Atentati ndaj Fredo Berberit Familjarët, dyshime se ngjarja ka prapavijë politike

Anxhela Tato

 

Reagimi: Ngjarja, një sulm i mirëfilltë terrorist, Fredo, një rival shumë i fortë për kundërshtarët

 Ditën e ngjarjes, kryekomunari ishte në lokalin e tij duke pirë kafe, lëvizi për të shoqëruar një shok

  

fredo berberiFamiljarët e Fredo Berberit e cilësojnë si një akt terrorist atentatin, ndërsa shprehen se nuk dinë kujt t’ia drejtojnë gishtin dhe i vetmi dyshim është se ky krim ka prapavijë politike. Më tej ata sqarojnë se ditën e ngjarjes, Fredoja ndodhej në lokalin e tij në Nartë, duke pirë kafe, dhe gjithë kohës ka lëvizur me automjetin e Komunës. Ata e përshkruajnë të afërmin e tyre si një njeri mjaft të qetë, të përkushtuar ndaj punës dhe si një rival të fuqishëm për palën kundërshtare. Për të afërmit atentati ka qenë me qëllim vrasjen e Fredo Berberit, por fatmirësisht nuk ia kanë arritur qëllimit. Ndërkaq, gjendja shëndetësore e kryekomunarit është e qëndrueshme pas ndërhyrjes kirurgjikale. Fredo Berberi vijon të jetë nën kurimin dhe kontrollin e mjekëve të Spitalit Ushtarak, por ende nuk mund të thuhet se rrezikshmëria ka kaluar, pasi kryekomunari ka plagë dhe dëmtime që iu shkaktuan nga depërtimi i materialeve metalike gjatë shpërthimit të lëndës eksplozive.

 

Dëshmia

 “Jemi ende të tronditur nga kjo ngjarje dhe nuk mund ta besojmë. Nuk e kuptojmë arsyen, pasi Fredo nuk ka as konflikte dhe as probleme me askënd. Gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar dhe fatmirësisht ai shpëtoi. Ne mendojmë se sulmi ishte me qëllim që ta vrisnin, por nuk dimë kujt t’ia vëmë gishtin. Jemi ende duke i bërë pyetjes vetes se përse ka ndodhur një gjë e tillë dhe sado të mendohemi nuk arrijmë dot të gjejmë një përgjigje. kështu që e vetmja gjë që mund të mendojmë është se ngjarja mund të ketë prapavijë politike, ky është i vetmi dyshim yni. Fredon e do gjithë komuniteti në Vlorë dhe nuk ka probleme me askënd. Ai është një njeri i përkushtuar pas punës dhe shumë pozitiv. Gjithashtu, ai është një rival shumë i fortë politik për palën kundërshtare. Sipas nesh, ky atentat është një sulm i mirëfilltë terrorist. Ditën që ndodhi ngjarja, Fredo ishte në Nartë, në lokalin e tij me një kryetar tjetër, duke pirë kafe. Pasi është ndarë nga ai, Fredo ka hipur në makinë dhe është nisur për Skelë, që të shoqëronte deri diku një mik të tijin. Nuk e dimë fiks se ku ndodhej i ulur Fredo, por ai lëvizte me makinën e Komunës dhe jo me automjetin e tij personal. Pra, ne nuk dimë se kujt t’ia drejtojmë gishtin si të dyshuar për këtë ngjarje kaq të rëndë, që është bërë nga një person profesionist. Na mbeten vetëm të dyshojmë se kjo është e qëllimshme me nuanca politike”, – kanë reaguar familjarë të kryekomunarit.

 

Hetimet

 Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me blutë e Vlorës, është duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Ndërsa pritet që brenda pak ditësh të jenë gati tabulatet telefonike të Fredo Berberit për të zbuluar identitetin e personit, me të cilin kryekomunari ka debatuar ashpër në celular ditën e ngjarjes. Ndërsa në mbetjet e lëndës eksplozive nuk janë gjetur gjurmë gishtash, që të çonin në identifikimin e autorit. Nga ana tjetër në pamjet filmike të marra në dorëzim nga blutë nuk konstatohet ndonjë makinë ose person i dyshimtë në rrugën ku duket automjeti i kryekomunarit. Dyshimi i bluve është që kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me detyrën e kryekomunarit, pavarësisht nga këmbëngulja e familjarëve për mohimin e konflikteve, fakt i konfirmuar edhe nga vetë punonjësit. Paralelisht me këtë pistë po hetohet edhe konflikti i pronësisë. Të dyja këto pista janë në verifikim e sipër dhe momentalisht nuk ka ende të dhëna të sakta që mund ta çojnë policinë në drejtimin e duhur për zbardhjen e ngjarjes.

 

 

Maskat

Grabitja brenda 10 sekondash, dyshohet se hajdutët mund të jenë banorë të zonës

 

Kanë mjaftuar vetëm 10 sekonda që tre grabitësit të vidhnin çdo gjë që kanë gjetur në një pikë të telefonisë celulare AMC. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku tre persona me maska kanë thyer xhamin e derës dhe janë futur brenda. Duke shfrytëzuar mungesën e energjisë elektrike në zonën e “Vasil Shantos”, hajdutët kanë marrë dhjetë telefona të markës Iphone dhe dy laptop. Nga ana e forcave të policisë dyshohet se autorët e kësaj ngjarjeje mund të jenë grabitës me precedentë të mëparshëm penalë, të cilët e njohin shumë mirë këtë zonë, si dhe nuk përjashtohet mundësia që grabitja të jetë kryer nga banorë të zonës, të cilët dinin shumë mirë oraret e mungesës së energjisë elektrike si dhe momentin se kur mund të mësynin në dyqan. Nga ana e bluve janë marrë shenjat e gishtave të gjetura në dyqan, të cilët do të dërgohen në laborator për analiza. Ende nuk dihet nëse gjurmët e gjetura i përkasin grabitësve apo punonjësve, ku këtyre të fundit i janë marrë shenjat e gishtave për t’u krahasuar me ato të gjetura në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë dy djem të maskuar që futen në dyqan dhe marrin çdo gjë që gjejnë. Ndërkohë banorë të zonës nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë, ndonëse momentin kur u regjistrua krimi ishte pas mesnate. Në mëngjes punonjësit kanë gjetur xhamin e thyer dhe dyqanin bosh, duke njoftuar menjëherë blutë. Punonjës të komisariatit numër 2 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke mbledhur të gjitha provat që mund të ndihmojnë në zbulimin e autorëve. Sipas bluve, mekanizmi i ngjarjes ka qenë që njëri nga grabitësit ka ndenjur jashtë për të sinjalizuar shokët, nëse do të kishte lëvizje të dyshimta. Dy djemtë e tjerë të maskuar janë futur brenda dhe kanë arritur të vjedhin pajisjet elektronike që kanë gjetur brenda. Më pas të tre janë larguar me shpejtësi me një automjet nga vendi i ngjarjes.

 

Orikum

Grabisin filialin e bankës, mbajnë peng arkëtaren

 Tre persona të armatosur kanë grabitur një filial banke ditën e djeshme në Orikum. Sipas dëshmitarëve, dy nga grabitësit kanë hyrë brenda në bankë për të realizuar vjedhjen, ndërkohë që dy të tjerë kanë qëndruar jashtë dhe kanë kërcënuar rojën e bankës, duke i vënë pistoletën në kokë. Dyshohet se gjatë momentit të grabitjes, autorët kanë mbajtur peng arkëtaren dhe më pas e kanë liruar në momentin kur kanë dalë nga banka dhe kanë hipur në makinë. Gjithashtu, mësohet se grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër, duke shkaktuar panik në zonë. Të tre janë larguar nga vendngjarja me anë të një mjeti tip “Mercedes-Benz” me ngjyrë të bardhë me targa të Tiranës dhe më pas janë fshehur në një pyll në zonën e njohur si fusha e fshatit Dukat. Makinës i është vënë zjarri nga grabitësit në hyrje të pyllit, me qëllim humbjen e gjurmëve. Në operacionin për kapjen e 3 grabitësve janë angazhuar, veç forcave të policisë së Vlorës, edhe ato të RENEA-s, ndërkohë që krehjes së zonës në terren po i vjen në ndihmë edhe patrullimi nga ajri përmes helikopterit të policisë. Gjithashtu, janë ngritur postblloqe në hyrje dhe dalje të Orikumit, në Dukat dhe Llogora. Nga të dhënat e para bëhet me dije se grabitësit kanë mundur të marrin nga banka shumën e 5 milionë lekëve të vjetra.

 

 

 

Pogradec

Plagosi aksidentalisht shokun, po lozte me armën

 Një 18-vjeçar është plagosur me armë, pasi është qëlluar aksidentalisht nga shoku i tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vërdovë të Pogradecit, ndërsa i plagosuri është 18-vjeçari Arjan Vreto nga fshati Zërvaskë. Sipas policisë, i plagosuri konfirmoi se u plagos aksidentalisht nga shoku i tij, duke luajtur me armën. Ndërkohë, 18-vjeçari po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi ka marrë një plumb në bark. Mësohet se policia po vijon hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

 

Lezhë

Grabiti kosovarët në Rrugën e Kombit, arrestohet një nga autorët

 Arrestohet autori i dytë i grabitjes së shtetasve kosovarë në Rrugën e Kombit. Bëhet fjalë për grabitjen e ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Pas hetimeve të kryera, policia e Lezhës ka vënë në pranga 21-vjeçarin Anton N., nga Mirdita. Me herët policia ka arrestuar autorin tjetër të ngjarjes, Ardit Maxhunin. Burime të policisë bëjnë me dije së Anton N. dhe Ardit Maxhuni në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer grabitjen e shtetasve kosovarë në datën 3 gusht të vitit 2013. 21-vjeçari Ardit Maxhuni akuzohet për dy grabitje të ndodhura në autostradën Rrëshen – Kalimash. Maxhuni ka rrëfyer para bluve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë të gjithë planin së bashku me bashkëpunëtorin e tij, 21-vjeçarin Anton Nikolli.

 

 

Share it :