Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kontrolleve të SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen KAYO, mes tyre edhe në banesën e biznesmenit Ron Yeffet.
Sipas raportimeve, kontrollet janë kryer me kërkesë të SPAK dhe miratim të GJKKO-së, ndërsa hetimi lidhet me materialet audio të publikuara më herët dhe pretendimet për aktivitet të paligjshëm në fushën e armëve.
Në reagimin e tij, Bardhi është ndalur te një video ku Ron Yeffet shfaqet duke dalë nga Kryeministria, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien e biznesmenit me kryeministrin Edi Rama dhe rolin e tij në aktivitetet që lidhen me KAYO-n.
Sipas Bardhit, materialet e publikuara së fundmi nga emisioni “Çim Peka LIVE” përmbajnë të dhëna që ngrenë pyetje mbi interesin e Yeffet për ngritjen e një fabrike armësh në Afrikë.
Deputeti demokrat argumenton se, për shkak të natyrës së sektorit të mbrojtjes, marrëdhëniet mes zyrtarëve, kompanive dhe personave të përfshirë në këtë industri duhet të jenë të verifikueshme dhe transparente.
Në këtë kontekst, Bardhi i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama me disa pyetje lidhur me Yeffet dhe kompaninë shtetërore KAYO.
“Ron Yeffet, e njeh? Ke dëgjuar dhe di gjë se çfarë po bëhet me KAYO-n?”, shkruan Bardhi, duke ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi aktivitetin e kompanisë dhe rezultatet e saj.




