Anxhela Tato
Policia: 43-vjeçari ishte në banesë në momentin që të prangosurit u nisën për ta vrarë
Shkëmbimi i shikimeve, motivi i zënkave, sa herë ndesheshin në rrugë, të dyja palët ofendoheshin
Tentojnë të vrasin 43-vjeçarin vetëm për një shikim, bien në pranga katër vëllezër. Ngjarja është parandaluar nga ana e forcave të policisë, e cila pas sinjalizimeve ka mundur që të kapë në befasi vëllezërit Prelaj, të cilët kishin vendosur tashmë të ekzekutonin Nik M. Nga ana e bluve, mësohet se 43-vjeçari ishte konfliktuar disa herë me vëllezërit Prelaj dhe sa herë ndesheshin në rrugë, të dyja palët lëshonin ofendime ndaj njëri-tjetrit. Arsyeja e zënkave të shpeshta mes dy palëve ishte një debat i vjetër që ka të bëjë me motivin e shkëmbimit të shikimeve. Një motiv kaq ordiner, që mund të kishte degraduar me vrasjen e 43-vjeçarit. Burime të policisë sqarojnë se në pranga kanë rënë vëllezërit Gëzim Prelaj, 41 vjeç; Besnik Prelaj, 39 vjeç; Agron Prelaj, 37 vjeç; Saimir Prelaj, 31 vjeç, si dhe i njohuri i tyre Xhevahir Hoxha, 27 vjeç, që të pestë të lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë në qendër të Kamzës, në rrugën kryesore, brenda në mjetin tip “Mercedes-Benz 200”, me targa TR 3124 L. Në momentin e arrestimit, këtyre shtetasve iu gjendën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Një pistolete “TT” model 54, krehër me fishekë, dorezë metalike dhe një send i fortë i mbledhur me gazetë.
Arrestimi
Burime nga policia sqarojnë se mes të dyja palëve ka pasur një konflikt të vjetër, i cili kishte degraduar në ofendime dhe konfrontime fizike sa herë që 43-vjeçari ndeshej në rrugë me vëllezërit Prelaj. Pavarësisht nga motivi i dobët i krimit, njëri nga vëllezërit ka rrëfyer para oficerëve të policisë se kishin planifikuar të ekzekutonin 43-vjeçarin, i cili i ofendonte në rrugë dhe situata ishte e padurueshme. Nga ana e bluve, sqarohet se të dyja palët ziheshin për të gjetur arsyen pse para shumë kohësh i kishin ngulur sytë njëri-tjetrit. Ky diskutim ordiner ka degraduar në zënka dhe debate të herëpashershme. Blutë sqarojnë se 43-vjeçari Nik M,, i cili mund të kishte qenë viktimë e mundshme e një krimi të rëndë, ka qenë në banesën e tij, teksa pesë të arrestuarit janë nisur për ta vrarë, por burimet informative për uniformat blu kanë bërë të ditur që strukturat e policisë të mbërrijnë në kohë për të parandaluar një vrasje. Mësohet se pas kësaj, është marrë në mbrojtje 43-vjeçari Nik M. Ndërkohë, policia bën me dije se gjatë arrestimit këtyre personave iu gjendën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një pistolete “TT” model 54, krehër me fishekë, doreze metalike, si edhe një send i fortë i mbledhur me gazetë.
Abuzimi
Dosja penale ndaj Hysni Burgajt i kthehet mbrapsht SHKB-së
Prokuroria kthen mbrapsht dosjen ndaj zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët akuzohen për abuzimin me 3.1 mln dollarë. Dosja e hetimit i ka kaluar sërish Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, këtë herë për ta plotësuar me prova të reja. Lajmi është bërë nga burime të Prokurorisë së Tiranës, që kanë në dorë hetimin për skemën e përvetësimit të rreth 3.1 milionë dollarëve nga buxheti i Policisë së Shtetit nëpërmjet spoteve publicitare “Shqipëria pa viza” për kompaninë “Promo”. Në datën 15 dhjetor 2013, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm e referoi në Prokurorinë e Tiranës dosjen për abuzimet me reklamat, ku kallëzohej penalisht ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori. Pas kallëzimit të tyre në Pprokurori, krerët e Policisë së Shtetit përjashtuan nga detyra: ish-zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm, Rasim Borishi; ish-kryetarin e Vlerësimit të Ofertave, Kole Kukaj; si dhe 7 anëtarë të komisionit Adelina Marashi, Liza Tafili, Klejda Plangarica, Meri Papakostandini, Besjana Martini, Islam Cenga dhe Agim Hysko. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur se gjatë verifikimeve të dosjes së sjellë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, janë parë disa mangësi dhe për këtë qëllim është rikthyer, që të plotësohet me elementët e plotë. Spoti televiziv “Shqipëria pa viza” ka kushtuar 1.2 milionë euro.
Kavajë
Plagosi policin, prangoset i dyshuari për vrasje
Është kapur dje në Kavajë një i dyshuar për vrasje. Shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë kanë arritur të kapin dhe bëjnë ndalimin e Artes Katorrit, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Ky ndalim u bë në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, pasi Katorri dyshohet për veprat penale “Vrasje në rrethana rënduese mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i lëndëve narkotike”. Katorri i ka shpëtuar një operacioni policor më pak se një muaj më parë, kur strukturat e policisë në kuadër të operacionit policor “Nata”, të zhvilluar më datë 16 dhjetor të vitit të kaluar dhe në 19 dhjetor, bënë të mundur arrestimin dhe ndalimin e shtetasve Skerdilaid Gjoni, Tauland Hasa, Elton Kaziu, Shpëtim Habili, Andris Habili, Gerald Pezaku, Nexhip Arapi, Pleurat Mustafa, Nazif Hallulli, Orion Mehmeti. Ndërkohë, shtetasi Artes Katorri në kuadër të këtij operacioni, më datë 16 dhjetor të vitit 2013, gjatë kontrollit të ushtruar nga punonjësit e policisë në banesën e tij në fshatin Hajdaraj, Kavajë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë, duke u rrezikuar seriozisht jetën dhe më pas ka arritur të largohet i ndihmuar nga kushtet e errësirës.




