Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi dje të gjithë qytetarët dhe politikanët e Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. “Kosova hodhi sot një hap historik në drejtim të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i MSA-së është një arritje madhore e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe një investim i sigurt për interesat kombëtare të shqiptarëve kudo ku janë. Urime Kosovë!”, – tha kryedemokrati. Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje reagoi dje edhe ish-kryeministri Berisha i cili theksoi se marrëveshja përbën kontratën e Kosovës me BE-në. “Marrëveshja u firmos nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Larte e BE. Për Pune te Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Mogherini si dhe ministri për çështje te integrimit europian Bekim Çollaku dhe komisionerit për zgjerimin dhe fqinjësinë, Johannes Hahn. Marrëveshja është kontrata e Kosovës me BE. Ajo shënon një arritje te madhe ne realizimin e endrres europiane te qytetareve te Kosoves, arkitektit te Kosoves se pavarur dhe europiane, Presidentit Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe luftëtareve te lirisë. Kjo marrëveshje e Kosovës, shtetit me te ri ne Evropë është lajm i gëzueshëm për mbare kombin shqiptar dhe është hap i madh dhe historik ne procesin e integrimit te saj ne BE. Urimeee!”, – u shpreh Berisha në FB.




