Baloteli harron lotët: Dua të jem më i keq

Jurges Veizaj

 

Sulmuesi italian është shprehur në një intervistë të dhënë duke u shprehur për jetën e tij në Angli

 Ndërsa Prandeli është shprehur se lotët e lojtarit milanist në ndeshjen me Napolin tregojnë se ai është njeri si gjithë të tjerët

 

milan_2469970b Sa herë që Balo flet, të gjithë heshtin. Kjo, pasi lojtari është gjithmonë i drejtpërdrejtë në ato që thotë dhe ndonjëherë befason. Një befasi që mundohet ta tregojë në çdo veprim që kryen. Më së fundi lotët ndaj Napolit ishin një veprim i veçantë, por duket se çdo gjë ai e ka hedhur pas krahëve. Lojtari gjithashtu është munduar që edhe në intervistën e radhës të lërë opinionet e tij mbi aventurën që ai e quan futboll. Mario ka dhënë një intervistë për revistën “FourFourTwo”, e cila do të botohet e plotë në numrin e muajit mars, por revista ka publikuar disa deklarata interesante të sulmuesit të Milanit dhe kombëtares italiane. “Më mungojnë tifozët e Mançester Sitit, por do t’ju them çfarë nuk më mungon: ushqimi, moti dhe mënyra e çmendur se si duhet të ngasësh makinën në Angli. Por, po, tifozët më mungojnë. Por edhe këta të Milanit janë shumë të mirë. Dua të them se pjesa më e madhe e kujtimeve të mia nga koha e “Citizens” janë me të vërtetë të lumtura. Nuk ishte një shok i madh kulturor të shkoje në Angli dhe nuk ka diferencë shumë të madhe mes dy klubeve”, – është shprehur sulmuesi Italian.

 

Prandeli: Lotët e Balotelit, njerëzorë

Përzgjedhësi i Italisë, Çezare Prandeli, komentoi mbi lotët e Mario Balotelit në ndeshjen ndaj Napolit dhe tha se nuk janë shenjë për dobësinë e tij. Sulmuesi italian ishte emocional në momentin e zëvendësimit në ndeshjen të cilën Milani e humbi me rezultat 3-1. Fillimisht, u spekulua se reagimi i tij ishte pasojë e abuzimeve racore të tifozëve vendas. Mirëpo më vonë u tha se arsyeja e vërtetë ishte për faktin se në javën e kaluar ai mësoi se ishte babai biologjik i Pias, vajzës së ish-të dashurës së tij Rafaela Fiko. “Ai e ka pranuar së fundmi vajzën e tij, por unë nuk dua të përzihem në jetën e tij personale për çështje respekti. Mendoj se ai ishte i mbingarkuar nga emocionet e forta në Napoli. Ai është i ri dhe nuk mund ta kontrollojë gjithmonë presionin e jashtëzakonshëm. Lotët e tij nuk ishin shenjë dobësie, ata treguan se ai është njeri. Lotët japin një mesazh të mirë, superheronjtë nuk ekzistojnë. Ai tregoi se e kupton brishtësinë e të qenit njeri sikur çdokush tjetër”, – ka deklaruar Prandeli për “Tuttosport”.

 

 

Roben: Edhe Bajerni do të humbë

Holandezi thotë se bavarezët kanë pak mundësi që të ruajnë rekordin si të pamposhtur në Bundesligë deri në fund të sezonit. Kampionët e Gjermanisë kanë fituar 18 nga 20 ndeshjet e zhvilluara dhe kanë barazuar në dy. Ndryshe nga Frank Riberi, që deklaroi se Bajerni synon të mbetet i pamposhtur deri në fund të sezonit, Roben mendon se ata do të dështojnë në këtë drejtim. “Ne do të pësojmë disfatë sërish në ndonjë moment. Me çdo fitore të shënuar, rreziku për të pësuar rritet. Megjithatë, kjo përfundimisht nuk do ta dëmtojë ecurinë tonë. Rekordet nuk na interesojnë. Gjithë çfarë duam ne është t’i fitojmë ndeshjet. Ne nuk mendojmë se sa ndeshje kemi fituar radhazi ose sa gjatë ka kaluar që nga disfata jonë e fundit. Asgjë nuk na është dhuruar dhe na takon neve të punojmë fuqishëm për të arritur sukses”, – është shprehur lojtari.

 

 

Hazard nuk interesohet për PSG-në

Belgu Hazard ka mohuar spekulimet të cilat e lidhin atë me parisienët e Francës. Për momentin ai u shpreh se është i përqendruar vetëm te Çelsi. Belgu ka qenë në formë të mahnitshme së fundi, duke shënuar hat-trick në sfidën ndaj Njukastëllit për të çuar në 12 numrin e golave në Premier Ligë këtë sezon. “Është mirë të lexoj se Paris Sent-Zhërmeni është i Interesuar për mua, por unë nuk shqetësohem. Kurrë nuk kam menduar të largohem nga Çelsi. Ndihem mirë te ky klub dhe ende kam shumë për të dhënë këtu. E di shumë mirë se çfarë kam në mendje. Askush nuk do ta ndryshojë atë. Qëllimi im është të jem më i miri me Çelsin”, – është shprehur mesfushori për “L’eqipue”.

 

 

 

Vengeri mbron Ozilin, pas kritikave

 

Arsen Venger ka mbrojtur mesfushorin Mesut Ozil, duke thënë se ai është një “lojtar i jashtëzakonshëm”. Gjermani nuk ka shënuar në tetë ndeshjet e fundit në Premier Ligë dhe ka dështuar të japë ndonjë asist që nga muaji dhjetor. Ozil u kritikua nga media të caktuara edhe pas disfatës 5-1 të “topçinjve” nga Liverpuli të shtunën, pas dy humbjeve të topit të cilat rezultuan me dy golat e shpejtë të “redsave”. Megjithatë, Venger thotë se gjermani nuk ishte aspak më i keq se lojtarët e tjerë në disfatën turpëruese të sfidës. “Ai punon shumë për t’iu përshtatur Premier Ligës. Për mua ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai Ishte si të gjithë të tjerët gjatë të shtunës. Punon shumë fuqishëm në stërvitje për t’u përmirësuar vazhdimisht”, – është shprehur tekniku francez.

 

 

 

Skolari lë jashtë Kakanë dhe Hernanesin

Është publikuar lista e lojtarëve brazilianë që luajnë në Evropë të grumbulluar për miqësoren e 5 marsit ndaj Afrikës së Jugut dhe bie në sy se në këtë listë nuk ka asnjë lojtar nga Seria A. Luiz Felipe Skolari ka lënë jashtë emra si Kaka, Robinjo, Maikon dhe Hernanes, por ka sqaruar se kjo nuk do të thotë që ata do të mungojnë me siguri në botëror.

Lista e “Seleçaos” me lojtarët që luajnë në Evropë është si më poshtë:

Portierë: Zhulio Sezar (QPR)

Mbrojtës: Tiago Silva (PSG), David Luiz (Çelsi), Dante (Bajern Mynih), Dani Alvesh (Barcelona), Rafinja (Bajern Mynih), Marselo (Real Madrid)

Mesfushorë: Luiz Gustavo (Volfsburg), Paulinjo (Totenhem), Fernandinjo (Mançester Siti), Ramires (Çelsi), Oskar (Çelsi), Uillian (Çelsi)

Sulmues: Hulk (Zenit), Bernard (Shakhtar Donetsk), Nejmar (Barcelona)

 

 

Share it :