Afera e “Llogarasë”/ Balluku nuk jep llogari, i fshihet Kuvendit në kundërshtim me rregulloren

Afera e “Llogarasë”/ Balluku nuk jep llogari, i fshihet Kuvendit në kundërshtim me rregulloren

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, që mban dhe postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk u paraqit të mërkurën në komisionet parlamentare për të prezantuar projektbuxhetin për vitin 2026, pavarësisht se Rregullorja e Kuvendit detyron praninë e ministrave në raportim.

Që nga marrja e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, me akuzën e “Shkeljes së barazizë në tendera” në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, Balluku ka shmangur përballjen në Kuvend me opozitën, ndërsa vijon të qëndrojë në detyrë.

Prezantimi i projektbuxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës ishte në axhendën e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, por në vend të Ballukut ishin paraqitur dy zëvendësministra, gjë që u kundërshtua me forcë nga deputetët e opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se “në bazë të rregullores, duhet të ishte e pranishme ministrja përgjegjëse”, duke shtuar se megjithatë e “kuptonte se ministrja, në vend që të japë llogari në Kuvend, duhet të japë llogari para SPAK-ut”.

Më tej ai këmbënguli që mbledhja të mos vijonte pa praninë e ministres Balluku.
Ministrja duhet të japë llogari: si mund t’i besojmë paratë publike kur ajo është nën akuzë për vjedhje?” iu drejtua ai kryetares socialiste të komisionit, Anila Denaj.

Deputeti Belind Këlliçi kërkoi shtyrjen e seancës deri në momentin që të paraqitej Balluku si titullar përgjegjës për zbatimin e Buxhetit, ndërsa argumentoi se asnjë ministër i qeverisë nuk kishte deleguar këtë detyrë tek zëvendësministrat, pasi binte në kundërshtim me rregulloren.

Në nenin 80 të Rregullores së Kuvendit parashikohet që “në mbledhjet e komisioneve marrin pjesë ministrat, relatori kryesor dhe, sipas rastit, relatorët e veçantë, të cilët bëjnë paraqitjen dhe japin shpjegimet përkatëse”.

Denaj nuk dha një shpjegim për arsyen zyrtare të mungesës së Ballukut, ndërsa kërkoi që komisioni të dëgjonte prezantimin e projektbuxhetit nga ana e zëvendësministrave. Vetë zëvendësministrat e Ballukut nuk kishin një përgjigje të qartë për arsyen e mungesës së Ballukut, por mbrojtën praninë e tyre në Kuvend si juridikisht dhe ligjërisht në rregull.

“Ministri ka një angazhim tjetër shtetëror që konfliktonte me këtë detyrë, por nuk ka detyrim të ndajë me mua axhendën,” tha zv. ministrja Enkelejda Muçaj duke iu përgjigjur deputetëve opozitarë.

Kryetarja e komisionit vendosi të vijojë mbledhjen duke u kërkuar zëvendësve të Ballukut që të flisnin, ndërkohë që komisioni vijonte debatet dhe deputetët e opozitës shprehnin kundërshtimin e tyre.

Mbledhja vijoi në një situatë absurde, ku zyrtarët e ministrisë flisnin në mikrofonat ndezur dhe kamera e Kuvendit transmetonte për publikun live vetëm ata, ndërsa deputetët po debatonin dhe askush nuk po dëgjonte prezantimin e buxhetit prej tyre.

Balluku iu shmang gjithashtu një interpelance me deputetët e opozitës të kërkuar javën që shkoi, një procedurë parlamentare gjithashtu detyruese për ministrat.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e justifikoi mospraninë e saj me faktin që ishte në hetim nga drejtësia dhe se Kuvendi nuk ndërhynte në punët e organeve të pavarura.

Sipas dosjes hetimore dhe mesazheve të shkëmbyera në Signal, zv.kryeministrja Balluku akuzohet se kontrolloi në çdo hap procedurën e prokurimit me vlerë 18.9 miliardë lekë për tunelin e Llogarasë dhe paracaktoi fituesin, në shkelje të kritereve standarde të tenderit.

Balluku nuk i ka komentuar akuzat dhe po ashtu Kryeministri Edi Rama i është shmangur komenteve dhe nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do ta shkarkonte atë nga detyra që të përballet me drejtësinë, sipas një standardi të vendosur nga vetë ai më herët për bashkëpunëtorë të tjerë kur janë hetuar nga drejtësia./BIRN

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.