Bankierët si dekor për autokratin

Bankierët si dekor për autokratin

Në histori, sa herë që regjimet përballen me lëkundje të forta legjitimiteti, skenografia e pushtetit zhvendoset nga zyrat qeveritare drejt institucioneve që rrezatojnë “stabilitet” dhe “neutralitet”.

Takimi i fundit i Edi Ramës me drejtuesit e bankave private dhe Guvernatorin në ambientet e Bankës së Shqipërisë është shembulli klasik i përdorimit të sistemit financiar si një mburojë propagandistike dhe si fasadë për të legjitimuar masa me natyrë autoritare.

Duke i pozicionuar bankat si “gardiane të kursimeve të qytetarëve”, pushteti tenton të bëjë një lojë të rrezikshme: ta shndërrojë revoltën qytetare nga një reagim politik kundër keqqeverisjes, në një sulm imagjinar ndaj stabilitetit financiar të vendit.

Kjo lloj skenografie kërkon të krijojë perceptimin se pas protestuesve nuk qëndron dëshpërimi ekonomik, por një “histeri” që kërcënon xhepat e çdo shqiptari.

Ajo që e bën këtë skenë edhe më të rëndë është nënshtrimi pa kushte i vetë liderëve të biznesit bankar. Në vend që të ruanin pavarësinë dhe distancën e domosdoshme nga axhenda politike e ekzekutivit, bankierët u rreshtuan si statistë në teatrin e kryeministrit.

Ky portal ishte i pari që u rreshtua në krahun e bankave, kur degët e tyre u sulmuan nga një pjesë e protestuesve. Por qëndrimi kokëulur përballë një fjalimi ku qytetarët e revoltuar etiketohen si “ekstremistë” dhe “kriminelë lagjesh”, nuk të bën bankier, por dekor të regjimit dhe noter të propagandës zyrtare.

Ajo që u shit si një takim solidariteti për xhamat e thyer të zyrave, ishte në fakt një varkë shpëtimi për të nxjerrë nga izolimi autokratin, në një kohë kur dyert e dialogut me grupet e tjera shoqërore, pedagogët, studentët dhe zërat kritikë duken të mbyllura dhe kur pak kush pranon të ulet përballë tij pa kushte.

Aq më keq, kur e gjitha shërbeu si një platformë për të artikuluar kërcënime të pashembullta ndaj zërave kritikë. Mes rreshtave të retorikës për “dhunë të orkestruar” dhe “forca të huaja”, u hodhën hapur ide që prekin liritë themelore të njeriut, siç është paralajmërimi skandaloz për ndalimin e daljes jashtë shtetit për ata që marrin pjesë në tubime.

Mesazhi i koduar është i qartë. Në regjimet moderne, asfiksia e qytetarit nuk bëhet vetëm me polici, por edhe me izolim administrativ e financiar. Kur një kryeministër kërcënon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe elita financiare qëndron në heshtje rreth tij, ajo heshtje kthehet në bashkëfajësi të plotë. Ata po pranojnë që levat e kontrollit bankar të shndërrohen në armë shantazhi kundër kujtdo që guxon të ngrejë zërin.

Asnjë fasadë e kuruar me kostume të shtrenjta dhe asnjë mbledhje me dyer të mbyllura nuk mund të fshehë arsyet reale pse qytetarët janë në rrugë: varfëria, çmimet e papërballueshme të jetesës, korrupsioni galopant me tenderat dhe pastrimi i parave që ka deformuar ekonominë.

Përpjekja për të fshehur këtë realitet dramatik pas mureve të institucioneve financiare praktikisht i nxjerr bankat në të njëjtin pozicion interesi me pushtetin: ruajtjen e status-kuosë me çdo çmim, duke përdorur frikën si mjetin e fundit të kontrollit. Sepse çdo tentativë për t’i dhënë autokratit legjitimitetin, që rruga dhe qytetarët po ia refuzojnë, të bën palë.Kapitali

Share it :