Berisha: Kjo ishte një javë e zymtë, u miratua buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit

Berisha: Kjo ishte një javë e zymtë, u miratua buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, e cilësoi javën që lamë pas si tejet të zymtë, duke akuzuar qeverinë Rama se miratoi në Kuvend atë që ai e quajti “buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit”.
Berisha deklaroi se 10 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve po shpërdorohen, ndërsa qytetarët përballen me rritjen e çmimeve dhe varfërinë.

Ai tha se, qeveria ka parashikuar 930 milionë euro për shpenzimet e administratës, para që, siç theksoi, mund të përdoreshin për rritjen e pagave, vendosjen e minimumit jetik dhe mbështetjen e pensionistëve.
Berisha: Së pari u përshëndes përzemërsisht dhe u falënderoj për vëmendjen, interesin, komentet dhe pyetjet që do të adresoni.

Java ishte një javë tejet e zymtë, javë në të cilën kriza u thellua edhe më shumë.

Javë në të cilën buxheti i narkoqeverisë u provua në parlament si buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e të gjitha buxheteve të vendit.

10 miliardë euro taksa, mund, djersë dhe përpjekje tuaja, jo vetëm nuk u rikthehen ju, por përkundrazi vidhen dhe shpërdorohen në mënyrën më të papërmbajtur.

Ndërkohë muajin e kaluar, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shumë se në hapësirën e BE.

Ndërkohë, EUROSTAT informon se të ardhurat e disponueshme për familjet shqiptare janë më të paketat në rajon.

Informon se mbi 30 përqind e shqiptarëve kanë probleme me kafshatën e gojës.

Edi Rama ka përcaktuar në këtë buxhet 930 milionë para xhepi për administratën e tij, për telefona, zyra, vetura, lukse, ahengje, darka dhe dreka.

Me 930 milionë euro, të dashur qytetarë dhe qytetare, mund të rriteshin me 60 përqind rrogat e ulëta, me 40 përqind rrogat e mesme, mund të vendosej minimumi jetik për shqiptarët dhe natyrisht mund të dyfishohej jo rritja e pensioneve, siç thotë Edi Rama, por indeksimi i tyre në përputhje me rritjen e çmimeve.

Duke i dhënë me minimumin jetik dhe një përgjigje përfundimtare pensionit minimal, pensioneve jo të plota, etj.

Pra, ata të cilët po varfërojnë dhe vjedhin shqiptarët në mënyrën më të papërmbajtur, u zotuan se me buxhetin e ri do të dyfishojnë apo shumëfishojnë vjedhjet e tyre ndaj shqiptarëve.

PD ka paraqitur dhe do paraqesë projektin e vet për mbështetjen e qytetarëve.

Natyrisht asgjë prej propozimeve tona nuk pranohet, por janë shqiptarët që e kanë në dorën e tyre të largojnë sa më shpejt këtë narkoshtet dhe narkoqeveri grabitqare në mënyrë që pasuritë publike t’i shndërrojmë më të mira dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

Share it :