Beleri: Shqipëria po largohet nga perspektiva europiane, nevojitet qeveri teknike për reforma
Eurodeputeti Fredi Beleri, i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krasta në SYRI TV, ka ngritur shqetësime serioze për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, klima aktuale në BE ndaj Shqipërisë është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Beleri e cilësoi këtë situatë si shqetësuese për të gjithë shqiptarët dhe theksoi nevojën për një qeveri tërësisht të angazhuar në rrugën europiane. Ai paralajmëroi edhe për një skenar më negativ, ku BE mund të humbasë fokusin ndaj Shqipërisë, duke e lënë vendin të përballet i vetëm me problemet e brendshme.
Nuk ka anëtarësim në BE me qeverinë aktuale dhe me mënyrën si po qeveriset sot Shqipëria,’ deklaroi Beleri, duke shtuar se mesazhet nga ndërkombëtarët do të bëhen gjithnjë e më të qarta në vijim.
Të gjitha rrethanat për Shqipërinë në Evropë janë shqetësuese.
Duhet, duhet të dini që para një viti, jo më shumë, jo shumë larg, para zgjedhjeve të fundit, në BE kishte njerëz që thoshin të futet Shqipëria në BE edhe të rregullohet brenda BE-së. Domethënë reformat t’i bëjë brenda BE-së, pra të futet tani. Që ishin ata që mund të themi pro-shqiptarët në thonjëza.
Kishte dhe shtete më skeptike që thoshin, të futet Shqipëria në BE, por në fillim të ketë zgjidhur problemet e veta, të ketë bërë reformat e duhur dhe të jetë legjislacioni shqiptar i jetë afruar rreth 90% me këtë që po ndodh në Evropë.
Tani nuk jemi më me këtë në këtë fazë. Ka shtete që thonë, nuk duhet të futet Shqipëria dhe shtete që thonë, Shqipëria duhet të futet kur të bëjë detyrat e shtëpisë, kur të bëjë reformat, kur të zgjidhë çështjet e veta.
Kjo duhet të ishte shumë shqetësuese për të gjithë shqiptarët.
Në Shqipëri duhet të ketë një qeveri pro-evropiane dhe qeveri e cila do bëjë detyrat e shtëpisë dhe reformat, ose ka skenari më të keq akoma që të na lënë në hallin tonë, domethënë të mos merren evropianët dhe kjo do ishte shumë, fatkeqësisht shumë e keqe, duke e lënë qeverinë që është sot dhe duke i lënë gjërat të venë siç po venë, domethënë gjysma e shqiptarëve të kënaqen që po i afrohen Evropës dhe gjysma tjetër të jemi ne që bërtasim opozitarët.
Pra besoj që skenari i vetëm i mundshëm që është pro Shqipërisë është një qeveri teknike, tranzitore, e cila do bëjë reformat e duhura, si në kushtetutë ashtu edhe në legjislacion për t’iu afruar BE-së.
Nuk ka anëtarësim në BE me qeverinë e sotme dhe me mënyrën se si po qeveriset Shqipëria sot, në të gjitha nivelet. Dhe kjo është e qartë. Çdo ditë dhe çdo javë që do kalojë, mesazhet nga ndërkombëtarët, nga BE-ja do jenë të qarta. Shpresoj që politika shqiptare t’i kuptojë sa më shpejt dhe të reflektojë’, tha ndër të tjera, eurodeputeti Fredi Beleri në SYRI TV.




