Audiopergjimi/ Ahmetaj: Po tentojnë të grabisin gazin për Ron Yefet

Audiopergjimi/ Ahmetaj: Po tentojnë të grabisin gazin për Ron Yefet

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar një tjetër audiopërgjim gjatë intervistës për “Çim Peka LIVE”, duke ngritur akuza për një përpjekje të dyshuar për marrjen e kontrollit mbi gazin e Delvinës.

Sipas Ahmetajt, në audiopërgjim dëgjohet biznesmeni izraelito-shqiptar Ron Yefet në komunikim me dy persona, një ukrainishtfolës dhe një rusishtfolës. Ai pretendon se këta persona janë të përfshirë në një skemë që synon “grabitjen e Delvinës” dhe kalimin e saj në favor të Yefetit.

Ahmetaj e lidhi këtë pretendim me atë që ai e quan “koncepti KAYO”, duke akuzuar se shteti krijon kompani ku pjesa shtetërore është minoritare dhe më pas aktiviteti dhe fondet publike kanalizohen drejt kompanive private.

“Bëhet fjalë për grabitjen e Delvinës me të njëjtin koncept, konceptin KAYO”, deklaroi Ahmetaj, duke pretenduar se prej më shumë se 9 muajsh po tentohet të realizohet kjo skemë.

Sipas tij, në audiopërgjim përmendet edhe nevoja për investime teknike, ndërsa ai pretendon se një nga personazhet e bisedës shprehet se nuk ka nevojë për para dhe se duhet të ndërtohet vetëm pjesa teknike.

Ahmetaj përfshiu në denoncimin e tij edhe drejtues të sektorit të mbrojtjes, duke përmendur Ermal Nufin, të cilin e identifikoi me pseudonimin “Ermal Raketa”. Ai pretendoi se ky i fundit ka pasur më herët rol drejtues në KAYO dhe më pas është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Ish-zëvendëskryeministri paralajmëroi se do të vijojë me publikimin e materialeve të tjera, duke pretenduar se audiopërgjimi i publikuar është vetëm pjesa e parë e një serie materialesh.

Share it :