Bashkëshortja e ish-deputetit Pashko Ujka, që mbeti i vrarë në 29 nëntor në Shkodër, ka dëshmuar për herë të dytë në polici lidhur me ngjarjen. Burime bëjnë me dije, se e veja e viktimës, ka konfirmuar se sipas saj autori i ngjarjes është K. Kelmendi, i cili u arrestua pak ditë pas ngjarjes.
Dëshmia e bashkëshortes së Pashko Ujkës, rëndon më tej pozitat e 20-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e ish deputetit.
Ndërkohë, djali i viktimës, Emanuel Ujka, ka konfirmuar se babai i tij ka pasur një konflikt me A. Kelmendin, babain e 20-vjeçarit të arrestuar. Konflikti ka qenë për një borxh prej 20 mijë eurosh, që A. Kelmendi i kishte për t`i shlyer ish deputetit Pashko Ujka, në lidhje me një banesë.
Ish-deputeti, 11 vjet më parë kishte nxjerrë forcërisht me polici nga banesa familjen e A. Kelmendit, pasi ky i fundit nuk i kishte shlyer borxhin prej 20 mijë eurosh.
Pashko Ujka u vra mbrëmjen e 29 nëntorit në afërsi të banesës së tij në Shkodër. Ai u qëllua me një plumb pas shpine me armë me silenciator.
Pak ditë më pas policia arrestoi dy të rinjtë, K.Kelmendi dhe M. Kola, të cilët janë lënë në burg me afat 30 ditor./syri.net




