Basha: Shqipëria ka nevojë për qytetarë që i prijnë protestave kur qeveria i kërcënon

Aktiviteti për 25-vjetorin e rrëzimit e bustit të Enver Hoxhës, mblodhi akademikë, historianë dhe diplomatë, ku shkëmbyen ide rreth simboleve të komunizmit, gjuhës së politkës etj

Sava Sota

Në kuadër aktiviteteve përkujtimore për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, lideri i opozitës Lulzim Basha deklaroi se Shqipëria ka nevojë për shëmbullin e individëve të lirë. Gjatë fjalës së tij kryedemokrati tha se  ky eveniment dhe mënyra e organizimit përbëjnë një risi e cila ka për qëllim të eksplorojë në një dialog me pjesëmarrësit këtu në sallë por edhe me publikun që na ndjek përmes medias. “Shembja e simbolit të diktaturës duhet të përbëjë për brezat dhe për sfidat me të cilat Shqipëria po ndeshet sot e do të vazhdojë të ndeshet derisa të kultivojë kultin e individit. Shqipëria nuk ka nevojë për kultin e individit diktatorial, për kultin e individit që shembëm 20 vite më parë, për simbolin e “njeriut diell” nga e cila varet ekzistenca e çdo robi e çdo skllavi e çdo proletari e çdo demokrati apo çdo socialisti. Nuk ka nevojë për kultin e individit për të cilin duhet të thërrasim “Rroftë udhëheqësi i partisë”, sa herë marrim në dorë tapitë e legalizimit apo na kthehen si shërbime taksat që na merren nga xhepat tanë” – bëri me dije kryetari i PD-së, ndërsa tha se Shqipëria ka nevojë për kultin e individit të lirë, pa të cilin demokracia mbetet një formalitet. “Individ të lirë, këtij tipari, këtij identikiti të demokracisë perëndimore cili është aksioneri i vërtetë i shtetit, si kontratë, i demokracisë, i individit që e kupton se shteti nuk disponon asnjë mjet sepse të gjitha mjetet burojnë nga individi. Paratë që shteti destinon janë paratë e taksave që paguan individi. Të drejtat që shteti mbron janë të drejtat natyrale dhe hyjnore të individit. Liritë që shteti duhet të garantojë janë liritë natyrale të individit dhe aspiratat që shteti duhet të investojë janë aspiratat legjitime të individit” – nënvizoi lideri i opozitës. Ndërkaq, ai theksoi se shoqëria jonë ka nevojë për kultin e qytetarit të lirë i cili në demokraci nuk është thjeshtë vlerësuesi me votë një herë në katër vite i qeverisjes por është dhe do të jetë dhe gardiani i qeverisjes, dhe se sipas tij, nuk ka nevojë as të thërritet as të stimulohet për protestë por i prin protestës sa herë që keqqeverisja e lë në baltë, e kërcënon apo ç ‘është me e keqja e rikthen në kohët e errëta kur e trajton ri rob, si skllav, si qenie që duhet të jetë i lumtur që i shtrëngon dorën udhëheqësit, për të marrë tapinë e legalizimit që i takon. “Për të marrë shërbime për të cilat ka paguar me kokën poshtë dhe pa kërkuar llogari edhe kur gjysma e parave vidhen rrugës. Ky pra, pa dorashka është edhe interesi im kryesor, interesi ynë kryesor si forcë politike. Në këtë diskutim të sotëm dhe në këtë përvjetor të 25-të, ne duam që të sjellim përtej nderimit për protagonistët që e nisëm pardje në Qytetin Studenti me protagonistët e grevës së urisë, e përtej kujtimit nesër në një ekspozitë me një instalacion artistik në Muzeun Kombëtar i cili do të qëndrojë i hapur për 48 orë, edhe rëndësinë e atij akti që nuk ishte thjesht dhe vetëm rrëzimi i një simboli” – shprehu kryeopozitari Basha. Ndërkohë, tha se këto aktivitete normalisht duhet t’i takonin qeverisjes që paguhet nga taksat e shqiptarëve edhe për të përkujtuar këto momente të rëndësishme të shqiptarëve por që, sipas tij, i ka lënë edhe këtë 25-vjetor sikundër edhe në 25-vjetorin e ngritjes për demokraci të 8 dhjetorit të vitit të kaluar në një harresë frojdiane, në kuptimin e plotë të fjalës, pra në një harresë kriminale. “Kështu që pa marrë shumë kohë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin e madh për të gjithë panelistët e nderuar që do të flasin sot, profesor Peqinin, profesorësh Nikën, profesor Gjekmarkaj, për z.Kulluri, për z.Fuga që ndodhet në panelin pasardhës. Profesor Tupen, për të tjerë që i kërkuam të vinin por fatkeqësisht nuk ndodhen sot në Shqipëri e do t’i jepnin edhe më shumë kolorit këtij diskutimi që nuk është një diskutim partiak, nuk do të jetë një diskutim partiak por synon dhe shpresojë që do t’ia arrijë që të afrohet sa më shumë me thelbin e vërtetë me 20 shkurtit 1991 që nuk ishte një përplasje, urrejtje e verbër ndaj disa dhjetëra apo qindra kile bronz, ishte shumë më shumë se kaq, është dhe duhet të jetë shumë më shumë se kaq” – deklaroi kreu i demokratëve. Basha tha Fondacioni “Hanns Seidel” dhe përfaqësuesit e këtij fondacioni në Shqipëri vazhdojnë të japin një mbështetje të fuqishme Partisë Demokratike dhe Fondacionit për Liri dhe Demokraci në misionin tonë opozitar por edhe në misionin e ringritjes së vlerave, standardeve dhe normave perëndimore, europiane si në programin tonë opozitar ashtu edhe në alternativën tonë të nesërme për qeverisje. Po ashtu, Basha nuk la pa falenderuar dhe të pranishmit të cilët mbajtën fjalën e tyre në panel, ku folën rreth krizës së gjuhës së sotmë politike. “Falenderoj Fondacionin për Liri dhe Demokraci, Bordin e Fondacionit, Presidentin e Fondacionit z.Imami, të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë koncept, që i paraprin 25-vjetorit të rrëzimit të simbolit të diktaturës, shtatores së diktatorit Enver Hoxha pak metra më tej në mes të sheshit “Skënderbej” – shprehu lideri i opozitës Lulzim Basha.

 

Fjala e profesorit

Fuga: Populli është në ditë të hallit, qytetari po trajtohet si elektorat e si klient

Gjithashtu të pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishin historian, diplomatë dhe akademikë, ku  mes tyre Artan Fuga, që vuri theksin në deklaratën e tij tek demokracia e cila sipas tij ka pësuar goditje. “ Unë kam mendimin që në në vitet e fundit kjo çështje është bërë shumë serioze. Demokracia ka pësuar goditje. Nëpunësi dhe burokracia e militantëve e ka mundur qytetarin. Qytetari po kthehet në stadin politik të niveleve shumë të ulëta dhe po trajtohet si elektorat, si klient, si shqiptar, si popull, si popullsi, si banorë, si një person me të ardhura të pakta, që ngjan me kriminelin që ka tendencë për të shkelur ligjin” – bëri me dije akademiku Fuga, i cili po ashtu shtoi se edukimi filozofik, juridik, politik atje është në nivele ekstremisht të ulëta në këto vitet e fundit. “Ka ndodhur një proçes shumë i përshpjetuar çentralizimi burokratik në normën e gjoja një reforme territoriale që e shkëputi më shumë pushtetin lokal nga vendimmarrja qytetare, e qytetarit që nuk banon në qytet, por atij që banon në fshat, e qytetarit-fshatar. Me kalimin e kohës ne e humbëm qytetarin si keqbërës, vjedhës të energjisë elektrike, të mospaguash taksa dhe ndërtimesh pa leje”- theksoi Artan Fuga, ndërsa tha se politikat e korruptuara konçensionare kthyen në fuqi një model të tërthortë që nuk e njeh demokracinë ekonomike, s’ka lidhje fare. “Populli është në ditë të hallit. Ende nuk kemi akoma një referendum lokal, apo në një rast të dytë s’kemi asnjë referendum kombëtar. Konkurset e hapura për një gara të barabartë midis qytetarëve janë një farsë komike. Pra, qytetari është zhvlerësuar në një farë mënyre” – deklaroi akademiku Artan Fuga.

 

 

Share it :