Basha qilizëm PD-së/ Gati shkarkimi i kryetarëve të degëve të PD-së

Jetmir Olldashi

basha ne grupZgjedhje të reja në të gjithë vendin, PD bëhet me 61 degë

Partia Demokratike do të riorganizojë të gjitha strukturat e saj në degët lokale, duke shkarkuar praktikisht të gjithë kryetarët e degëve të zgjedhur vetëm një vit më parë. Rezultati i zgjedhjeve dhe nevoja për t’iu përshtatur reformës së re territoriale (të cilën opozita nuk e ka njohur), ka shtyrë lidershipin e selisë blu të “nxjerrë asin nga mëngët”. Burime të sigurta brenda grupit parlamentar bëjnë të ditur se në mbledhjen e mbajtur është diskutuar dhe është thënë se në vjeshtë do të nisë ristrukturimi total i degëve në rrethe. Një zgjidhje brilante nga pikëpamja politike e situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Statuti i PD-së parashikon mandate katërvjeçare për të zgjedhurit e degëve lokale. Për të mos krijuar konfuzion dhe pakënaqësi edhe më të mëdha është gjetur riorganizimi i partisë. Ka vetëm pak degë, të cilat nuk përfshihen nga ky ristrukturim i plotë i selisë blu. Kryesisht janë degët në veri të Shqipërisë, ku reforma administrative ka kthyer rrethet ekzistuese në Bashki.

 

Kukësi

Qarku i Kukësit nuk ndryshon strukturën organizative të tij, pasi ka vetëm 3 bashki, Hasin, Kukësin dhe Tropojën, të cilat i përgjigjen ndarjes aktuale. Nuk dihet nëse kryetari i Hasit do të japë dorëheqjen për shkak të rezultatit.

Shkodra

Malësia e Madhe mbetet siç është dhe mbetet në vullnetin e kreut lokal nëse do të ketë apo jo zgjedhje. Shkodra ndahet me Vaun e Dejës në dy degë të reja, çka do të thotë zgjedhje të reja brenda bluve në kryeqendrën e veriut. Dega e Pukës ndahet në dy dhe demokratët do të thirren edhe këtu të japin verdiktin e tyre.

Dibra

Në qarkun e Dibrës shtohet dega e PD-së Klos dhe rrjedhimisht shpërbëhet dhe votohet nga e para për drejtimin e Burrelit. Dibra dhe Bulqiza mbeten të pandryshuara dhe sërish do të varen nga vullneti i kryetarëve lokalë në detyrë për të dhënë ose jo dorëheqjen.

Lezha

Të pandryshuara mbeten edhe degët e qarkut Lezhë, ku secila bashki u përgjigjet respektivisht degëve përkatëse të Partisë Demokratike aktualisht, me Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën.

Durrësi

Zgjedhje dhe ristrukturim do të ketë në degën e Durrësit, ku përveç Bashkisë së këtij qyteti do të shtohet dhe dega e re e Shijakut, ndërsa do të mbetet e pandryshuar dega lokale e PD-së në Krujë.

Tirana

Tirana do të ketë kryetarin e saj të ri, pasi në ristrukturimin e një viti më parë, dega më e madhe në vend u la pa një kryetar, duke e shpërndarë përgjegjësinë në secilën njësi bashkiake dhe komunë. Degë të reja do të ketë në qarkun më të madh në vend në Vorë edhe në Kamëz, atje ku opozita arriti t’i mbijetonte trysnisë së madhe të pushtetit dhe ku kandidatët e saj fituan përballjet elektorale. Ndërsa pritet të mos ketë ndryshime në degët e Kavajës dhe Rrogozhinës.

Elbasani

Vetëm dega e Gramshit mbetet pa u prekur, ndërsa degët lokale të PD-së në Elbasan edhe Librazhd ristrukturohen duke krijuar 6 degë të reja. Elbasani, Belshi, Cërriku, Peqini, Librazhdi dhe Përrenjasi. Anëtarët dhe simpatizantët e partisë kryesore të opozitës do të thirren edhe një herë para kutive për të zgjedhur drejtuesit e tyre të rinj.

Korça

Në qarkun e Korçës mbeten pa ndryshuar Kolonja, Devolli dhe Pogradeci. Ndërsa dega aktuale e Korçës ndahet në dy degë së bashku me Bashkinë e re të Maliqit. Rezultatet e arritura në zgjedhje dhe debatet e publikuara të degës së Korçës janë një paralajmërim i një lufte të fortë mes të rinjve dhe të vjetërve në këto dy degë të reja të krijuara, sidomos në degën e re që do krijohet në Bashkinë e Korçës.

Fieri

Në qarkun e Fierit, Mallakastra dhe Patosi i shpëtojnë ristrukturimit, kjo për shkak të reformës administrative dhe rezultatit në 21 qershor. Ndërsa thirren në votime në degët e reja demokratët e Lushnjës dhe të Fierit për të krijuar degët e reja. Krijohen degët e reja të Fierit, Roskovecit, Divjakës dhe Lushnjës. Vota e demokratëve do të japë verdiktin për drejtuesit e rinj lokalë.

Berat

Qarku Berat mban të pandryshuar degën e PD-së në Kuçovë, ndërsa çon në votime Beratin dhe Skraparin. Krijohen degët e reja të Beratit, Urës Vajgurore, Skraparit dhe Poliçanit. Në një rreth si Berati ku përplasjet dhe akuzat nuk kanë munguar, pritet të ketë votime interesante, të cilat do përcaktojnë se kush do të jenë drejtuesit e rinj të PD-së.

Vlorë

Në qarkun e Vlorës krijohen disa degë të reja, ndërkohë që vetëm Delvina mbetet e pandryshuar. Vlora, Selenica, Himara, Saranda, Finiqi dhe Konispoli do të jenë degët e reja, çka do të thotë se ristrukturimi do të jetë i plotë dhe copëzues në degët aktuale të Vlorës dhe Sarandës.

Gjirokastër

Në Gjirokastër i gjithë qarku është për ristrukturim. Dega e Përmetit ndahet me Bashkinë e re të Këlcyrës, ndërsa Tepelena me Memaliajin, duke krijuar katër degë të reja të vogla. Ndërsa dega e Gjirokastrës ndahet në tri bijëza me Libohovën dhe Dropullin.

Ristrukturimi i plotë i PD-së kryesisht në jug të Shqipërisë bëhet sigurisht për të rritur efiçencën e strukturave për zgjedhjet në përballje me kundërshtarin, ndërsa një rrugë e dy punë largojnë edhe të gjithë drejtuesit aktualë vendorë. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk sollën ndryshime strukturore në riorganizimin e Partisë Demokratike, përveç degës së Tiranës, e cila u nda në degë sipas minibashkive përkatëse. Kjo lëvizje e zotit Basha de fakto i thërret sërish në kuti demokratët, duke u dhënë mundësi të korrigjojnë veten e tyre, nëse mendojnë se kanë gabuar, kur votuan të zgjedhurit e tyre para një viti.

 

Basha-Topalli, “lufta” vazhdon

Përplasje ka pasur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ku ish-nënkryetarja Jozefina Topalli ka akuzuar kryetarin Basha se ka nxjerrë disa krerë të degëve lokale të sulmojnë këtë të fundit. Sipas raportimeve mediatike dhe deputetëve brenda sallës së mbledhjes, Topalli ka thënë: “Kam folur ato që mendoj, PD i ka humbur zgjedhjet. Ti (kryetarit Basha) ke vendosur disa kryetarë degësh të më sulmojnë. Duhet bërë një analizë për rezultatin që morëm në këto zgjedhje. Duke nisur nga unë e para. Kjo që ndodhi nuk na erdhi në një ditë, as për një muaj”. Pas fjalëve të deputetes së PD-së ka reaguar deputeti Mhill Fufi, i cili i ka kujtuar Topallit promovimin që i bëri Lefteries së KQZ-së. “Ajo (Lefterie Lleshi) është bërë palë me pushtetin dhe për këtë duhen dhënë shpjegime”. Kryetari Lulzim Basha ka ndërhyrë duke thënë se nuk ishte momenti për të tilla diskutime, tjetër ishte çështja për të cilën ishte mbledhur grupi parlamentar. Ndërhyrja e Bashës i ka dhënë fund përkohësisht debatit, i cili duket se është aty i pranishëm dhe do të ravijëzohet në ditët që vijnë. “Standard” kontaktoi me zotërinjtë Ramiz Çobaj, Myslim Murrizi e Osman Stafa për të kërkuar një prononcim, pasi ata janë emrat e përfolur nga media se reaguan me statuse dhe shkrime kundër ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Zoti Osman Stafa na tha se “do të reagonte në ditët në vijim për këtë çështje dhe rezultatin e zgjedhjeve në përgjithësi për degën e Durrësit. Ndërsa nuk pranoi të komentonte zoti Ramiz Çobaj, kryetari i degës lokale të PD-së Shkodër dhe Myslim Murrizi i degës Lushnjë.

Share it :