Balliu: Qeveria garanton pastrimin e parave, karte

Balliu: Qeveria garanton pastrimin e parave, karte

Deputeti i PD, Klevis Balliu u shpreh se Shqipëria është shndërruar në një narko-shtet, ku kartelet e drogës veprojnë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me qeverinë për të kontrolluar ekonominë, zgjedhjet dhe institucionet e vendit.

I ftuar në Syri TV, Balliu akuzoi qeverinë Rama se ka ndërtuar një aleancë me krimin e organizuar, ku pushteti garanton mosndëshkimin dhe pastrimin e parave të drogës, ndërsa në këmbim përfiton mbështetje elektorale dhe financiare.

Deputeti theksoi se, miliarda lekë të qytetarëve shpërdorohen përmes tenderëve të fryrë, ndërsa paratë e karteleve pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, duke rritur në mënyrë artificiale çmimet e apartamenteve dhe duke e bërë të pamundur jetesën për familjet shqiptare.

Balliu ngriti gjithashtu alarmin për kriminalizimin e të rinjve, të cilët, po shtyhen drejt emigrimit ose rrjeteve të trafikut të drogës, si pasojë e një ekonomie dhe sistemi që favorizon krimin në dëm të qytetarëve të ndershëm.

Balliu: Së pari, duhet të kuptojmë rëndësinë e këtij termi dhe të kuptojmë gravitetin e situatës që po përjetojnë qytetarët shqiptarë, kur tashmë faktohet përfundimisht se Shqipëria është një narko-shtet. Narko-shtet do të thotë që kartelet e drogës komunikojnë vazhdimisht dhe kanë një projekt dhe program, qoftë elektoral, qoftë monetar, me pushtetin politik, me qeverinë qendrore. Në këtë aspekt, kjo marrëdhënie vendos se çfarë bëhet me paratë dhe taksat e qytetarëve shqiptarë dhe se çfarë interesash apo projektesh duhet të ndërtohen për vendin, që prekin qytetarët. Besoj se nuk ka nevojë për shumë shpjegime për asnjë qytetar kur themi se një projekt që vjen nga një kartel droge nuk mund të jetë në dobi të qytetit, të shtetit apo të vetë qytetarëve. Ai është aty thjesht dhe vetëm për pastrimin e parave dhe për shkatërrimin e tregut ekonomik, çka sjell rritjen e çmimeve që janë të papërballueshme dhe prandaj ndihen më së shumti tek blerja e apartamenteve apo në turizëm, ku sot kemi çmime shumë herë më të larta se edhe vetë Greqia, e cila ka turizmin shumë më të avancuar, fatkeqësisht. Sepse turizmi përdoret për pastrimin e parave të drogës dhe po njësoj përdoret edhe fusha e ndërtimit.

Së dyti, kjo marrëdhënie e qeverisë me kartelet krijon pasiguri për jetën e qytetarëve. Pse pasiguri për jetën e qytetarëve? Në marrëdhënien dhe në marrëveshjen që ka pushteti politik me krimin e organizuar, thelbi është gjithmonë tek mbyllja e syve përballë krimeve të këtij pushteti kriminal, të karteleve të drogës. Kjo është arsyeja pse ka pafundësisht vrasje në Shqipëri që mbeten të pazbardhura. Po ashtu, kjo është arsyeja pse, pavarësisht fletëarresteve që dalin një herë në katër ditë, nuk ka ekzekutim të tyre, sepse banditët apo kriminelët largohen pasi njoftohen nga po ata që nxjerrin fletëarrestet. Pra, kemi një polici që duhet t’i arrestojë, por që njëkohësisht i lajmëron ata që po vijnë t’i arrestojnë. Kjo ka krijuar pasiguri për jetën e çdo qytetari shqiptar, ka krijuar pasiguri ekonomike dhe, mbi të gjitha, ka dëmtuar dhe ka shkatërruar sistemin demokratik, sepse kur qeveria garanton mbylljen e syve përballë krimeve të karteleve…

Kur qeveria garanton pastrimin e parave të karteleve, ajo kërkon mbrapsht nga kartelet mbështetje elektorale: presione gjatë zgjedhjeve, para që hidhen gjatë zgjedhjeve. Këto janë arsyet dhe kjo është marrëveshja që krijon qeveria Rama me kartelet e drogës, të cilat më pas kanë ndërtuar atë që ne e quajmë sot narko-shtet. Karteli vendos për prokurime të ndryshme, siç ishte rasti i Ergys Agasit tek AKSHI, që vendoste që një tender të kalonte nga 2 milionë në 4 milionë euro. Këto 2 milionë që kalojnë në 4 milionë janë paratë, taksat e qytetarëve. Askush nuk flet për këto, përveç opozitës. Këto para që pastrohen në fushën e ndërtimit janë të karteleve. Po të njëjtat kartele i pastrojnë, por askush nuk flet për to. Ato para që përdoren nga të rinjtë që ndërtojnë kulla apo resorte me qindra miliona euro në Shqipëri, janë po ashtu prestanome të karteleve të ndryshme të drogës.

Në këtë aspekt, pasiguria për jetën, pasiguria ekonomike, shkatërrimi i sistemit demokratik dhe i pluralizmit, duke shkatërruar procesin elektoral, që është procesi më i rëndësishëm në një shtet demokratik, ka sjellë degradim deri në atë pikë sa sot është e pamundur të blesh një shtëpi. Pjesa më e madhe e të rinjve ka zgjedhur largimin për shkak të pasigurisë, por kjo ka shkatërruar edhe mentalitetin e shoqërisë. Dhe kjo ka shumë rëndësi.

Në qoftë se ju kujtohet, para një jave kam bërë një deklaratë publike ku konfirmuam se të rinjtë shqiptarë, mosha 18–19 vjeç, po rekrutoheshin nga kartelet për të shitur drogë në Evropë, nga të njëjtat kartele shqiptare që bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare. Ata që po vuajnë më së shumti narko-shtetin janë pikërisht të rinjtë. Jo vetëm që po inkriminohen dhe po drejtohen rrugës së drogës, pasi vetë qeveria i ka marrë 18-vjeçarët dhe i ka çuar të punojnë në krim, por ekonomia e tregut në Shqipëri, që sot është ekonomi e karteleve, është shkatërruar. Është e pamundur të punosh sot në një punë të ndershme dhe të ecësh përpara. Një i ri në administratë, ku rrogat janë të larta, do të merrte rreth 600–700 mijë lekë në muaj. Në të njëjtin qytet të Tiranës nuk mund të blente një apartament në asnjë zonë. As bankat nuk do t’i mundësonin kredi për shkak të pagesave të larta. Kjo shkatërrim ekonomik i ka detyruar të rinjtë të largohen ose të ndjekin rrugën e keqe.

Mosha mesatare e atyre që kanë mbetur të vdekur nga atentatet mafioze është rreth 30 vjeç, një brez i rritur nën pushtetin e Edi Ramës. Edi Rama ka kriminalizuar gjithçka përveç institucioneve të shtetit dhe tani kërkon të inkriminojë mentalitetin e shoqërisë, duke e bërë të duket se trafikanti i drogës nuk është aq i keq, por thjesht një “çun i shkathët”. Këto justifikime i dëgjojmë nga pseudo-analistë. Kam dëgjuar njerëz që justifikonin Suel Çelën nëpër televizione dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që thonin se problemi nuk janë kartelet e drogës, por keqkuptimi që është krijuar në shoqëri. Këto absurditete kërkojnë inkriminimin e shoqërisë, ku krimineli del i mirë, ndërsa ai që e denoncon kriminelin shihet si një njeri jashtë mode, aut… dhe i vetëdopuar sot.

Share it :