Bardhi-Ramës: Hajde jep llogari në Kuvend për lejet që ke firmosur per kullat
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka folur në lidhje me sektorin e ndërtimit në vend dhe ngritjen e kullave, si dhe deklaratat e Edi Ramës për keto të fundit.
Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi citoi raportin e DASH, i cili ngre shqetësimin për pastrimin e parave të krimit të organizuar përmes sektorit të ndërtimit, ndërsa i ka bërë thirrje Ramës të japë llogari në Kuvend për lejet e ndërtimit të firmosura nga vetë ai.
Sipas Bardhit, Rama firmos leje që të pastrohen paratë e pista të krimit të organizuar në vend dhe për këtë duhet të japë llogari.
“Çfarë thotë në raportin e tij, DASH për 2025? Grupet e krimit të organizuar të drejtuar nga shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë sipas autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit.
Këto grupe shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta në sofistimin e krimeve të tyre të teknikave të komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parasë. Ata përdorin ekonominë shqiptare, vecanërisht sektorin e ndërtimit për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion. Këtë se thotë më opozita por Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt e papranueshme nuk është të lidhësh sektorin e ndërtimit me paratë e krimit, e papranueshme është t’i japësh krimit në mënyrë të vazhdueshme leje ndërtimi.
Tani leje ndërtimi Artur Shehut në Vlorë që po e kërkon e gjithë bota si një nga krerët e një prej organizatave më të rrezikshme të trafikimit të lëndëve narkotike, i ka dhënë leje opozita apo Edi Rama. Ne ja kemi firmosur lejen për resortin luksoz në Vlorë apo Edi Rama?
Se pastaj kryetari i Kuvendit thotë se nuk është cështje e kryeministrit dhe nuk mund të vijë ai në interpelancë. Ai firmos leje që të pastrohen paratë e pista të krimit të organizuar në vend dhe nuk qenka një cështje shtetërore apo institucionale për kryeministrin”,- ka deklaruar Bardhi ndër të tjera.




