Anxhela Tato
SMS-ja është dërguar pak orë para arrestimit të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj
Prefekti Dervishi pyetet nga prokurorët: E kam parë SMS-në dy ditë me vonesë
Marjon Mitro ka kërkuar takim urgjent me prefektin Dervishi pak orë para arrestimit të njeriut bombë, Julian Sinanaj. SMS-ja e gjetur në celularin e prefektit daton në 25 janar, ndërsa vetë Dervishi pretendon se e ka parë dy ditë më pas. Teksti i SMS-së ka qenë i shkurtër: “Dua të të takoj”, dhe vinte vetëm pak orë pasi në media doli karta e identitetit të të arrestuarit si i dyshuar për vrasës me pagesë. Nga kompania celulare është konfirmuar se numri nga i cili është dërguar SMS-ja në celularin e prefektit Dervishi, është në llogari të Marjon Mitros. Vetë Mitro nuk është marrë ende në pyetje për këtë fakt, ndërsa në të gjitha deklarimet e tij ka pranuar njohjen me prefektin, ndërsa mohon kategorikisht të ketë lidhje me tentativën për të vrarë me eksploziv Dervishin. Këtë SMS Dervishi ka pretenduar se nuk e ka parë ditën e nisjes, në 25 janar, por dy ditë më pas. Edhe atëherë ai nuk i ka kthyer asnjë përgjigje. Ndërkohë, më 29 janar, policia me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda arrestoi në ambientet e brendshme të aeroportit “Nënë Tereza”, 42-vjeçarin Marjon Mitro, që tentonte të largohej drejt Italisë. Por, edhe pse kanë kaluar 2 javë nga arrestimi, Mitro nuk është marrë në pyetje nga hetuesit për akuzat. Para Gjykatës, Mitro ka pretenduar se njihet me prefektin Dervishi, ndërsa ky i fundit e ka mohuar njohjen me 42-vjeçarin, që sipas Sinanajt, ka porositur bombën e gjetur poshtë makinës së prefektit. Për llogari të dosjes hetimore, mësohet se Dervishi është marrë përsëri në pyetje ditën e shtunë, ku edhe ka dhënë deklarime të hollësishme për mesazhin, njohjen me Mitron dhe personat e tjerë të arrestuar. Edhe para hetuesve, ai ka mohuar njohjen me Marjon Mitron, të penduarit Julian Sinanaj e Ndriçim Gjokona si dhe me dy kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj. Në banesën e këtij të fundit, që ndodhet në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, është hedhur një sasi tritoli. Si pasoj e këtij shpërthimi, ka vetëm dëme material pasi familjarët e tij janë larguar prej disa ditësh nga banesa për arsye sigurie, pasi djali i tyre akuzohet si porositësi i disa vrasjeve dhe akteve kriminale të ndodhur në Vlorë dhe Tiranë.
Dëshmia
Julian Sinanaj, në dëshminë e tij, ka treguar se Marjon Mitro i ka kërkuar përgatitjen e një eksplozivi C4 dhe se ai brenda 20 apo 30 minutave ia ka bërë një gjë të tillë, kundrejt shumës 20 mijë euro. Më pas Mitro është kujdesur vetë për montimin e saj poshtë makinës së prefektit të Vlorës, që fatmirësisht nuk ka shpërthyer, por është zbuluar nga një efektiv i Gardës së Republikës në oborrin e Kryeministrisë. Sasia e eksplozivit i është vënë në mesnatë, ndërkohë që për këtë gjë është kujdesur vetë Marjon Mitro. Nuk dihen arsyet se pse lënda eksplozive nuk ka shpërthyer, kjo për shkak se dhe Mitro gjatë seancës së pyetjeve nuk ka pranuar të japë shpjegime. Dyshimet flasin se Mitro ka dashur të aktivizojë tritolin pikërisht në momentin, kur makina tip “Peugeot” ka hyrë në oborrin e Kryeministrisë, por plani i tij për të terrorizuar kryeqytetin dhe Kryeministrin Rama ka dështuar. Gjatë deklarimeve të tij, Mitro ka pohuar se do të udhëtonte në Greqi, për të marrë pasaportën e vajzës. Miranda Mitro, bashkëshortja e Marjon Mitros, është pyetur nga oficerët e policisë së Vlorës, për të cilët ka treguar se burri i saj nuk ka asnjë lidhje me aktet terroriste. Sipas saj, të gjitha që janë deklaruar nga dy personat e penduar janë trillime të policisë dhe prokurorisë. Mitro ka shtuar se bashkëshorti i saj do të largohej në Greqi për të marrë pasaportën e vajzës dhe se nëse do të ishte pjesëmarrës në akte terroriste, nuk do të largohej nga Rinasi, por mund të ikte edhe nga kufiri, duke iu fshehur policisë.
Eksploziv
Oficeri i Auditit i Ministrisë së Brendshme mohon të ketë konflikte
Lëndë plasëse makinë së punonjësit të Auditit të Ministrisë së Brendshme. Ngjarja ka ndodhur duke u gdhirë dita e diel, ndërsa në komunikatën për shtyp të policisë thjesht thuhej se F. Ç. i ishte djegur makina, duke u tentuar mbajtja e fshehtë e ngjarjes. Nga të dhënat e para mësohet se Flamur Çela është oficer i Auditit të Ministrisë dhe puna e tij ka qenë me kontrollin e aktiviteteve të ndryshme, ku mund të jenë gjetur shkelje. Kjo është edhe një ndër pistat ku do të përqendrohet hetimi, ndërsa pritet përgatitja e materialeve që mund të ketë inspektuar Çela si dhe firma ose biznese që kanë qenë pjesëmarrëse në tendera të ndryshëm, të gjetura me shkelje, por nuk hidhet poshtë as dyshimi se kjo ngjarje mund të ketë qenë një shenjë paralajmëruese ndaj Ministrisë së Brendshme në kuadër të hetimeve të zhvilluara për vrasësit me pagesë. Vetë Flamur Çela ka mohuar në mënyrë kategorike që të ketë pasur konflikte ose probleme. Ai ka treguar se nuk është kërcënuar dhe as nuk ka pasur përplasje gjatë detyrës së tij. Kohët e fundit, Çela, për shkak të detyrës si oficer i Auditit të Ministrisë së Brendshme, ka kaluar në duar një sërë auditimesh. “Më datë 9 shkurt, rreth orës 02:40, në rrugën “Adem Jashari”, shtetasit Flamur Çela, 46 vjeç, banues në Tiranë, persona të paidentifikuar, në pjesën e pasme të mjetit tip “Mercedes-Benz”, i kanë hedhur një shishe plastike me lende djegëse, e për pasojë ka dëme materiale”, – thuhet në njoftimin zyrtare të policisë së Tiranës. Për pasojë, një pjesë e makinës është djegur, ndërsa kanë qenë forcat zjarrfikëse që e kanë shuar, duke parandaluar djegien e plotë të saj. Policia ka bërë të ditur se zjarri është i qëllimshëm, për shkak të detyrës. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se në ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së diel, në rrugën “Adem Jashari”.
Durrës
Analiza e Prokurorisë: Oficerët e Policisë Gjyqësore të shkojnë në vendngjarje
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka konstatuar se është e nevojshme që oficerët e Policisë Gjyqësore duhet të jenë në vendin e ngjarjes, me qëllim mbledhjen e provave dhe përshpejtimin e hetimeve ndaj keqbërësve. “Është e domosdoshme prania e prokurorëve në vendngjarje të ndryshme, problematikë e kriminalitetit në vend është shqetësuese, me synim për të orientuar hetimet që në momentin e ngjarjes. Kjo është e domosdoshme për përshpejtimin e hetimeve”, – ka theksuar prokurori i Përgjithshëm Llalla në Durrës në analizën e punës së Prokurorisë. Gjithashtu, Llalla ka nënvizuar edhe nevojën për bashkëpunim më të madh mes Policisë se Shtetit dhe asaj Kufitare, dhe çdo institucioni ligjzbatues në vend. “Në këtë zonë (Durrës) qarkullojnë interesa të mëdha ekonomike, në shumë raste ka dyshime të arsyeshme se shpesh herë tentojnë t’u shmangen kontrolleve të ndryshme. Kjo kërkon më tepër vëmendje sidomos të Task-Forcës së kësaj prokurorie”, – tha Rama. Sipas kryeprokurorit Llalla, shkalla e kriminalitetit në vend është rritur dhe situata në vend vazhdon të mbetet problematike. Për kryeprokurorin problem janë vendimmarrjet e Apelit, që në shumë raste ka rrëzuar vendimet e Shkallës Parë. Sipas tij, ka vend për dyshime të prishjes së këtyre vendimeve edhe pse prokuroria ka bërë rekurse. Sipas kryeprokurorit, në aktivitetin e njësisë task-forcë ka një përmirësim të punës, por duhet të rritet vëmendja që të funksionojë më mirë kjo strukturë. “Është e nevojshme të nxitet iniciativa e qytetarëve për të denoncuar rastet e korrupsionit”, – tha ai.
Buletini mujor
Ministria e Brendshme: Rriten rastet e ndëshkimit të zyrtarëve korruptivë
Ministria e Brendshme publikoi buletinin mujor, sipas të cilit gjatë muajit janar kanë ndodhur 11 vrasje, ku 8 prej tyre janë zbuluar. Risia e këtij buletini qëndron në faktin se 79 persona janë proceduar për korrupsion, çka tregon për rritje të zyrtarëve të ndëshkuar. Ndërkaq, 43 persona janë arrestuar për vepra penale në fushën e krimit të organizuar. Të paktën 121 vepra penale janë evidentuar në fushën e drogës dhe 22 vepra për trafikim të lëndëve narkotike. Operacione të rëndësishme përmenden ai i goditjes së grupit kriminal të vrasjeve me pagesë, “Rimbursimi” kundër skemave mashtruese me TVSH-në etj. Sipas Ministrisë së Brendshme, janë sekuestruar këtë muaj 10 kg heroinë, 128.8 gramë kokainë dhe 3 ton e 538 kg marijuanë. Për trafik qeniesh njerëzore ka pasur 6 raste, për trafik mjetesh motorike 29 raste, për trafik të armëve e municioneve, 1 rast dhe për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, 7 raste. Për sekuestrimin e aseteve kriminale, janë bllokuar 7 parcela me 22.860 metra tokë dhe 2 llogari bankare me shumën 8.271.000 lekë, teksa 151 subjekte janë të dyshuar si të implikuar në vënien e këtyre aseteve. Ndërkaq, në aksidente 13 janë vrarë, 24 janë plagosur rëndë dhe 163 u plagosën lehtë, teksa 956 leje drejtimi u janë hequr drejtuesve të mjeteve.




