Benitez: Të fitosh me Maradonën, e lehtë

Tekniku spanjoll u shpreh se ai do të preferonte që legjenda e futbollit të vazhdonte të mbështeste Napolin, pasi është një ogur shumë i mirë.

 

maradona Napoli i ka treguar Romës se nuk është ende e pjekur për titull, pasi e ka deklasuar atë me rezultat 3-0 për të kaluar në finale të Kupës së Italisë. Roma u paraqit në këtë ndeshje me formacionin më të fortë, por pa Totin në përbërje. Si do që të jetë, skuadra napolitane arriti që të realizonte pas gjysmë ore lojë, ndërsa epërsia e skuadrës u pa gjatë gjithë 90 minutave, duke dominuar lojën. Në pjesën e dytë protagonistë ishin Higuain me Horginjon që i dhanë skuadrës një triumf të madh, përballë një rivali direkt. Ky ishte dhe rezultati përfundimtar, përkundër përpjekjeve të Romës që në fund ta kthente rezultatin. Me këtë fitore Napoli arrin që me rezultat të përgjithshëm prej 5-3 të kalojë në finale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me Fiorentinën. Rafael Benitez thotë se Diego Maradona edhe nëse del fushë tani, mund të shfaqet i dobishëm për skuadrën. Legjenda argjentinase e futbollit qëndroi në tribunat e stadiumit “San Paolo” për të shikuar ish-klubin e tij në fitoren 3-0 ndaj Romës. Dhe tekniku ishte i ngazëllyer që skuadra e tij shënoi fitore para ikonës së klubit. “Ishte më e lehtë të fitosh me Maradonën aty, por le të mos heqim meritat nga këta djem, pasi ata luajtën mirë. Unë jam takuar me Maradonën shumë vite më parë, ai ende mund të jetë i dobishëm për ne në fushë”, – ka shtuar Benitez. Rafael Benitez e ka përshkuar performancën e Napolit si “pothuajse të përkryer”, pasi ata mposhtën Romën me rezultat 3-0 gjatë të mërkurës për të siguruar një vend në finalen e Kupës së Italisë. Golat nga Hoze Kalejon, Gonzalo Higuain dhe goli i parë i përforcimit të ri, Horginjo, u siguruan napolitanëve finalen e Kupës, ku ata do të përballen me Fiorentinën në fillim të muajit maj. “Nuk ishte një paraqitje e përkryer, por ishte pothuajse e përkryer. Çdokush punoi fuqishëm në aspektin mbrojtës dhe pastaj ne ishim në gjendje të shënojmë tre gola të shkëlqyeshëm”. “Ekipi tregoi kualitetin e vet. Ishte vështirë të fitonim ndaj këtij ekipi të Romës dhe ta bënim këtë pa pësuar asnjë gol”, – u shpreh ish-tekniku i Liverpulit.

 

 

Skënder Gega rinovon, bie si opsion për Partizanin

Trajneri i shpresave të Shqipërisë ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit edhe për dy vite të tjera, duke bërë që të sfumohet tashmë kandidatura e tij si një nga më të mundshmit për të zëvendësuar Hasan Likën te skuadra e kuqe. Aktualisht, në drejtim të kësaj të fundit është portugezi Marsios Sampajo, i cili drejton nën “mbikëqyrjen” e një bordi drejtues dhe nëse nuk bind në rezultate, atëherë presidenti Gaz Demi do të vihet menjëherë në kërkim të një trajneri tjetër.

 

 

Shqipëria fiton një vend në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar një vend në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për kombëtaret e botës. Bëhet fjalë për renditjen më të fundit, publikuar dje nga institucioni më i lartë i futbollit botëror. Në muajin e kaluar përfaqësuesja jonë kuqezi ishte një vend më poshtë, pra e 56-ta dhe pa luajtur asnjë miqësore, tani e shohim veten në vendin e 55-të. Norvegjia, Bjellorusia dhe Koreja e Jugut aktualisht janë pas nesh. Më 5 mars, Shqipëria do të zhvillojë një ndeshje miqësore në Durrës ndaj Maltës. Shpresojmë për një fitore dhe një renditje më të denjë për djemtë e De Biazit.

 

 

Kompani fton Adnanin te Belgjika

Adnan Januzaj vazhdon të shkëlqejë me skuadrën e tij Mançester Junajtid. Ndërkaq, vazhdon ende presioni i madh ndaj tij se për cilën përfaqësuese do të luajë në të ardhmen. Belgët e duan për vete, ndërsa kombëtarja jonë është në gjendje të bëjë gjithçka për ta pasur. Edhe përfaqësuesja belge është duke e kërkuar me ngulm që ta ketë atë në radhët e saj për kampionatin botëror Brazil 2014. Siç kanë raportuar mediat britanike dhe ato belge, ka qenë pikërisht kapiteni i Belgjikës dhe i Mançester Sitit, Vinsent Kompani, ai që është duke folur me 19-vjeçarin për ta zgjedhur Belgjikën. Sipas tyre, mbrojtësi i Sitit ka kërkuar nga Januzaj që të pranojë të luajë me Belgjikën, pasi do të ishte zgjidhja më e mirë për karrierën e tij futbollistike. Me anë të zgjedhjes së Belgjikës, ai do të mund të luante edhe në kampionatin botëror. Tashmë mbetet vetëm të presim.

 

 

Erjon Tola dëmtohet, mungon në garë

Lajme të këqija vijnë nga Soçi. Erjon Tola u ka thënë lamtumirë Lojërave Olimpike Dimërore, pasi është dëmtuar në seancën e fundit stërvitore. Skiatori shqiptar është rrëzuar dhe ka pësuar dy fraktura në parakrahun e majtë. Si pasojë, ai i është nënshtruar një operacioni në spitalin rajonal të Soçit. Presidenti i Komitetit Olimpik, Viron Bezhani, ka bërë të ditur se ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar me sukses. Megjithatë, Tola nuk do të mund të garojë në Lojërat Dimërore. Shqipëria do të përfaqësohet vetëm nga skiatorja Suela Mëhilli.

 

 

Kelmendi, në vend të parë në klasifikim

Majlinda Kelmendi ka dalë në vendin e parë të renditjes botërore në xhudo, për të gjitha peshat. Ajo sot quhet xhudistja më e mirë e botës në mënyrë absolute dhe gjithçka erdhi pas Medaljes së Artë të fituar në Paris. Më parë, Majlinda Kelmendi ishte numri 1 në botë në peshën e saj, deri 52 kg. Xhudistja shqiptare 22-vjeçare është kampione e botës dhe synon Medaljen e Artë olimpike pas dy vitesh në Rio de Zhaneiro.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :