Artan Bajraktari fiton ndaj policisë, rikthehet në krye të Interpolit

images

 

Pesë muaj nga pezullimi, Artan Bajraktari është rikthyer në detyrën e drejtorit të Interpol Tiranës pas pezullimit nga detyra të nisur për çështjen “Frroku”. Bajraktari u arrestua në fund të muajit mars, pasi u akuzua për fshehjen e informacioneve dhe urdhër-arrestit të Interpol Brukselit në ngarkim të deputetit kristiandemokrat Mark Frroku. Pas hetimeve dhe pasi gjykata e konsideroi të paligjshëm arrestimin e tij, prokuroria më 22 korrik e konsideroi “Shkelje administrative” dhe pushoi hetimet ndaj Bajraktarit. Rikthimi në detyrë i Bajraktarit vjen pasi gjykata e shpalli atë të pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës në rastin e urdhër-arrestit për deputetin Mark Frroku. Gjatë kohës së hetimeve ai ishte i pezulluar nga detyra. Urdhër-arrestet ndërkombëtare për Mark Frrokun, të firmosura nga Interpol Brukseli, kishin ardhur në 8 dhe 23 janar të këtij viti, por kjo zyrë nuk i ka përcjellë shkresat në kohën e duhur pranë Prokurorisë së Përgjithshme, duke e bërë këtë gjë vetëm me 27 mars. Bajraktari nuk ka pranuar akuzën se ka fshehur dosjen. Më parë Bajraktari ka qenë drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar të Policisë, e më pas u emërua si drejtor i Interpol Tiranës, që është nën varësinë e drejtorisë ku ai ka qenë titullar më parë. Bajraktari ka qenë shef i Interpol Tiranës edhe në 2005. Një ditë pas arrestimit të Bajraktarit (31 mars 2015), Artan Didi, i cili mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dha dorëheqje të parevokueshme. Në letrën ku bënte të ditur dorëheqjen, Didi shkruante se vlerëson këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit dhe se nuk pati kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë.

 

Share it :