Akuza e Kryeprokurorit/ Llalla: Në lista kandidatë të inkriminuar. Institucionet dhe partitë i dinë emrat e tyre

Artan Cena

llallaKryeprokurori Adriatik Llalla nuk tregoi asnjë emër për të dyshuarit. Ai tha dje se kishte vënë në gadishmëri trupën e prokurorëve në lidhje me ndonjë incident që mund të ndodhë.

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim me prokurorët e Tiranës të cilët janë vendosur në gadishmëri me qëllim që të hetohet në moment çdo incident. Pas takimit duke folur për median, Llalla tha se aktualisht nuk ka asnjë kallëzim në prokurori në lidhje me incidente. “Nga të dhënat e deritanishme nuk ka asnjë kallëzim të depozituat. Informacione të bëra tani publike nuk kanë asnjë denoncim. Lidhur me përfshirjen e këtyre individëve me të kaluar problematike ne i kemi dhënë përgjigjet tek institucionet. Emrat janë konkretë dhe u janë bërë publikë institucioneve. Prokurorët do të ndjekin me vëmendje çdo zhvillim”, tha kryeprokurori Llalla.

 

Listat e kandidatwve

Në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe anëtarët për këshilla bashkiak ka persona me precendetë të shkuar kriminale apo që janë nën hetim. Kryeprokurori Adriatik Llalla ka bërë të ditur se institucioni që ai drejton ka një liste me emrat e këtyre individëve. Kreu i akuzës ka bërë të ditur se këtë liste ia ka dërguar institucioneve që kishin kërkuar këtë informacion. Zyrtarisht Prokurorisë i kërkoi informacion mbi kandidatet e inkriminuar nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, një kërkesë që ai e dërgoi nëpërmjet institucionit të parlamentit. Deklaratat numri një i prokurorisë i bëri pas një takim që zhvilloi me prokurorët e gatshëm në prokurorinë e kryeqytetit. Ai tha se nuk është raportuar asnjë incident dhe se çdo parregullsi të mundshme do të asistohet nga një prokuror. Me urdhër të Adriatik Llallës gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe pas saj trupa e prokurorëve do jetë në gatishmëri të plotë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

 

Llalla: Asnjë denoncim

Ndërsa këtë të dielë shqiptarët i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj vendorë, kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi se në listat e kandidatëve për kryebashkiak ka persona me precedentë penale, por se sipas tij, ky problem do të zgjidhet me dekriminalizimin. Pas një takimi që mbajti me prokurorët të gatshëm për zgjedhjet, prokurori i Përgjithshëm Llalla tha se emrat e kandidatëve të inkriminuar u janë dërguar ndërkombëtareve dhe partive politike, dhe është vendosur që të mos bëhen publikë. “Në lidhje me listën ka emra konkretë të cilët nuk janë bërë publik sipas kërkesave të kërkuara nga institucionet përkatëse. Ligji penal nuk pengon individët të kandidojnë si subjekte në procesin e zgjedhor. Mendoj se tashmë me procesin e nisur nga ligjvënësi në politikat shqiptare për dekriminalizimin e politikës, ky problem ligjor do të marrë edhe zgjidhjen e duhur”, tha Llalla.

 

Procesi i votimit

Sa i përket ecurisë së procesit zgjedhor, Llalla tha se do të ndiqet me shumë vëmendje e gjithë situata zgjedhore, si dhe do të merren në kohë kallëzimet që do të paraqiten nga qytetarët, por se deri më tani sipas tij nuk ka asnjë incident zgjedhor.  “Prokuroria është organizuar e gatshme për të ndjekur procesin zgjedhor. Lidhur me problematikat e hasura në zgjedhjet e kaluara janë parashikuar një sërë veprash penale dhe legjislacionin i parashikon të gjitha rastet. Përveç informacioneve të bëra publike nuk ka asnjë kallëzim të paraqitur në prokurori. Prokurorët si në Prokurorinë e Tiranës, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë do të ndjekin me vëmendjen gjithë situatën zgjedhore”, tha Llalla.

Share it :