Arrestimi i Ilir Kupës/ Si e zbuuan grekët vendodhjen në Tiranë

Sonja Caka

Operacioni në Kashar

Policia: Dyshime se Kupa dhe dy të tjerë, pjesë e bandës së “Babagjyshëve” që grabitën argjendarinë

Dëshmia e të arratisurit gjatë arrestimit: Më bëni çfarë të doni vetëm në Greqi mos më dorëzoni

largea_ilir-kupa1375214778Pas 10 muajsh merr fund arratia e Ilir Kupës, njërit prej të dënuarve të arratisur nga burgu grek i Trikallasë. Ilir Kupa u kap në Tiranë në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, ndërsa lëvizte në një automjet me targa të huaja në një rrugë dytësore në afërsi të Kasharit në Tiranë. Policia kishte informacione edhe nga pala greke se ai ndodhej në Tiranë dhe vepronte në kryeqytet, ndërsa ka qenë një patrullë policie që ka konstatuar atë dhe dy të tjerë në automjetin me targa të huaja, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes për të ndaluar. Megjithatë, vetëm disa orë më pas, Kupa do të vihej në pranga, ndërsa dy të tjerët kanë mundur t’i shpëtojnë arrestimit të policisë. Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka mundur të gjejë brenda tij maska, doreza, materiale për grabitje dhe armë, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës për të zbuluar ku janë përdorur. Policia ka dyshime se Kupa dhe dy personat që u arratisën mund të jenë autorë të grabitjes me armë brenda qendrës tregtare në periferi të Tiranës, ku preh e tyre u bë një argjendari. Megjithatë, kjo mbetet për t’u sqaruar në vijimësi të hetimeve dhe pas marrjes në dorë të përgjigjeve nga Laboratori Kriminalistik Shkencor. Pas operacionit të suksesshëm të policisë së kryeqytetit, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili vlerësoi atë, duke u shprehur se “kjo është një medalje për policinë. Më arrestimin e Kupës do të zbardhen edhe disa grabitje në Tiranë”. Aktualisht, policia ka vënë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm 10 mijë euro për personin tjetër të arratisur nga i njëjti burg, për të cilin nuk jepet identiteti, por vetem thuhet që është nga Fieri. Sipas policisë, numri në të cilin mund të jepet informacion është 0694102932.

Zbulimi

Ilir Kupa dyshohej se strehohej në Tiranë, në zonën eriferike të Kasharit dhe prej muajsh kjo zonë mbahej nën vëzhgim nga policia dhe agjentë të saj. Përgjatë mesnatës së të premtes duke u gdhirë dita e djeshme, në një rrugë dytësore pas një qendre tregtare, një postbllok policie ka tentuar të ndalojë një automjet me targa franceze, në të cilin ndodheshin tre persona. Makina nuk I është përgjigjur shenjës për të ndaluar, duke u larguar me shpejtësi dhe shkëmbyer zjarr me patrullën e komisariatit nr.6. Policia ka vijuar ndjekjen e makinës, ndërsa ka lajmëruar për përforcime, duke bllokuar rrugët hyrëse dhe dalëse të zonës. Gjatë ndjekjes, mësohet se automjeti ku ndodhej Ilir Kupa ka dalë nga rruga. Dy personat që ndodheshin me të në makinë kanë mundur të largohen, ndërsa policia ka mundur të vërë në pranga vetëm Kupën, pranë një banese në Qafë Kashar.

Operacioni

Arrestimi i Ilir Kupës është kryer në një banesë në Qafën e Kasharit në orët e para të mëngjesit të djeshëm, dhe sipas oficerëve të policisë dhe FNSH pjesë e operacionit të arrestimit, mësohet se Kupa ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar me armë në ajër kur ka parë policinë. Policia ka bërë të mundur arrestimin e 27-vjeçarit Kupa, ndërkohë që dy personat që e shoëronin në makinën me targa franceze janë larguar, duke i shpëtuar arrestimit. Pas arrestimit, Kupa është shoqëruar në ambjentet e drejtorisë së Policisë së Tiranës ku dhe po vazhdon prej orësh të merret në pyetje. Ai dyshohet edhe për disa grabitje të ndodhura përgjatë këtyre 6 muajve të fundit në Tiranë, dy prej të cilëve janë vjedhja e argjendarisë në qendrën tregtare TEG dhe vjedhja e dyqainit të AMC-së. Këto dyshime jane hedhur paraprakisht për shkak të një informacioni të përcjellë nga autoritetet greke për një tjetër grabitje të ndodhur në Greqi nga pesona të maskuar si mjekë. Pas operacionit ka reaguar edhe ministri Tahiri, i cili ka vlerësuar operacionin dhe ka deklaruar se prej këtij arrestimi do ketë zbardhje grabitjesh të tjera në Tiranë. Ndërkohë që, i shoqëruar edhe nga kreu i Policisë së Shtetit, z.Artan Didi, ata kanë zhvilluar mesditën e djeshme një takim në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës me drejtuesit e saj. Pritet që ekspertë të policisë greke të vijnë në Shqipëri, ndërsa autoritete janë duke përgatitur materialet për ekstradimin e tij drejt Greqisë.

Reagimi

”Do qëlloja mbi ju por ndërrova mendje. Ju lumtë më kapët. Bëni çfarë të doni me mua, vetëm në Greqi mos më çoni, po deshët edhe më vrisni” mësohet t’u ketë thënë në momentin e arrestimit Ilir Kupa oficerëve të policisë që kryen arrestimin e tij. Ilir Kupa, 27 vjeç, i cilësuar si krahu i djathtë i Marian Kolës, u arratis në mars 2013, së bashku me dhjetë persona të tjerë nga burgu i Trikallasë, ndërsa gjatë ndjekjes së policise greke, tre prej tyre mbetën të vrarë, dy prej të cilëve ishin Marjan Kola dhe Edison Lika. Për të shumëkërkuarin Ilir Kupa, policia greke gjate verës i përcolli informacion palës shqiptare për dyshimet se ai kishte kaluar kufirin së bashku me një të dënuar tjetër.

Reagimi i policisë

Mbrëmjen e djeshme, polciia e kryeyqtetit njoftoi zyrtarisht arrestimin e Ilir Kupës. “Sot, rreth orës 01.10’, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Forcat Speciale, u bë e mundur kapja e shtetasit Ilir (Albert) Kupa, 27 vjeç, nga Fushë Kruja. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar nga autoritetet Greke të drejtësisë si pjesëtar i një organizate kriminale dhe i arratisur nga burgu në Greqi në Mars të vitit 2013. Në momentin e kapjes shtetasi Ilir Kupa bëri rezistencë, por falë ndërhyrjes profesionale të forcave të policies, u bë e mundur kapja e tij. Këtij shtetasi iu gjetën e bllokuan 2 armë zjarri tip pistoletë, një armë tip Bereta me një krëhër me fishekë dhe një armë tip Glok me dy krëhra me fishekë, të cilat i mbante pa leje. Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë vijon puna për dokumentimin e aktivitetit kriminal të tij,  si i dyshuar për disa ngjarje të rënda të ndodhura kohët e fundit, si dhe për kapjen e bashkëpunëtorëve të tij. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë” mbyllet njoftimi zyrtar i policisë.

Tiranë, priten ekspertë nga Greqia për ehtime të përbashkëta

Një grup ekspertësh pritet të vijë shumë shpejt nga Greqia për të bashkëpunuar me palën shqiptare në hetimin ndaj Ilir Kupës. Grupi i ekspertëve synon të thellojë hetimet për momentin e arratisë, me qëllim zbulimin e organizatorëve jashtë dhe brenda burgut, për të mësuar kush e mundësoi atë. Gjithashtu, ekspertët synojnë të zbardhin informacione mbi katër të arratisurit e tjerë nga ky burg, të cilët vazhdojnë të jenë të lirë. Grupi i ekspertëve vjen në Shqipëri për të mos humbur kohë deri në momentin e ekstradimit të Kupës për në shtetin Helen, duke kryer hetime intensive për shkak se Kupa është një ndër kryesorët dhe krahu i djathtë i Marian Kolës, një prej të arratisurve të vrarë.

Tahiri: Operacioni vijon, pres zhvillime të reja

Ministri I Brendshëm, Sajmir Tahiri ka reaguar pas kapjes së Ilir Kupës duke u shprehur se “aksioni vazhdon dhe tani që flasim, ne jemi të vendosur të luftojmë krimin në çdo skutë. Mos prisni detaje prej meje. Hetimet kanë nisur së pari për shkak të arratisjes së tij në Greqi, pastaj dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë. Tri ditët e fundit janë intensifikuar goxha dhe rezultatet erdhën. Detaje lidhur me operacionin, s’ia vlen as t’i jap sepse vazhdon dhe unë pres rezultate të tjera. Por ndërkohë ajo që është e rëndësishme është që Policisë së Shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort sesa zëri  i të gjithë atyre që çirren sot majisur panik tek qytetarët”. I pyetur a ka lidhje me rastin e “Babagjyshëve”, Tahiri tha se “përtej shkëmbimit të informacionit edhe hetimet lidhur me atë që ka ndodhur në Tiranë, grabitjet e fundit me armë na çuan në drejtim të mbarë”.

 

Në kërkim

1. Flaulant Luli,

2. Klement Cala

3. Admir Murataj

4. Fatos Sulaj

Arrestimi i Ilir Kupës, grekët gati dokumentet për ekstradimin

Mediat greke: Ndjekja e gruas të Kupës, çoi në gjurmët e të arratisurit. Një grup oficerësh grekë e shqiptarë ndoqën disa gjurmë për identifikimin e Kupës, materiali iu dorëzua palës shqiptare

Greqi

Me të mësuar zyrtarisht mbi arrestimin e të shumëkërkuarit Ilir Kupa, pala greke po bëhet gati të dorëzojë dokumentet për ekstradimin e tij në Greqi. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke të cilat i referohen burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë në Athinë. Lajmi i arretsimit të Kupës ka bërë jehonë në të gjitha mediat greke, të cilat kanë dhënë detaje për ndjekjen dhe arrestimin e Kupës. Sipas tyre, ka qenë largimi i gruas së tij nga Greqia këto ditë e fundit dhe strehimi i saj në Tiranë që çoi dyshimet se edhe bashkëshorti i saj, i arratisuri Kupa ndodhej i strehuar në kryeqytetin shqiptar. Madje, sipas tyre, Kupa kishte lyer flokët me ngjyrë të verdhë me qëllim që të mos njihej nga autoritetet shqiptare. Një grup agjentësh grekë dhe shqiptarë kanë ndjekur për tetë ditë me radhë gruan e Kupës hap pas hapi për të rënë në gjurmë të burrit të saj. Nga mediat greke mësohet se gruaja ka jetuar në Greqi deri në fillim të janarit dhe tetë ditë më parë ka lënë përfundimisht këtë shtet për t’u kthyer në Shqipëri.

Bashkëpunimi

Nga mediat greke mësohet se një grup oficerësh të policisë greke dhe asaj shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtësisht për të rënë në gjurmë të Kupës, pasi kishte dyshime të arsyeshme se ai dhe një bashkë i dënuar tjetër i arratisur me të, me origjinë nga Fieri, ndodheshin në Shqipëri. Sipas mediave greke ky ekip i veçantë i Policisë së Greqisë ka ardhur në Tiranë për të ndihmuar policinë shqiptare në shkëmbimin e informacionit, si dhe për mbledhjen e të dhënave dhe informatave për lëvizjet e Kupës. Në një vizitë në Shqipëri në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, shefi i policisë, togeri Nick Papagiannopoulos , u takua me Ministrin e Brendshëm dhe kreun e policisë shqiptare, me të cilët u diskutua gjerësisht çështjen e të arratisurit dhe bashkëpunimi për arrestimin e tij. Ndërkohë që në një deklaratë për shtyp, policia greke ka njoftuar se “pas bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të ngushtë mes autoriteteve greke dhe shqiptare, deri dhe në përdorimin e informacionit të dhënë nga pala greke, arrestoi dje në mëngjes në Shqipëri të shumëkërkuarin shqiptar Ilir Kupa”. Policia greke ka bërë me dije se për Kupën kishte një mandate arresti europian, pas arratisjes së tij dhe 10 shokëve më 22 mars të vitit 2013 nga burgu i Trikallasë. Policia greke ka njoftuar se ka filluar procedurat për ekstradimin e tij drejt shtetit grek, me qëllim vënien e tij para drejtësisë për krimet e rënda të kryera para dhe pas arratisjes. Sipas policisë greke, ai akuzohet për një sërë krimesh, si vrasje, tentativë vrasje, grabitje me armë, arratisje, sulmet ndaj policisë dhe vepra të tjera.

Arratisja

11 të burgosur mundën të arratisen nga burgu i Trikalas në Greqi, pas trazirave që shpërthyen mbrëmjen e 22 marsit 2013. Trazirat shpërthyen rreth orës 23:00 të së premtes, kur sipas mediave, të burgosurit u ngjitën në tarracën e burgut dhe nisën të qëllonin kundër rojave të burgut. Tre prej këtyre të fundit u plagosën dhe njeri prej tyre iu nështrua ndërhyrjes kirurgjikale, duke iu shmangur rrezikut për jetën. Të shtëna u dëgjuan edhe nga jashtë burgut, nga persona që sillen se ishin bashkëpunëtorë të të arratisurve. Ndërsa vazhdonte shkëmbimi i zjarrit, 11 prej të burgosurve, mundën të dilnin jashtë burgut, duke përdorur litarë. Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policore që arritën pas mesanate ta vinin situatën në kontroll, ndërsa vlerësimet e para ishin se qenë arratisur pesë të burgosur. Mirëpo, pas numërimit, të shtunën paradite, rezultoi se numri i të arratisurve ishte plot njëmbëdhjetë. Që nga mëngjesi i të shtunës e në vazhdim, forca të policisë kryen kontrolle të imtësishme në gjithë akset rrugore, me qëllim gjetjen dhe kapjen e të arratisurve, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre të jashtëm, që thuhet se ishin gjashtë dhe përdorën dy makina. Policia arrestoi Ermal Litën pas një grabitje në lagjen Peristeri në Athinë. Më 22 korrik të vitit të kaluar ekzekutoi Marian Kolën, ndërsa mundi të shpëtojë Ilir Kupa. Policia greke bënte me dije se dyshonte se Fatos Sulaj është larguar në drejtim të Kosovës, ndërsa nuk dihet ku ndodhen të arratisurit e tjerë, Admir Murataj, Flaulent Luli dhe Klement Çala. Policia greke hodhi dyshimet se Klement Çala dhe Admir Murataj kanë hyrë tashmë në vendin tonë duke marrë me vete edhe 1.2  milionë euro që i kanë grabitur në “Ethniki Bank” në qytetin e Larisës.

U arratisën

1. Flaulant Luli,

2. Edison Lika

3. Ilir Kupa

4. Marjan Kola

5. Klement Cala

6. Admir Murataj

7. Ermal Lita

8. Fatos Sulaj.

 

Share it :