Arrestime në Vlorë e Tiranë/ Dy biznesmenë në pranga për vjedhje të energjisë elektrike

OSHEE bënë me dije se në 24 orët e fundit vetëm në zonën e Kasharit në Periferi të Tiranës janë konstatuar 39 raste abuzive të denoncuara pranë prokurorisë

ElekticistDy persona janë arrestuar nga ana e policisë në Vlorë dhe Tiranë pasi Operatori Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka denoncuar lidhjet abuzive në rrjetin elektrik. Sipas policisë, mësohet se në pranga ka rënë Reni Bilbili pasi në zonën e Unazës së Re ka rezultuar se ky shtetas ka lidhur në mënyrë abuzive energjinë elektrikë për një pallat. Ndërsa në Vlorë në fshatin Tragjas u prangos pronari i firmës së “Uji Tragjas” për lidhje abuzive në rrjet. Sipas OSHEE, subjektit “Tragjas” i ishte prerë energjia elektrike si debitor nga grupet e punës së njësisë Vlorë, por ai e kishte rilidhur përsëri linjën e tij në kabinën aty pranë. Në momentin e mbërritjes së grupit të punës, pronari i këtij biznesi ka ikur me shpejtësi, duke tentuar t’i shmanget përgjegjësisë. Por në koordinim me forcat e rendit në Vlorë u bë i mundur ndalimi i tij dhe më pas kallëzimi në polici për vjedhje të energjisë elektrike. Arrestimet për vjedhjen e energjisë, erdhën pas paralajmërimit, nga ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. “Do të fillojë koha e arrestimeve për vjedhjen e energjisë. Ka ardhur momenti që njerëzit të burgosen për vjedhjen, flas për biznese që përdorin energjinë, nxjerrin fitime dhe nuk e paguajnë, nuk flas për debitorët! Masat në Kodin Penal janë shumë më të ashpra, nuk ka më dënime me gjoba, është vepër penale e pastër, është krim që duhet trajtuar në flagrancë”. Një ditë pas këtij paralajmërimi nga ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, policia ka arrestuar një pronar toke dhe një biznesmen, përgjegjës për vjedhje të energjisë elektrike. Njëherazi OSHEE bënë me dije se në terren janë duke verifikuar lidhjet e paligjshme grupet e punës në të gjithë Shqipërinë, ku në 24 orët e fundit vetëm në zonën e Kasharit në Periferi të Tiranës janë konstatuar 39 raste abuzive të denoncuara pranë prokurorisë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, i bën thirrje të gjithë abonentëve që të shlyejnë detyrimet pranë kompanisë dhe të heqin dorë nga vjedhja e energjisë elektrike pasi në të kundërt do të penalizohen duke u arrestuar e më pas përballur me drejtësinë për veprën penale.

 

Denoncon abonenti familjar/ Në 4 vite 4.4 milionë lekë debitor, fatura e në muaji 2.5 milionë lekë

Akuzat për mbi-faturim të energjisë elektrike nuk kanë munguar prej kohësh, por asnjëherë nuk të shkonte mendja se një familje prej 4 pjesëtarësh do u duhej të përballeshin me një faturë mujore të energjisë elektrike, me vlerë 2.5 milionë lekë (të reja). Kjo nuk është pjesëz e ndonjë barsolete shkodranësh, pavarësisht se historia ka ndodhur pikërisht në qytetin e Shkodrës, por është shqetësimi i ngritur nga Ferid Ferhati, i cili është ankuar në të gjitha institucionet përkatëse dhe nuk ka gjetur zgjidhje. Jo vetëm kaq, por Feridi për 4 vitet e fundit që ka qenë debitor  i duhet të paguajë rreth 44 milionë lekë (të vjetra), pra edhe 19 milionë lekë më tepër se fatura e Marsit 2012. Ferid Ferhati denoncon shqetësimin e tij, duke treguar faturat që u ka dërguar OSSHEE- ja, ku vetëm për muajin Mars 2012, i ka shkuar një faturë 25 milionë lekë të vjetra. Ferhati  rrëfen se jeton vetëm me të shoqen dhe dy fëmijët në një banesë në lagjen “Dudas”, në qytetin e Shkodrës, dhe askush nuk u ka hapur derën për këtë shqetësim, ndërsa prej 4 ditësh u është ndërprerë energjia elektrike. Sipas të zotit të shtëpisë këto fatura, jo vetëm që nuk janë reale, por bëhen qesharake ku për një muaj vjen ajo shifër për konsumim të energjisë elektrike. Prej vitesh Ferhati endet në dyert e OSSHEE për të sqaruar këtë gabim megjithatë deri më tani nuk ka ndryshuar asgjë.

 

 Kavajë/ Treni i mallrave përplas për vdekje 80-vjeçarin

Treni i mallrave i linjës Durrës-Elbasan ka përplasur për vdekje një kalimtar. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së dielës në stacionin hekurudhor të Golemit. Sipas policisë shkak i përplasjes së këmbësorit është pasi ky i fundit kaloi mbi shinat në momentin që treni po afrohej. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se nga të dhënat paraprake dyshohet që 80-vjeçari ti ketë prerë rrugën trenit teksa kalonte nga njëra anë në tjetrën. Ende nuk dihet identiteti i viktimës ndërkohë që policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit.

 

 Tiranë/ Dy djem grabisin një banesë,  rrahin të zonjën e shtëpisë

Policia e kryeqytetit në orët e para të ditës së djeshme ka vënë në pranga dy djem të rinj të akuzuar për vjedhjen e një banese dhe dhunimin e të zonjës së shtëpisë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur, se të arrestuarit janë Sulejman S., 17 vjeç dhe Ibrahim Ibraliu 22 vjeç që të dy nga Baldushku. Mësohet se tri net më parë ata kanë hyrë nga dritarja e një banese në Baldushk në periferi të Tiranës, gjatë kohës që brenda saj ndodhej vetëm një grua, e kanë dhunuar atë, kanë marrë dy milionë lekë të vjetra nga banesa dhe gjithë bizhuteritë që kanë gjetur. Duke e kërcënuar gruan, ata janë larguar duke humbur gjurmët. Por denoncimi i të dëmtuarës dhe hetimet e policisë çuan në arrestimin e tyre, duke bërë që të sekuestrohen edhe sendet e vjedhura. Nga hetimet e policisë, rezultoi se dy të rinjtë dyshohet të jenë autorë edhe të disa grabitjeve të tjera me dhunë të ndodhur në banesa, për të cilat po punohet intensivisht me synim zbardhjen e mëtejshme.

 

Share it :