndaj kryetarit të Bashkisë të Memaliajt.

Hakmarrje primitive ndaj tij për faktin se qytetarët e Memaliajt refuzuan Edi Ramën. I propozoj Bashkisë Divjakë, Bashkisë së Durrësit, i propozoj të gjitha bashkive, të ngrenë që nesër shtyllat e turpit për të shkruar me gërma të zeza emrat e këtyre tradhtarëve të zgjedhësve të tyre që dalin këtu dhe na thonë se Divjaka aty do mbetet, se Klosi nuk lëviz.

Çfarë jeni këtu mor ju, çfarë jeni ju?

A keni ju, a keni turp nga vetja juaj që flisni në këtë mënyrë?

Si mund të zbrisni në zero?

Hë, edhe ky i Kodrës së Kuajve, erdhi këtu. Që edhe ky foli.

Atëherë shkoje atje ti. Shkoje ti, do ta them unë ty. Po po, deputeti i Kodrës së Kuajve.

Dëgjoni këtu!

Manza, Sukthi, Rrushbulli, Ishmi, janë 105 mijë banorë. Janë 105 mijë banorë dhe u mohojnë vetëqeverisjen në mënyrën më kriminale vetëm për qëllime elektorale.

Pra, absolutisht nesër po të dalim në pushtet do ngremë shtyllat e turpit për ju.

Share it :