Aksidentet/   Durrës, makina përplas të miturat, vdes 7-vjeçarja

Ndërkohë në aksin Levan-Tepelenë, furgoni del nga rruga, 1 i vdekur dhe 2 të plagosur

 

aksident_tirane_durresVetëm brenda ditës shënohen dy aksidente me dy viktima dhe tre të plagosur. Rasti i parë është shënuar në orët e para të ditës në Durrës, ku dy të mitura kanë tentuar të kalojnë rrugën për të vajtur në shkollë. Fatkeqësisht, automjeti ka përplasur vajzat dhe viktimë ka mbetur një 7-vjeçare. Fatmirësisht, ka arritur të shpëtojë vajza tjetër 4-vjeçare, e cila ndodhet e shtruar në spital. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:15 në qendër të fshatit Armath në Maminas, ku vajzat janë përplasur nga një makinë, rrugës për në shkollë teksa ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Të miturat janë dërguar menjëherë në spital, por njëra prej tyre, e identifikuar si S. Nano, nuk ka mundur të mbijetojë, për shkak të plagëve të rënda. Ndërkohë, vajza tjetër, 4 vjeçe, po merr mjekimin e nevojshëm në spitalin e Durrësit dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se vajzat i kanë prerë rrugën makinës dhe drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të shmangë përplasjen. Ndërkohë, policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, 30-vjeçarin Bledar Musta, i cili mësohet se është banor i fshatit. Nga ana tjetër, një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident në segmentin Levan – Tepelenë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:20 në fshatin Varibobë pranë Fierit. Sipas policisë, furgoni me targë AA189DT, me të cilin po udhëtonin tre personat, është përplasur fillimisht me një autoveturë dhe më pas me bordurën, pasi i ka plasur goma. Në autoveturën me targë IEY5299 udhëtonin katër persona, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërkohë, policia e Fierit bën me dije se viktima është Qazim Aliaj, 25 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur Leonard Aliaj dhe Myfteak Zylalaj. Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

 

 

Dosja “Gjika”/ Dëshmitarët: Kërkesat për leje ndërtimi nuk u shqyrtuan nga ana teknike

Gjykata e Tiranës, në procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, vazhdoi me pyetjen e dëshmitarëve të akuzës. Në sallën e gjyqit dha versionin e tij inxhinieri Dorian Hurdha, ish-drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë e Vlorës. Ndër të tjera ai tha se kërkesat për lejet apo sheshe ndërtimi në Bashkinë e Vlorës gjatë periudhës 2010-2012 janë shqyrtuar direkt në Këshillin e Rregullimit të Territorit pa kaluar më parë për shqyrtim teknik. Kjo metodë, sipas inxhinierit Hurdha, ka ndodhur disa herë, pasi këshilli teknik jep vetëm vlerësim konsultativ dhe nuk mund të marrë vendime. Ai u shpreh se ka pasur raste që kërkesat për leje dhe shesh-ndërtime bëheshin direkt në mbledhje nga kryetari apo anëtarët e Këshillit Bashkiak. Më pas, seanca u shty për mosparaqitjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës, duke u caktuar data 28 prill për t’u pyetur dëshmitarët Dheolloraq Pashaj, Ilir Troci dhe Eduart Meminaj.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.