Berisha, mesazh Dumanit: Drejtësia vonon, por nuk harron! SPAK heshti si fija e barit kur Rama votoi ligjin që i jep goditje fatale hetimit
Berisha, mesazh Dumanit: Armikut të egër të pluralizmit politik, drejtësia vonon, por nuk harron!
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka reaguar ashpër pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, ku u paraqit në kuadër të masës së sigurisë ndaj tij.
Kreu i PD iu drejtua drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, me një mesazh të drejtpërdrejtë, duke e akuzuar për qëndrim armiqësor ndaj pluralizmit politik.
Berisha e cilësoi Dumanin si “armikun e egër të pluralizmit politik” dhe paralajmëroi se, pavarësisht zhvillimeve aktuale, drejtësia do të japë përgjigjen e saj. “Drejtësia vonon, por nuk harron”, tha lideri i opozitës, duke përsëritur akuzat e tij ndaj kreut të SPAK.
Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare të pranishëm këtu dhe kudo që ndiqni këtë prononcim timin para shtypit.
Shënimi që lashë është ai i zakonshmi: Altin Gjoka Troplini Hajri Dumani, se ky është me shumë mbiemra, armikut të egër të pluralizmit politik, drejtësia vonon, por nuk harron!
Tani ju jeni të gjithë kuriozë se çfarë gjeta unë aty. Aty, të gjithë po bënin gati valixhet. Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste.
Dëgjoni pak, me ligjin që kreu i tyre, Edi Rama votoi në parlament, i jep një goditje fatale hetimit, procesit të hetimit dhe procesit të akuzës. Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit.
Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës.
Ad
Çfarë nënkupton heshtja e tyre? Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij.
Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS. Se këta janë njerëz pa ligj dhe moral.
A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin?
A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës?
Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut.
A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt?
Dhe këta heshtin si fija e barit, si hija e turpit dhe tregojnë se çfarë mercenarësh janë.




