Berisha: Në forumin e IDU-së, PD gjeti mbështetjen më të madhe për qëndresën tonë ndaj narkoregjimit

Berisha: Në forumin e IDU-së, PD gjeti mbështetjen më të madhe për qëndresën tonë ndaj narkoregjimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në foltoren e mbajtur në Dibër, u shpreh se opozita shqiptare ka gjetur mbështetje të gjerë ndërkombëtare për qëndrimet e saj, duke iu referuar pjesëmarrjes në forumin e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU) në Zagreb.

Berisha tha se në këtë forum, i cili mbledh partitë e qendrës së djathtë dhe të djathta nga e gjithë bota dhe ku frymëzohet nga Partia Republikane e SHBA-së, Partia Demokratike ka marrë mirëkuptim dhe mbështetje për qëndrimin e saj politik në Shqipëri

Ai e cilësoi situatën në vend si të vështirë për opozitën, ku tregoj se se zgjedhjet nuk janë të lira dhe se vendi, sipas tij, ndodhet nën ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar.

Berisha deklaroi se qeveria aktuale vepron si një strukturë kriminale që varfëron qytetarët dhe nxit largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.

Deklarata e plotë:

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokratë e demokratë, qytetarë e qytetare të Dibrës në këtë sallë, dibranëve dhe dibranëve kudo që ndodhen sot në këtë rreth, në Shqipëri dhe në botë.
Një përshëndetje të përzemërt deputetit Xhelal Mziu, kryetarit të Partisë Demokratike, Jeton Kaloshi, deputetëve të qarkut të Dibrës dhe të gjithë ju miqtë e mi.
Vij sot tek ju, pas një udhëtimi në Zagreb, ku mora pjesë në forumin e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, forumi më i rëndësishëm politik i partive politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në botë, i cili drejtohet apo ka si frymëzues dhe drejtim kryesor Partinë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ne si opozitë, misionin tonë në Shqipëri e kemi të vështirë. E kemi të vështirë sepse aty ne ishim nga të paktët përfaqësues të një force politike në një vend në të cilin nuk bëhen zgjedhje, por farsë zgjedhore.
Në një vend në të cilin kartelet e drogës bëjnë ligjin dhe vendosin ministrat dhe çdo gjë.
Në një vend në të cilin qeveritarët, kryeministri dhe qeveritarët e tij sillen si anëtarë të një organizate kriminale, vjedhin ditë e natë pa ndërprerje shqiptarët, i varfërojnë, i mjerojnë, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm dhe i detyrojnë të largohen nga Shqipëria.
Por duhet t’ju them këtu se në atë forum, Partia Demokratike ka patur, gjetur, ka gjetur dhe gjeti mirëkuptimin dhe mbështetjen më të madhe.
Dhe kjo mbështetje, ky mirëkuptim është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qëndresën tonë. Është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe për misionin tonë.
Misioni ynë është të themi të vërtetën shqiptarëve dhe miqve të shqiptarëve kudo në botë, pavarësisht nga çmimi, pavarësisht nga kostoja, të mbrojmë shqiptarët, të mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë, të mbrojmë interesat e Shqipërisë.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.