Bardhi: Kreu i SPAK gënjeu publikisht, ia dorëzoi drejtësinë Edi Ramës
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, se ka gënjyer publikisht dhe se ka dorëzuar drejtësinë në duart e Taulant Ballës.
Ai ka akuzuar drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme për standarde të dyfishta dhe ka kërkuar llogari për mënyrën se si po trajtohen çështjet që lidhen me korrupsionin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë.
Deklarata
Së pari, më duhet t’i risjell në kujtesë opinionit publik që atë që ndodhi dje, pra faktin që Prokuroria e Posaçme do të mbyllte në mënyrë gjysmake hetimet dhe do t’i drejtohej gjykatës, pra do të çonte dosjen në gjykatë, e kam paralajmëruar ekzaktësisht nga kjo sallë, në qershor të vitit 2026, ku kam informuar opinionin publik se, edhe pse ndaj Belinda Ballukut janë shtuar akuza shumë të rënda, ndoshta akuzat më të rënda ndaj një zyrtari të lartë publik që nga koha e krijimit të SPAK-ut, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kishte refuzuar dhe do të refuzonte që t’i ridrejtohej Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit.
Mirëpo, në versionin më të mirë dhe më dashamirës timin, nuk e kisha imagjinuar kurrë që zoti Braho dhe dy prokurorët e çështjes do të dilnin në një konferencë për shtyp dhe, përpara gazetarëve, do të pranonin hapur se si janë nënshtruar korrupsionit të Belinda Ballukut dhe të Edi Ramës.
Të dalësh përpara opinionit publik dhe të thuash që unë nuk i jam drejtuar më Kuvendit për të paraqitur kërkesë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, sepse kështu ma kanë lexuar ligjin dhe kështu më kanë urdhëruar pesë anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve, do të thotë t’ia kesh dorëzuar drejtësinë Edi Ramës, Taulant Ballës, Ulsi Manjës dhe anëtarëve të tjerë të Edi Ramës në Këshillin e Mandateve.
Së dyti, ka një mashtrim të rëndë publik të kryer nga kreu i Prokurorisë së Posaçme. Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar raport. Raporti i mazhorancës dhe ai i opozitës kanë ekzaktësisht të njëjtën vlerë: atë të rekomandimit për seancën plenare. Madje, ligji dhe Rregullorja e Kuvendit thonë që raporti nuk i nënshtrohet as diskutimit në seancë plenare, sepse është një dokument orientues, këshillues për deputetët, por nuk ka fuqi ligjore.
Ajo që ka fuqi ligjore është vendimi i Kuvendit për dhënien ose jo të autorizimit. Dhe vendimi i Kuvendit, numër 46 i vitit 2026, është ky. Këtu nuk ka asnjë rresht që Kuvendi të ketë miratuar raportin e shumicës në Këshillin e Mandateve.
Tani, pyetja ime është: pse për Klodian Brahon vlen më shumë opinioni i profesor Taulant Ballës, i profesor Niko Peleshit, i profesor Ulsi Manjës, i profesor Bledi Çuçit dhe i profesor Bledi Çomos sesa opinioni i pesë anëtarëve të tjerë të Këshillit, sepse Këshilli është organ këshillimor me anëtarësi të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës?
Po si mund të dalë një prokuror i Republikës dhe të thotë: “Unë do ta lexoj ligjin me syzet e Taulant Ballës dhe jo siç ligji është i shkruar dhe i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”?
Po si mund të thotë një prokuror i Republikës që unë nuk kërkoj arrestimin e Belinda Ballukut, edhe pse zyrtarisht argumentet që Edi Rama ka dhënë në Kuvendin e Shqipërisë nuk kanë qenë ato të raportit të shumicës?
Edi Rama ka pasur një pretendim që nuk ka akuzë për korrupsion, sepse, po të kishte akuzë për korrupsion, siç e ka thënë publikisht edhe në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca nuk do ta pengonte arrestimin e Belinda Ballukut.
Këtë ka thënë Edi Rama dhe ka argumentuar që, për veprën për të cilën ishte kërkuar arrestimi, prishjen e barazisë, shkeljen e barazisë në tendera, nga statistikat e paraburgimit nuk rezultonte të kishte qytetarë apo zyrtarë të tjerë që ishin në burg për këtë vepër penale. Ai e ka konsideruar të papërshtatshme, të paktën sipas argumenteve të tij, dhënien e autorizimit për arrestim.
Atëherë, pyetja është: ku shtohet akuza për korrupsion që ia heq alibinë Edi Ramës për mbrojtjen politike të Belinda Ballukut në Kuvend? Pse nuk vepron Prokuroria?
Na thanë që kanë përfunduar hetimet, por nuk na thanë: kutia e kuqe me euro e Belinda Ballukut ku ndodhet? Ku ndodhet kutia e kuqe me euro? A është konfiskuar, është sekuestruar kutia e kuqe me euro në vilën e pushimit të Belinda Ballukut në këto momente? A do t’u kthehen ato para qytetarëve shqiptarë?
Na foli për hapje me fraksione. Çfarë nevoje ka për të hapur me fraksion një çështje për të akuzuar Belinda Ballukun për aeroportin e Vlorës? Se kanë hapur tre çështje me fraksion, se është mjeshtër ky drejtuesi i ri i Prokurorisë për të hapur çështje me fraksion dhe për t’i çuar drejt çuarjes çështjet penale.
Çfarë nevoje ka për të hapur me fraksion një çështje tjetër për aeroportin e Vlorës? Aeroporti i Vlorës ka një dëshmi publike të biznesmenit që ka fituar koncesionin, se përpara hapjes së koncesionit është thirrur në zyrë nga Belinda Balluku dhe i është komunikuar që do të fitojë tenderin në bashkëpunim me një kompani turke. Madje, ministrja në detyrë ka guxuar t’i ndajë edhe aksionet, se sa aksione do të ketë njëri biznesmen dhe sa do të ketë biznesmeni tjetër.
Çfarë nevoje ka kjo për më shumë hetime, apo do të zvarrisim sa më shumë? Pse nuk na tha Prokuroria?
Na tha që ka dëm prej 55 milionë eurosh në tunelin e Llogarasë. Ku është akuza për korrupsion? Ku shkuan 55 milionë euro? Apo ia dha nga bujaria, falas, kompanive që fitoi Belinda Balluku?
Ja pra që hetimi ka qenë i paplotë. Dhe hetimi ka qenë i paplotë sepse Prokuroria nuk kërkoi heqjen e imunitetit në Kuvend për deputeten Belinda Balluku. Sepse, nëse do të kishte kërkuar heqjen e imunitetit, do t’i kishte në dorë të gjitha mjetet procedurale për të kryer një hetim të plotë, për kontroll personal ndaj Belinda Ballukut, për kontroll të banesës së Belinda Ballukut, që t’i gjente kutitë e kuqe me euro, për të cilat nuk dimë ku janë.
Na i tregon me foto Prokuroria, por nuk i ka sekuestruar ato para. Janë paratë e shqiptarëve ato dhe Prokuroria ekziston aty ekzaktësisht për këtë: për të vënë përpara përgjegjësisë personin që ka vjedhur shqiptarët, por edhe për t’ua kthyer paratë e vjedhura.
Po si ka mundësi që, në 1,1 miliardë euro tendera që ka paracaktuar Belinda Balluku, sipas Prokurorisë, vlera e korrupsionit të saj është gjithsej 1,8 milionë euro? Po kujt t’ia shesim këto?
Kemi thelluar hetimet. Çfarë ka thelluar Klodian Braho për dy vilat e sekuestruara? Ia kam thënë unë që në momentin e parë kur ka ardhur në Kuvend: shkoni në filan kompleks dhe filan kompleks në jug të Shqipërisë, sepse zonja disponon dy vila.
Çfarë hetimesh kanë thelluar këta? Hetim është të marrin dhe t’i bëjnë kontroll personal telefonit të Belinda Ballukut. Por meraku është që, po t’ia kontrollojnë telefonin Belinda Ballukut, del urdhëruesi i korrupsionit, që është Edi Rama, dhe nuk kanë guxim e kurajë profesionale për të shkuar te Edi Rama.
Ka dy të dhëna në atë dosje që e bëjnë drejtpërdrejt përgjegjës Edi Ramën. Ku i kanë hetimet për këto?
Po pse vetëm Belinda Balluku shkoi në Ankara për të takuar kompaninë turke të tunelit të Llogarasë, apo e kishte për dore Edi Rama dhe Edi Rama ishte në krye të tavolinës ku bëhej pazari për t’u vjedhur shqiptarëve plot 55 milionë euro, siç thotë vetë Prokuroria?
E pyetën këta Edi Ramën? Po a nuk janë komunikimet për të cilat e kanë akuzuar për shkelje të barazisë në tendera për rrugën në Porto Romano, Durrës, për lotin 3? Po a nuk janë komunikimet që kompaninë apo biznesmenin Ram Geci, Belinda Balluku dhe Edis Berberi e takonin me porosi të Edi Ramës dhe se porosia ishte që duhej të fitonte një tender? Dhe Belinda caktonte që t’i jepnin këtë të Porto Romanos, se 15 milionë euro tamam i ka.
A e pyetën këta Edi Ramën? A e thirrën Edi Ramën? Çfarë hetimesh kanë bërë këta?
Këta kanë hetuar aq sa u ka dalë përpara. S’kanë kryer asnjë hetim tjetër. Se, po të kishin kryer hetime të tjera, padyshim që do të kishin gjetur arkat e kuqe me euro që duhet të jenë plot në banesën e Belinda Ballukut, por nuk kanë guxuar të bëjnë kontroll banese. Madje, nuk guxuan as të bënin një kërkesë për t’i hequr imunitetin.
Prandaj përrallat me hetime të zgjeruara t’ia shesin dikujt tjetër, por jo shqiptarëve. Shqiptarët kanë pritur zbatimin e standardit të njëjtë për çdo zyrtar. Nuk mund të ketë një standard për Belinda Ballukun që e mbron Edi Rama dhe një standard për kundërshtarët e Edi Ramës apo këdo që do të lëshojë nga të vetët Edi Rama, sepse ligji është i barabartë për të gjithë dhe duhet të zbatohet njësoj nga Prokuroria.
Ose prokurori, drejtuesi i Prokurorisë, duhet të dalë dhe të thotë: “Kërkoj ndjesë shqiptarëve që herën e parë iu drejtova Kuvendit, sepse standardin e kisha kuptuar gabim. Nuk dija unë ta lexoja ligjin. Ligjin e lexon më mirë Taulant Balla”. Dal dhe ta thotë këtë. T’u kërkojë falje shqiptarëve.
Por s’mund të thotë: “Vendimi i Kuvendit është i padrejtë, vendimi i Kuvendit është i paligjshëm. Kuvendi ka marrë atributet e Prokurorisë dhe të gjykatës. Po unë do ta lexoj ligjin sot e në vijim siç më urdhërojnë Taulant Balla, Ulsi Manja, Niko Peleshi e anëtarët e tjerë të Edi Ramës në Këshillin e Mandateve”.
Ky është dorëzimi i drejtësisë, edhe të SPAK-ut, në duart e Edi Ramës dhe është një dëm i jashtëzakonshëm që i është bërë besimit që qytetarët duhet të kenë te drejtësia dhe te Prokuroria e Posaçme.
Pastaj, çështjet e tjera që kanë hapur, edhe thashethemet që hapin lart e poshtë se do të sjellim kërkesë për këtë çështjen tjetër, se kemi bërë këtë, kemi bërë atë, këto janë përralla.
Akuzën për korrupsion, pastrim parash dhe për 15 krime të kryera nga Belinda Balluku e kishin aty dhe kishin detyrimin t’i drejtoheshin Kuvendit. Nëse Kuvendi, me vullnetin politik të Edi Ramës, do ta rimbronte Belinda Ballukun, i mbetej përgjegjësia atij. Por SPAK-u ka detyrimin të zbatojë ligjin, ka detyrimin të zbatojë standardin që ka vendosur vetë, ka detyrimin të zbatojë parimin e barazisë përpara ligjit, të cilin në rastin konkret nuk e ka zbatuar.




