Pas takimit me strukturat në Tepelenë ,lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon takimin e rradhës në Gjirokastër për 32- vjetorin e themelimit të kësaj dege atje. Në fjalimin e tij ai u shpreh duke thënë se :
“Së pari, ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe përzemërsi për praninë tuaj sot këtu.
Me këtë rast, përshëndes të gjithë demokratët e qarkut të Gjirokastrës, ju uroj gëzuar këtë ditë, e cila shënon për qytetarët e këtij qarku dhe rrethi, ditëlindjen e dytë të tyre në liri.
Përshëndes të gjithë kandidatët tanë për kryetarë bashkie në këtë qark, drejtuesit e PD, deputetin, miqtë e mi, drejtues, ish-drejtues, që jemi mbledhur për të kremtuar këtë ditë të shënuar jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për Shqipërinë.
Gjirokastra është një qytet simbol për mbarë kombin.
Historikisht ka qenë një epiqendër shumë e rëndësishme e kombit. Nuk ka një qytet tjetër që të rrezatojë më shumë qytetari, traditë dhe kulturë sesa qyteti juaj.
Nuk ka qytet tjetër ku bashkëjetesa mes njerëzve, me bindje dhe besime të ndryshme, me origjina të ndryshme etnike të jetë se në qytetin e Gjirokastrës.
Ndaj dhe unë duhet të përshëndes gjirokastritët kudo që janë, dua të përulem me nderim para atyre që themeluan degën e PD 32 vjet më parë. Ata ishin burra e gra guximtarë, në fakt qëndruan të pamposhtur edhe në kushte terrori. Edhe breshëri u hodhën drejt tyre, por ata nuk u mposhtën.
Ata qëndruan për ato vlera, të cilat revolucioni i viteve ’90, synonte të sillte në Shqipëri.
Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë.
Një rend që në Shqipëri njohu format më të egra. Shqiptarët përjetuan një kasaphanë të luftës së klasave, përjetuan një tirani mjerimi nga hipekolektivizmi total, që i vendosi ata në një uri kronike, përjetuan një tirani izolimi të paparë në historinë e tyre. Si asnjë vend tjetër në historinë e Europës dhe botës, e shkëputur për dekada. Përjetuan tiraninë e indoktrinimit. Kjo më e fuqishme dhe më e shprehur se në ndonjë vend tjetër.”




