Berisha: Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e tenderave ku njerëzit merreshin peng, një hajdute e pamëshirë, që ka fshehur dhjetëra milionë pasuri të dokumentuara

Berisha: Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e tenderave ku njerëzit merreshin peng, një hajdute e pamëshirë, që ka fshehur dhjetëra milionë pasuri të dokumentuara

Kreu i PD-së foli edhe mbi rolin e mediave të kontrolluara nga qeveria, ku kritikoi ashpër përdorimin e tyre për të justifikuar krimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Ai theksoi se emisionet ku ftohen figura të akuzuara për vjedhje dhe abuzime po shndërrohen në një “lavatriçe imazhi” që manipulojnë opinionin publik dhe cenojnë transparencën dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve.

Berisha i quajti këto veprime dëshmi të kriminalizimit të medieve dhe e përshkroi si një nga format më të rrezikshme të kontrollit mbi shoqërinë, duke nënvizuar nevojën e opozitës për t’i denoncuar dhe për t’i ekspozuar qytetarëve.

PJESË NGA BASHKËBISEDIMI

Z. Berisha, kur shohim që në disa emisione po ftohen figura si Mirlinda Karçanaj dhe Belinda Balluku, të cilat përdorin hapësirën publike për të mohuar akuzat pa u përballur me pasoja konkrete, a mendoni se kemi të bëjmë me një normalizim të justifikimit publik të skandaleve? A po kthehen këto dalje mediatike në një lavatriçe imazhi për zyrtarët e akuzuar dhe sa e dëmton kjo, sipas jush, transparencën dhe llogaridhënien reale ndaj qytetarëve?

Sali Berisha: Së pari, kjo është një dëshmi e tmerrshme e kriminalizimit të medieve të kontrolluara nga qeveria. Të bësh retushin, tualetin e Lubi Ballukut, e Edi Ramës, e Karçanajt drejtoreshë e tenderave ku njerëzit merreshin peng, do të thotë të jesh më kriminel se ata. Do të thotë se mafia e fjalës së lirë është mafia më e rrezikshme e kësaj toke sepse e para është fjala.

Sigurisht, vijmë tek mendimi juaj, është plotësisht i vërtetë. Me këto emisione duan me çdo kusht të përligjin krimin, të përligjin vjedhjen. Edi Rama nga njëra anë lufton të bëjë ligje, t’i çojë në parlament për t’i mbrojtur, në studiot televizive shpall pafajësira dhe bën tualete krimineleve apo kriminelëve të damkosur, duke dëshmuar një tentativë për të kriminalizuar të gjithë shoqërinë.

Dhe kjo është absolutisht dëshmi e kapjes së tmerrshme të medieve nga qeveria, e shndërrimit të tyre në mafie.

Mos harroni se kur qëndrestarët dhe opozitarët protestonin kundër vjedhjeve të Ballukut dhe banditë me uniformë i gjuanin ata me gaze helmuese të skaduara, i njëjti televizion që mbahet me paratë e vjedhura të taksave, shprehej se helmet e skaduara janë përdorur që t’i dëmtojnë më pak protestuesit.

Kurse në rastin e fundit përpiqet ta paraqiste të papërlyer një hajdute të pamëshirë, që ka fshehur dhjetëra milionë pasuri të dokumentuara.

Sajonin truke sikur ajo gjoja qenka viktimë e një videoje. Po kush po çan kokën për videot e saj, qytetarët kanë hallet e vjedhjeve të saj, po ç’ka bërë ajo, nuk çan kush kokën për të. Dhe që asnjë video nuk është shfaqur. Por duhet ta largonin vëmendjen dhe të thonin: ja zonja e papërlyer.

Dhe kësaj i bënë video. Shikoni deri ku shkon kriminaliteti në studiot televizive, manipulimi. Ndaj dhe qëndrimi i PD, i hapur dhe i prerë, vetëm e vetëm se u manipulojnë ju të dashur qytetarë, vetëm e vetëm se përpiqen të manipulojnë të vërtetat, vetëm e vetëm se përpiqen të trillojnë për të mbrojtur padronët që u japin paratë që vjedhin nga ju.

Share it :