Anxhela Tato
Mbërrin në Tiranë kreu i bandës së trafikantëve, Gate Mahmutaj: Nuk kam lidhje me sulmin, vilën e përdorja për të kullotur bagëtinë
Snajperi Hysen Çela mohon akuzat: Kam 2 vjet i divorcuar dhe nuk shkoj në Lazarat
Lazarati, fshati i vogël i marijaunës, është sheshi i luftës ku policia po përballet me plumbat e një grupi trafikantësh, ndërsa aksioni ka përparuar me vijimin e kontrolleve banesë më banesë dhe asgjësimin e drogës. Vetëm gjatë ditës së djeshme blutë kanë ushtruar kontroll në shtatë banesa, ku është zbuluar një sasi prej 1.5 tonësh hashash dhe 2000 rrënjë kanabisi. Lënda narkotike është asgjësuar dhe blutë kanë marrë nga një provëz për ta dërguar në laborator. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar në total 3 armë zjarri si dhe një çifte. Nga shërbimet e forcës së posaçme operacionale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjentë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, u bë kapja dhe shoqërimi i tre shtetasve nga Lazarati, përkatësisht shtetasi E. B. 17 vjeç, K. B. 17 vjeç dhe B. B. 17 vjeç, të cilët goditën me gurë makinën e policisë para Drejtorisë së Policisë. Aktualisht për rastin po kryhen veprimet procedurale. Gjatë orëve të paradites ka përfunduar pas hekurave Hysen Çela, i cili dyshohet se është snajperi që ka hapur zjarr në mëngjes ndaj uniformave blu, pavarësisht pretendimeve të të arrestuarit se ka prova që vërtetojnë se prej dy vjetësh nuk jeton më në Lazarat. “Prej dy vitesh nuk jetoj në Lazarat. Kam dy vjet i divorcuar dhe nuk shkoj në Lazarat. Shteti duhet t’i shikojë gjërat më mirë. Unë i kam me prova që nga darka e deri më sot jam mes kamerash në vend publik”, – deklaroi Hysen Çela. Ndërkohë që blutë vijon aksionin antidrogë, në Tiranë rreth drekës ka mbërritur nën masa të rrepta sigurie Gate Mahmutaj, i dyshuar si kreu i bandës së trafikantëve. Ndonëse ka qëndruar në heshtje duke mos pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të oficerëve të Policisë Gjyqësore, mbrëmjen e vetëdorëzimit Gate ka mohuar çdo lloj akuze. Ai ka rrëfyer se motivi i vetëdorëzimit është që t’u tregojë bluve se është i papërlyer. Ai ka kërkuar garanci për jetën e tij, duke u distancuar nga sulmi i armatosur ndaj bluve.
Sekuestrimi
Forcat e Policisë së Shtetit po vijojnë me depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës. Edhe gjatë ditës së djeshme është vijuar të qëllohet me armë nga një grup kriminal, duke përdorur edhe snajper, nga brendësia e fshatit Lazarat në drejtim të forcave të policisë. Paralelisht me veprimet operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit në terren, grupe speciale të hetimit të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit kanë vijuar me veprimet për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave materiale. Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e rreth 70 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanëve, si dhe të një sasie mbi 11 tonë e 300 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe dy laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni. Shërbimet e Policisë së Shtetit do të vijojnë operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve deri në përmbushjen e plotë të objektivave të vendosur. Në sajë të masave të ndërmarra dhe operacioneve policore të zhvilluara vetëm gjatë 10 ditëve të fundit është bërë e mundur kapja e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike: heroinë 22 kg 326.4 gr; kokainë 7 kg 102.8 gr; marijuanë mbi 12 tonë e 300 kg, ku në Lazarat sasia e kapur e asgjësuar është mbi 11 tonë e 300 kg. Po ashtu janë asgjësuar mbi 106.000 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa dhe fidanë kanabis sativa, ku rreth 70.000 mijë rrënjë janë asgjësuar në fshatin Lazarat.
Rrëfimi
Mbrëmjen e së martës u vetëdorëzua në polici i shumëkërkuari Gate Mahmutaj. 46-vjeçari nga Lazarati, i akuzuar si kreu i bandës së trafikantëve, që prej disa ditësh ka nisur sulmin me armë ndaj policisë, ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk ka lidhje me sulmin. Por burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se deklaratat e Gate Mahmutajt janë kontradiktore. “Po ruaja bagëtinë, nuk kam lidhje me sulmin. U vetëdorëzova për të sqaruar pozicionin tim. Objektin që ju pretendoni, e kam përdorur për lopët. Nuk jam fshehur, prita të qetësohej gjendja dhe të dorëzohesha”, – deklaroi Mahmutaj përpara prokurorëve. “U drejtohem fshatarëve të mi të mos qëllojnë policinë, sepse më kanë ngarkuar mua me një barrë të rëndë. Çdo gjë që ndodh, po i vihet emrin tim, nuk e dua këtë emër kriminel”, – tha Mahmutaj. Vetëdorëzimi i Mahmutajt ka ndodhur tek forcat speciale të policisë të vendosura prej më se tri ditësh në hyrje të Lazaratit. Ndërkohë të enjten pritet të jepet masa e sigurisë për Mahmutajn në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Gate Mahmutaj është dënuar me 22 vite burg në vitin 2001 për plagosjen e një efektivi policie, por u la i lirë në vitin 2006 me anë të një vendimi faljeje të Presidentit të asaj kohe, Alfred Moisiu.
Vëllai
“Gate po viktimozhet, të gjithë në fshat kanë drogë”. Vëllai i Gate Mahmutaj, në një prononcim për mediat ka theksuar se akuzat janë një lojë politike. “Vëllai im po viktimizohet. Kjo është një lojë politike, ai nuk është bos”, – ka rrëfyer për mediat vëllai i Mahmutajt. Sipas vëllait të tij, Gate nuk ka në pronësi as vila e as prona. Më tej vëllai i Gates ka shtuar se në të gjithë Lazaratin ka drogë, por flitet vetëm për një emër. “Kërkojmë drejtësi, të kontrollohen të gjithë”, – ka shtuar më tej vëllai i Gate Mahmutaj.
Situatë e tensionuar/ Adil Kazma i vetëdorëzohet kreut të policisë, lihet i lirë pas 4 orësh
Policia shpall në kërkim 200 persona, banorët i drejtohen postbllokut, duke kërkuar llogari
Tension mes banorëve të fshatit të Lazaratit dhe policisë, të cilët pas listës së personave të kërkuar të Policisë së Shtetit i janë drejtuar postbllokut në hyrje të fshatit Derviçan me pretendimet se emrat e tyre janë vendosur gabimisht në atë listë. Ndërkohë, Adil Kazma është lënë i lirë nga policia, pasi u mbajt për mbi 4 orë për verifikime në komisariatin e Gjirokastrës. Ai u vetëdorëzua në polici pas replikash të transmetuara “live” në media me kryepolicin Artan Didi. Sipas informacioneve paraprake, nga verifikimet e bëra nga policia, Kazma rezulton i pafajshëm. Mësohet se bashkë me Kazmën është lënë i lirë edhe Gerti Gjolleshi, një tjetër person i cili ishte arrestuar nga policia si i përfshirë në ngjarjet e dhunshme dhe të shtënat me armë në Lazarat ndaj policisë. Adil Kazma, emri i të cilët u lexua në listën e të kërkuarve u takua vetë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, i cili ndodhet në krye të këtij aksioni, ndërsa mediat transmetuan live situatën atje. Ai iu shpreh Didit se emri i tij është gabimisht në listë, ndërsa u vetëdorëzua për të sqaruar gjithçka në polici. Ndërkaq burime të policisë bënë të ditur se janë 200 persona të shpallur në kërkim nga policia, për vepra penale si kultivim të bimëve narkotike, shkëmbim zjarri me policinë. Në njoftimet e njëpasnjëshme të forcave blu, i bëhet apel personave të kërkuar që të vetëdorëzohen në polici që të kryhen verifikimet përkatëse ndaj tyre, për veprat penale për të cilat ata akuzohen.
Kryeplaku i fshatit Kordhoc
Vetë kryeplaku i fshatit Kordhoc, Dermush Buzheli, duke folur për median, deklaroi se listat kanë krijuar panik, ndërsa nuk e ka mohuar mundësinë e kultivimit të kanabisit në Kordhoc, duke kërkuar që të hiqen nga lista e personave të shpallur në kërkim emrat e tre djemve të tij. “Djali im nuk ka qëlluar mbi policinë” thotë ai duke theksuar se “ata që qëllojnë janë të shtyrë politikisht”. Guzheli ka bërë thirrje për zgjidhje me paqe të situatës pasi, sipas tij, “policia ka bërë punën e vet, por zgjidhja është vetëm me paqe jo me luftë”. “Ne po punojmë që të bashkëpunojmë dhe t’i largojmë vetë ata që po qëllojnë mbi policinë”, – tha Buzheli. Më tej Buzheli tha se policia ka vënë gjithë fshatin në kërkim, duke krijuar panik te banorët e Lazaratit. Sipas Buzhelit ky panik është i qëllimshëm dhe ai kërkon të dijë se kush po e krijon këtë situatë. I pyetur nga gazetarët tha se ai dhe familjarët e tij mbaheshin vetëm me blegtori dhe jo drogë. “Unë jetoj me bagëti, kam 500 dele. Nuk merrem me rrugaçë dhe budallallëqe”.
Ministria e Brendshme/ “Banorë, distancohuni nga elementët kriminalë”
Ndërsa Policia e Shtetit po vazhdon operacionin për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu si dhe për identifikimin e shkatërrimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndë narkotike në fshatin Lazarat, Ministria e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen drejtuar banorëve të Lazaratit, që të distancohen nga elementët kriminalë. “Në funksion të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre u kërkohet të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, që të mos dalin nga banesat deri në përfundim të operacionit policor. Të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Policia e Shtetit është e vendosur të godasë pa asnjë hezitim dhe pa paralajmërim këdo që do tentojë të dalë mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës, duke ju kundërvënë me armë uniformave blu”, – përfundon deklarata.
Hapet zjarr ndaj policisë nga banesa e Altin Shurdhit
Edhe gjatë ditës së djeshme është vijuar të qëllohet me armë nga një grup kriminal, duke përdorur dhe snajper nga brendësia e fshatit Lazarat në drejtim të forcave të policisë. Sipas policisë, shtetasi Altin Shurdhi dhe 12 persona të tjerë qëllojnë me armë drejt policisë. Mësohet se plumbat vijnë nga banesa e Altin Shurdhit, e cila ndodhet mbi xhaminë e fshatit Lazarat. Në terren janë të angazhuara rreth 800 forca policore, të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.
Plagosja/ Familjarët e bariut: Nuk e dimë si u plagos, duam të vërtetën
Të afërmit e Fatjon Mukollarit, bariut nga Pogradeci që mbeti i plagosur gjatë ditës së martë nga plumbat pa adresë në fshatin Lazarat, ku po zhvillohet një aksion i gjerë antikanabis, bëjnë thirrje për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ata tregojnë se Fatjoni kishte vajtur të punonte si bari dhe nuk e dinë se sa ka mbetur i plagosur. Ndërsa nuk kanë mundur që të komunikojnë me të afërmin e tyre, i cili ruhet tek dera e dhomës nga punonjës policie. Aktualisht, Fatjon Mukollari ndodhet i shtruar në spitalin e traumës në kryeqytet.




