Aksioni antidrogë/ Ja cfarë ndodhi për 12 orë në Lazarat, sulmet ndaj policisë dhe të  “fshehtat” e operacionit 

 Anxhela Tato

aksioni lazarat policia droga hashashi marijuana  (3) fushatPolicia në Lazarat, sulmohet me armë nga kapanonet e Gate Mahmutajt

Zbulohen emrat e 26 personave që dyshohet se hapën zjarr ndaj bluve, Dash Aliko në negociata me trafikantët

 Në operacion 500 efektivë të RENAS dhe FNSH-së, sekuestrohen 10 mijë rrënjë kanabis në tokat e Mahmutajt

 Policia ndërhyn në Lazarat në një aksion antidrogë për asgjësimin e kanabisit. Në një aksion të vështirë efektivët janë vënë përballë sulmit të armatosur të një grupi personash, tashmë të identifikuar si personazhe të skeduar. Në një kohë që situata vijon të jetë e tensionuar automjetet e RENEA-s dhe forcave të FNSH kanë arritur që të futet nga ana lindore e fshatit duke avancuar kontrollin shtëpi më shtëpi për të marrë në kontroll banesës. Nga të dhënat e para mësohet se prej disa ditësh blutë kanë nisur të zbatojnë planin operacionin për tu futur në fshatin e njohur të marijuanës. Rreth 500 efektivë janë pritur me të shtëna që vinin nga banesa e Gate Mahmutaj, një person i amnistuar pas dënimit me 22 vjet heqje lirie. Policia ka arritur të futet në banesën e Mahmutajt nga ku po qëllonin trafikantët, duke gjetur armë dhe drogë, ndërsa mësohet se ata janë tërhequr duke u strehuar në një banesë tjetër dhe duke ngushtuar kështu rrezen e kërkimit. Me anë të një njoftimi policia ka njoftuar të gjithë banorët e fshatit të Lazaratit të distancohen nga kriminelët si dhe të qëndrojnë në banesat e tyre. Po ashtu policia i bën thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë të evitojnë hyrjet në Lazarat. Ndërkohë Kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko ka shkuar në banesën e Mahmutajt për të negociuar me ta për tu vetëdorëzuar, ose në të kundërt do të ketë masa drastike nga policia. “Jam në takim me njerëzit bashkë me Kryepleqtë e fshatrave. Qëllimi i këtij takimi është të shmangim ndërhyrjen e armatosur të policisë. Pas takimit do të jap më shumë detaje. Prioritet për ne është të bindim banorët të mos qëllojnë”, – shprehet Aliko. Ndërkaq me anë të një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se aktualisht në Lazarat vazhdon shkëmbimi i zjarrit nga personat e lokalizuar të drejtuar nga Razip Mahmutaj, i njohur ndryshe edhe si Gate Mahmutaj. Sipas policisë, Mahmutaj është arrestuar kohë më parë dhe është dënuar me 22 vite burgim, por një dekret i Presidentit Alfred Moisiu në vitin 2006 i ka dhënë atij lirinë me anë të faljes. Mahmutaj ishte në listën prej 62 personave që përfituan falje nga Presidenti, ku një pjese e mirë e të burgosurve u janë falur nga tre, dy ose një vit burg nga dënimet që u janë dhënë. Një ditë më parë nga këta persona dyshohet se është qëlluar dhe ka mbetur i plagosur një 45-vjeçar nga fshati Lazarat, ndërsa prej 48 orësh operacioni vazhdon pa ndërprerje.

 

Sekuestrimi

“Gjatë ndërhyrjes ndaj forcave të policisë është qëlluar me armë zjarri, duke rrezikuar jetën e këtyre forcave, por falë ndërhyrjes profesionale u arrit të vihen nën kontroll të plotë objektet e sipërpërmendura, si dhe sipërfaqja e kultivuar me kanabis sativa”, – thuhet në njoftimin e bluve. Nga veprimet e kryera në këto objekte pronë e shtetasit Gate Mahmutaj, si dhe në tokën në administrim të tij u gjetën, u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme të gëzhojave të kalibrave të ndryshme, që janë përdorur gjatë sulmit ndaj forcave të Policisë. Gjithashtu u gjetën dhe asgjësuan: 7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa, që varionin nga 50 cm-1 metër lartësi 1000 fidanë kubikë të gatshëm për kultivim në kapanon. Po ashtu u konstatuan, duke u djegur 6 fuçi me marijuanë, të cilave ua kishte vënë zjarrin vetë i dyshuari, me qëllim eliminimin e provës, si dhe sasi të tjera lëndë narkotike të konsiderueshme të pa paketuara (rifugio). Nga strukturat e policisë vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjorë të rastit dhe materialet do ti kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë.

 

Thirrja e bluve

Prej dy ditësh Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë në zonën e Lazaratit në Gjirokastër ndaj disa personave të armatosur të cilët kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu. Në kuadër të këtij aksioni, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të distancohen nga elementët kriminalë që janë duke u konfrontuar me armë me policinë dhe për arsye sigurie, të evitojnë daljen nga banesat e tyre. Të gjithë qytetarët e tjerë, të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Personat, emrat e të cilëve janë listuar nga policia si të dyshuar për goditjen me armë ndaj forcave të policisë dhe që pretendojnë se nuk kanë lidhje me këtë ngjarje, të drejtohen në Komisariatin me të afërt për të dhënë dëshmitë dhe sqarimet e tyre. Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor. Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo kohë, të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë.

 

Lista e trafikantëve

1.   Albion Aliko

2.   Alban Aliko

3.   Jurgen Boci

4.   Jeton Kalemi

5.   Abaz Rabi

6.   Emiljan Aliko

7.   Matjaz Boci

8.   Ali Basha

9.   Adem Sala

10. Shkelqim Krishti

11. Artur Gjini

12. Sherif Kazma

13. Sokol Skendi

14. Florijan Shurdhi

15. Sevdi Shurdhi

16. Martin Muho

17. Adriatik Gaba

18. Carcan Gaba

19. Haki Buci

20. Hamza Buci

21. Agim Avduli

22. Syrja Sinani

23. Izmir Hebovija (Shkodrani)

24. Kostandin Xhuvani

25. Erjon Haxhiaj

26. Arsen Banaj

 

Skeda e Gate Mahmutajt/ Precedentët penalë, plagosje polici, sulm i armatosur dhe grabitje

 Reagimi: Jam viktimë e politikës, nuk kam lidhje me trafikun e drogës

Gate Mahmutaj është personi që mendohet se strehoi në banesën e tij grupin që po qëllon vazhdimisht me armë në drejtim të policisë në aksionin kundër kanabisit në Lazarat. Sipas një njoftimit të policisë, mëngjesin e djeshëm thuhet: “Është identifikuar vendi, prej nga ky grup personash po qëllon me armë zjarri, ku janë lokalizuar në banesën e shtetasit Gate Mahmutaj, person me precedentë kriminalë, i arrestuar nga forcat RENEA, i dënuar me vendim gjykate dhe i falur më pas nga Presidenti i Republikës”. Ashtu sikundër konfirmon dhe Policia e Shtetit, Razip Mahmutaj i njohur me pseudonimet Gate dhe Beligrad është një person i njohur në dosjet e policisë, për ngjarje të ndodhur më parë po në Lazarat. 46-vjeçari po nga fshati Lazarat është autor i plagosjes me armë zjarri të një punonjësi policie më 7 maj të vitit 2000 në rrugën nacionale Gjirokastër–Kakavijë, në vendin e quajtur Kthesa e Lazaratit. Ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të automjetit të grupit të gatshëm të policisë, ngjarje për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër dënoi me 25 vjet burg, ndërsa më pas Apeli e uli dënimin ne 22 vite. Drejtuesit e lartë të policisë në atë kohë bënë të ditur se 46-vjeçari është autor i dyshuar për disa vjedhje me armë të ndodhura në aksin rrugor Gjirokastër–Kakavijë dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë, është autori kryesor i dyshuar i goditjes me armë zjarri të tipit mitraloz, të helikopterit të misionit italian Interforcë, i cili po kryente një mision monitorues mbi fshatin Lazarat 18 gusht të vitit 2004, datë që shënon ndërhyrjen e fundit në Lazarat. Mahmuatj rezulton të jetë arrestuar më 27 shtator të vitit 2004 pas negociatave dhe ndërmjetësimit nga autoritetet vendore, por nga 22 vite ka kryer vetëm 2 vite për shkak të amnistisë nga presidenti i asokohe Alfred Moisiu përmes dekretit të vitit 2006. Ndërkaq në dosjen e tij kriminale Mahmutaj është autor i dyshuar i goditjes me mitraloz të rëndë të forcave të policisë nga banesa e tij, ngjarje e ndodhur më datë 12 shtator të vitit1998, ku si pasojë mbetën të plagosur 8 punonjës policie.

 

Reagimi

“Jam viktimë e politikës”. Kështu deklaroj në një lidhje telefonike për median Gate Mahmutaj, një nga të akuzuarit se ka qëlluar në drejtim të policisë mbrëmjen e djeshme në Lazarat. “Nuk kam fare punë me këtë punë që ka ndodhur dhe nuk kam të bëjë më këto fakte. Me këto gjera që kanë ndodhur gjatë natës nuk kam lidhje dhe dorë. Unë i dëgjova të gjitha se çfarë thonë për mua. Kam qenë viktimë e politikës dhe jam përdorur”, – ka rrëfyer ai. Sipas tij, ai nuk ka qenë mbrëmjen e së dielës në banesë, por ishte duke kullotur bagëtitë. “Isha me bagëti mbrëmë dhe nuk kam qenë aty. Unë kam vetëm stallën e bagëtive atje ku ka shkuar policia. Nuk jam unë nga ata tipat kriminel. Unë vij ku të doni dhe më keni nxjerrë sikur jam kriminel dhe kam 4 fëmijë. Skam lidhje me të shtënat dhe me armët. Nuk kam qenë fare tek shtëpia ime mbrëmë dhe kam qenë më bagëti. Kur të duan ata do shkoj të dorëzohem, kur të dojë policia dhe do dorëzohem në prani të avokatit tim. Skam mbjell kurrë kanabis. Jam mbi fshat tani. Edhe Dasho Aliko më tha të dorëzohem në polici”, – ka thënë më tej Mahmutaj.

Albion Aliko: Isha në gjumë, kur më lajmëruan se policia më kishte nxjerrë emrin

 Një tjetër person që ka emrin në listë mohon të ketë drejtuar armët ndaj efektivëve të policisë. Albion Aliko në një prononcim për median shprehet se lajmin e ka marrë vesh nga televizioni dhe nga telefonata e disa miqve të tij. Ai shprehet se nuk ka armë në shtëpi dhe se nuk ka shoqëri me persona me precedent penal. “Ju flas nga shtëpia ime dhe sapo jam ngritur nga gjumi. Nuk e kam kuptuar pse e kam emrin në listë. Vetëm zoti mund ta di. Unë po flija gjumë dhe tani që po ngrihem nga gjumi mësoj që kam emrin. Lagjja ime është shumë e qetë në këto momente. Shikojnë hallin tonë, punën tonë dhe jemi njerëz të qetë. Kam parë lajmin në televizor. Më morën në telefon më thanë ku je, çfarë ka ndodhur. Më thanë që më ka dalë emri në televizion. Do shkoj në komisariat për të hequr emrin”, – ka deklaruar Aliko.

 

Banorët e Lazaratit/ “Kriminelët para drejtësisë, nuk kanë lidhje me banorët”

Një nga banorët e fshatit të Lazaratit Qazo Dalani, duke folur për median, tha se edhe pse situata është e rënduar grupi i trafikantëve që ka qëlluar ndaj policisë është strehuar në Lazarat dhe se nuk kanë lidhje me vetë banorët e fshatit. Ai theksoi ndër të tjera se policia po qëndron korrekte dhe se kërkon që kjo maskaradë siç e cilësoi ai të marrë fund. “Situata mbetet e tensionuar në fshatin tonë, dhe aq më keq këtu ka persona në kërkim që strehohen këtu. Deri tani që po flasim, policia ka qëndruar korrekte, dhe ne duam që kjo maskaradë të marrë fund siç i ka lezet një populli Evropian. Këta të strehuar kriminelë përfitojnë nga populli ynë i thjeshtë dhe që nuk kanë asnjë lidhje me veprat e tyre kriminale. Po ka të shtëna armësh, por policia është sjellë mjaft mirë. I bëj thirrje edhe një herë që kjo maskaradë të marrë fund dhe ky grup mercenarësh të vihet para drejtësisë”, – shprehet Qazo Dalani një nga banorët e Lazaratit.

 

Ministri i Brendshëm/ “Hidhni armët, do t’i shkojmë deri në fund aksionit”

 “Banorët e Lazaratit të hedhin armët dhe të lejojnë policinë të bëjë detyrën”. Apeli është bërë nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një deklarate për mediat ku prezantoi provat e sekuestruara në operacionin antidrogë të pak ditëve më parë në Fushe Kuqe të Mamurrasit ku u zbulua laboratori i drogës në vilën tre katëshe të Gëzim Çelës, i konsideruar si baron i drogës e që është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. “Ne jemi të vendosur të ecim në rrugën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. I bëj thirrje dhe atyre që në këto momente kanë marrë armët në Lazarat kundër Policisë së Shtetit. I keni bërë llogaritë shumë gabim. Mos mendoni kurrë se ka zot në tokë që mund t’u dali zot nëse kundërshtoi me armë Policinë e Shtetit. Hidhni armët dhe lini Policinë e Shtetit të bëjë detyrën. Në të kundër forca e ligjit do veprojë si asnjëherë tjetër. Ju siguroj që Policia e Shtetit do bëjë detyrën pa asnjë dallim. Jemi të vendosur të sigurojmë shoqërinë e të drejtës dhe sundimin e ligjit në këtë vend”, – u shpreh ministri Tahiri.

 

Mediat e huaja/ “Washington Post”: Bandat sulmojnë me granatahedhëse policisë

 Lajmi për tentativën e policisë për të hyrë në Lazarat është pasqyruar edhe në gazetën Amerikane “Washington Post”. Duke cituar agjencinë “Assotiated Press”, nënvizohet se anëtarë të dyshuar bandash kanë gjuajtur me granatahedhës, mortaja dhe automatike drejt oficerëve të policisë të cilët janë përpjekur të hyjnë në fshatin jugor të Lazaratit në një aksion kundër prodhimit të marijuanës. Policia bëri të ditur se askush nuk ishte plagosur gjatë këtij aksioni jashtë Lazaratit ku autoritetet besojnë se prodhohet me tonelata kanabis. Prodhimi i drogës në këtë zonë vlerësohet se kap shifrën e 4.5 miliardë eurove.

Share it :