Auditorët e BE ‘nxijnë’ Shqipërinë: Projektet e transportit, të ngadalta dhe të pambikëqyrura

Auditorët e BE ‘nxijnë’ Shqipërinë: Projektet e transportit, të ngadalta dhe të pambikëqyrura

Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, rrezikon të mos përfundojë brenda vitit 2030 lidhjen e saj me rrjetin kryesor europian të transportit, për shkak të vonesave të gjata në zbatimin e projekteve, mangësive në përzgjedhjen e tyre dhe problemeve me mbikëqyrjen.

Shqetësimi vihet në dukje në një raport i ri i Gjykatës Europiane të Auditorëve, ECA, i cili vlerësoi se projektet e transportit në rajon po përparojnë me ritme shumë më të ngadalta nga sa kërkohet për përmbushjen e objektivave të kësaj dekade.

Shqipëria është një nga gjashtë përfitueset e Kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor, WBIF, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Përmes kësaj platforme, Bashkimi Europian mbështet përgatitjen dhe financimin e projekteve strategjike në transport, energji dhe sektorë të tjerë.

Nga viti 2015 deri në mesin e vitit 2025, Komisioni Europian pagoi 527 milionë euro për projektet e transportit në rajon, duke qenë kontribuuesi kryesor i WBIF-së. Financimet synojnë të zvogëlojnë hendekun e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor dhe të lidhin vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, me rrjetin kryesor europian të transportit.

Megjithatë, sipas auditorëve, dobësitë në përzgjedhjen e projekteve dhe mungesa e gatishmërisë për zbatim e tyre kanë sjellë vonesa të konsiderueshme. Projektet e audituara nisën mesatarisht 17 muaj më vonë nga sa ishte parashikuar, ndërsa shumë prej tyre u përballën gjatë zbatimit me vonesa që kalonin dy vjet.

Një projekt konsiderohet i gatshëm për zbatim kur puna përgatitore është përfunduar, dokumentacioni është i përditësuar dhe çështjet teknike, financiare dhe administrative janë zgjidhur. Sipas ECA-s, në shumë raste financimi është miratuar përpara se projektet të kishin arritur këtë fazë.

“Sa i përket zgjerimit të BE-së, infrastruktura e zhvilluar mirë është një hap drejt përmbushjes së kritereve të pranimit. Projektet e transportit të Ballkanit Perëndimor po përparojnë shumë ngadalë për ta lidhur rajonin me BE-në gjatë kësaj dekade”, tha Laima Andrikienė, anëtare e ECA-s përgjegjëse për raportin.

Ajo kërkoi që Komisioni Europian të përmirësojë përzgjedhjen dhe monitorimin e projekteve, të garantojë qëndrueshmërinë e investimeve dhe të rrisë dukshmërinë e financimeve të BE-së në rajon.

Raporti evidenton se Komisioni Europian ka pasur mundësi të kufizuara për të imponuar zbatimin në kohë të projekteve. Sipas auditorëve, mungojnë procedura të efektshme për monitorimin e vonesave, ndërsa nuk është mbledhur informacion i plotë mbi nivelin e përfundimit të korridoreve të transportit ose mbi përputhjen e tyre me standardet europiane.

Komisioni është mbështetur kryesisht te institucionet financiare për mbikëqyrjen e projekteve, por në disa raste kontrolli i tyre ka qenë i pamjaftueshëm. Si rezultat, janë kryer edhe pagesa që nuk justifikoheshin plotësisht nga progresi real i punimeve.

Auditorët konstatuan gjithashtu se disa grante të ËBIF-së nuk kanë qenë vendimtare për realizimin e investimeve. Në raste të caktuara, marrëveshjet e huasë ishin nënshkruar përpara aplikimit për grant, çka tregon se projekti do të kishte vijuar edhe pa mbështetjen financiare të BE-së.

Për Shqipërinë, këto problematika janë veçanërisht të rëndësishme, pasi përmirësimi i lidhjeve rrugore dhe hekurudhore me vendet e rajonit dhe me Bashkimin Europian është pjesë e procesit të integrimit dhe e përpjekjeve për të rritur tregtinë, lëvizjen e qytetarëve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Megjithatë, ritmi aktual i punimeve tregon se Shqipëria dhe pjesa tjetër e rajonit nuk janë në rrugën e duhur për të përmbushur deri në vitin 2030 të gjitha standardet e kërkuara të rrjetit kryesor europian të transportit./ Monitor

Share it :