Çelo Hoxha
Një grup priftërinjsh katolikë u dënuan për të gjitha krimet e kishës katolike, të kryera prej saj (ose që komunistët mendonin se ajo i kishte kryer) gjatë 1948 viteve krishtërim, në çdo cep të globit. Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, katolikët shqiptarë u fajësuan për “obskurantizimin botnor gjatë gjithë historisë”, për qenien në shërbim të “skllavopronarëve e të gjithë monarkive gjatë shekujve”, për Kryqëzatat dhe Natën e Shën Bartolomeut, për persekutimin e Galileo Galileit dhe Xhordano Brunos, për bashkëpunim “me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve”, për bashkëpunim “me Perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar”, për bashkëpunim “me Perandorinë Austro-Hungaraze dhe kanë pregatitë ardhjen e saj”, “se kanë pregatitë ardhjen e fashizmit”, “se kanë bashkëpunue me mbretin Zog për shtypjen e popullit shqiptar”, “se kanë pregatitë okupacjonin italjan më 7 prill 1939 dhe atë të fashizmit gjerman”, “se kanë luftue Lëvizjen N. Ç.”, “se kanë dashë me përmbysë Pushtetin Popullor”, e të tjera akuza. Ato që At Zefi i ka lënë pa shënuar nuk na hyjnë në punë. Me kaq, grotesku i drejtësisë komuniste shfaqet i kompletuar.
Komunistët mendonin se kishin ardhur në botë për të vendosur drejtësinë absolute dhe, për rrjedhojë, gjykimi do të bëhej që nga fillimi i historisë. Feudalët kishin shtypur bujqit, skllavopronarët kishin shfrytëzuar skllevërit, por, në pamundësi për t’i nxjerrë në gjyq, ata u demonizuan për të fajësuar apriori klasën e fisnikëve të gjallë.
Vazhdimi i historisë dihet. Mirëpo, shembja e sistemit politik nuk çoi në zhdukjen e plotë të mendësisë komuniste. Mbetjet e tij në Shqipëri vazhdojnë të ngrenë krye herë pas here dhe te shumë persona që e konsiderojnë veten antikomunistë. Në këtë artikull do të veçoj vetëm dy prej tyre, të cilët mundohen ta shpjegojnë realitetin historik shqiptar sipas modelit komunist, por me qasje tjetër. Partishmërinë, si parim moral bazë, e kanë zëvendësuar me katolikocentrizmin.
Në një artikull në gazetën “Panorama” (24 mars 2014), Agron Gjekmarkaj përpiqej të bënte përgjegjës myslimanët shqiptarë për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, ta fajësonte atë për të gjitha krimet e diktaturës gjysmëshekullore. Sipas tij, komunizmi kishte tipare islamike, ngaqë Mehmet Shehu “ishte djali i Sheh Ismailit, fanatik antishqiptar”, ngaqë Enver Hoxha “përpiqej të interpretonte rebelimin antikombëtar të Haxhi Qamilit si lëvizje përparimtare të fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme”, dhe ngaqë “në vitin 1958, kryetar i Shoqërisë së Miqësisë me vendet ishte vetë Bilbil Klosi, funksionar i lartë i regjimit komunist”. Kësaj teze i ka mëshuar më herët Ardian Ndreca, kryeredaktor i revistës katolike “Hylli i Dritës”. “Që komunizmi shqiptar ka frymëzim islam e dëshmon agresiviteti i veçantë ndaj Kishës katolike dhe anëtarëve të saj”, – thotë ai në një artikull të botuar në shtator 2012, në gazetën italiane Tempi (http://www.tempi.it/quando-ci-siamo-persi-lalbania-che-da-cristiana-e-diventata-musulmana#.UzVrPs49BlY).
Le t’u referohemi fakteve historike, duke përdorur logjikën e tyre në përcaktimin e besimit fetar të personazheve historike: kush ka emër mysliman/ katolik/ ortodoks konsiderohet përkatësisht mysliman/ katolik/ ortodoks.
Idetë komuniste hynë në Shqipëri diku nga mesi i viteve ‘20. Simpatizantët e tyre krijuan grupime të vogla, që në histori njihen si grupet komuniste: Grupi i Shkodrës, i drejtuar nga Zef Mala; Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve dhe Grupi i Zjarrit që kishin për kryetarë (ose figura dominuese) përkatësisht këta persona: Koço Tashko, Anastas Lula dhe Andrea Zisi. Zef Mala ishte katolik, tre të tjerët ortodoksë. Konkluzioni: kontributi i myslimanëve në importin e ideve komuniste ka qenë zero.
Më 1941 u themelua Partia Komuniste. Rolin kryesor në themelimin e saj e luajtën dy jugosllavë (ortodoksë) dhe grupet komuniste shqiptare (të cilat ishin me dominim ortodoks dhe katolik). Deri më 1948, PKSH u drejtua nga Titoja (katolik). Pas jugosllavëve, në PKSH kishte dy role ekuivalente, sekretari politik dhe ai organizativ, që mbaheshin nga dy shqiptarë. Këtu shfaqet për herë të parë një mysliman, Enver Hoxha, me një pozicion hierarkik të përcaktuar (pranverë 1943). Sekretari organizativ ishte Koçi Xoxe (ortodoks). Shfaqja e Hoxhës në nivele të larta drejtuese të PKSH-së është aq e vonë, saqë ai nuk mund t’i jepte frymë myslimane asaj, edhe sikur të ishte kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Një tjetër konkluzion: kontributi i myslimanëve në institucionalizimin e ideve komuniste në Shqipëri ka qenë zero.
Mbizotërimi i krishterë duket edhe te organizatat ndihmëse të PKSH-së ose në qarkoret e saj më të rëndësishme. Pas vdekjes së Qemal Stafës, mysliman (vegël e bindur e Popoviçit), drejtues i rinisë komuniste u bë Nako Spiru (ortodoks). Qarkorin e Tiranës e drejtonte Gogo Nushi (ortodoks).
Më 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila u drejtua nga një katolik: Ndoc Çoba. Veç të tjerave, aty u vendos që partizanët të shtonin në flamur një simbol jokombëtar, yllin me pesë cepa (Po ato ditë, qeveria “kolaboracioniste” e drejtuar nga një mysliman, Mustafa Kruja, e kishte çliruar flamurin kombëtar nga simbolet fashiste.).
Me rritjen e PKSH-së dhe forcave të armatosura të saj, shtimi i myslimanëve në radhët e tyre ishte i pashmangshëm (Shqipëria nuk kishte aq ortodoksë e katolikë sa të bënte një ushtri vetëm me ta). Megjithatë, në drejtim, myslimanët nuk e dominuan drejtimin e tyre. Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ (1943) ishte Spiro Moisiu (ortodoks); komisar një mysliman, Enver Hoxha. Duke pasur parasysh që drejtimi i PKSH-së dhe ushtrisë partizane ishte i centralizuar, roli i drejtuesve të niveleve të dyta e poshtë, që mund të kenë qenë më shumë myslimanë në numër, ishte i parëndësishëm në vendimmarrje. Por edhe aty katolikët s’ishin pa gjë: komisari i Brigadës I ishte Tuk Jakova, komandant i Brigadës VII ishte Gjin Marku.
Kalojmë në vitet pas luftës. Për periudhën 1944-1967 (deri kur u ndalua feja faktikisht), anëtarët e qeverive që drejtuan vendin nuk dominoheshin nga myslimanët, madje ata nuk ishin as të përfaqësuar në përpjesëtim me numrin e popullsisë që i përkisnin, nëse do t’i referohemi përqindjes që besimet fetare zinin në popullsi. Duke iu referuar statistikave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, në bazë të përcaktimit që ajo u ka bërë qeverive (sa herë kishte ndryshim ministrash, sepse dilnin grupe armiqësore, ajo e konsideron qeveri të re), Shqipëria ka pasur 284 ministra (në tërësi emrat janë thuajse të njëjtë, individualisht nuk janë më shumë se 50 persona) për periudhën nëntor 1944-1967. Myslimanët, në këtë shifër, i takonte të kishin, të paktën, 199 ministra, por kanë pasur 141; ortodoksët i takonte të kishin 57 dhe kanë pasur 128; katolikëve u takonte të kishin 28 dhe kanë pasur 15. Siç vërejmë, myslimanët kanë pasur 58 ministra më pak nga ç’u takonte, ortodoksët kanë pasur 71 më shumë, ndërsa katolikët 13 më pak. Pjesën e luanit në qeveritë komuniste e kanë pasur gjithmonë përfaqësuesit ortodoksë (edhe këta të krishterë). Veç këtyre mund të kujtojmë që Lidhjen e Shkrimtarëve (deri më 1967) e drejtoi më gjatë një ortodoks, Dhimitër Shuteriqi; kryetar i komisionit për sekuestrimin e librave (1945) dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare ishte një ortodoks, Aleks Buda (më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave). Djegia publike e librave (1945) ishte huazim nga kultura kristiane: qoftë nga nazizmi, qoftë nga Inkuizicioni.
Hierarkia e lartë e komunizmit nuk ishte ekskluzivitet i myslimanëve, madje dhe ata drejtues të lartë të regjimit, të cilët zoti Gjekmarkaj i konsideron si myslimanë nuk ishin hiç të tillë ose, nëse kanë qenë, faji u takon shkollave dhe kulturës së disa vendeve perëndimore. Enver Hoxha dhe Bilbil Klosi mbaruan Liceun Francez të Korçës, pastaj vazhduan studimet universitare në Francë. Mehmet Shehu mbaroi tekniken e Harri Fullcit në Tiranë dhe shkoi në universitetin e Napolit, Itali. Konkluzioni: nuk mund të thuhet me bindje, në ata kanë pasur apo jo formim katolik ose ortodoks, por kjo është e sigurt: ata kishin formim joislam.
Fryma fetare (ose ideologjike) e një regjimi dhune (gjithmonë me metodën e përcaktimit të emrit), përveç se në hierarkinë e tij, dallohet te viktimat. Ky është argumenti i Ardian Ndrecës, por ai i përdor faktet në mënyrë selektive. Katolikëve thuajse nuk u hyri gjemb në këmbë deri në vjeshtën e 1944-ës (me përjashtim të atyre që ishin me Ballin, Legalitetin, ose pjesë e administratës 1939-1944). Një vit e gjysmë luftë civile ishte zhvilluar në Shqipërinë e banuar nga myslimanët dhe ortodoksët. Me sa di, kleriku i parë i vrarë nga komunistët ishte mysliman, Babai i Teqesë së Turanit (Korçë), Baba Zylfua (nëntor 1943), për vrasjen e të cilit raportet britanike bëjnë përgjegjës Manol Konomin (ortodoks). Balli Kombëtar, organizata që u godit më shumë nga lufta civile, ishte në pjesë dërrmuese myslimane. Komunistët filluan të vrisnin katolikë, kur shumica e myslimanëve që komunistët mendonin se duheshin zhdukur ishin vrarë, gjendeshin në arrati ose ishin larguar – të pashpresë – nga Shqipëria.
Reprezaljet në masë ndaj katolikëve nisën pas “çlirimit”. Për masakrat në veri të Shqipërisë është folur shumë në dy dekadat e fundit, por, duke mos u përmendur lufta civile në jug, njerëzit e marrin të mirëqenë sikur katolikët janë persekutuar më shumë se myslimanët. Ato që ndodhën në zonën katolike në periudhën dhjetor 1944 – mars 1945 – vrasje njerëzish të pafajshëm, grabitje prone, djegie shtëpish, fshatrash etj. – në zonat myslimane kishin ndodhur më herët. Duke vazhduar të ruhet varianti komunist i narrativës për luftën, vazhdojnë të ngelen në mjegull krimet e komunistëve ndaj myslimanëve. Sigurisht, myslimanët nuk ishin vetëm viktima, ata luftuan me dinjitet aq sa mundën. Në humbjen e tyre duhet pasur parasysh dhe ndihma ushtarake që misionet britanike (edhe këta të krishterë, anglikanë) në Shqipëri u dhanë komunistëve. Katolikët bënë qëndresën e tyre, por ajo ishte një qëndresë instiktive. Reagimi i tyre ishte kundërpërgjigje ndaj forcave të armatosura që u shkelën vatrat, jo reagim ushtarak e politik i orientuar dhe i organizuar, siç ishte, për shembull, Balli Kombëtar. Katolikët nuk bënë një qëndresë me një plan kombëtar. Ata mbetën lokalistë dhe fisnorë. Edhe qëndresa e Postribës, e cila mendohet se synonte një organizim kombëtar, drejtohej nga myslimanë.
Për çfarë ndodhi nga 1945 e deri më 1990 nuk më mjafton jeta e jo më një artikull për të bërë bilanc të detajuar. Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka botuar dy vëllime nga Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, shkronjat A-G. Shkronja D është zëri më voluminoz i Fjalorit deri në këtë fazë (botimi i shkronjave të tjera është në proces). Nga 1724, viktima – të pushkatuar, burgosur, internuar, dëbuar – 1182 janë myslimanë, 400 katolikë dhe 142 ortodoksë. Numri më i madh i viktimave u përket myslimanëve (këto shifra nuk janë shteruese, përveç emrave që mund të mos jenë përfshirë në Fjalor, unë mund të kem bërë gabime në dëm të myslimanëve, sepse ka myslimanë me emra të krishterë ose asnjanës që mund t’i kem klasifikuar gabimisht). Një regjim me frymë islamike, siç pretendojnë autorët e sipërpërmendur se ishte komunizmi, nuk do të kishte vrarë myslimanët në shifra dy-tri herë më të larta se ndjekësit e besimeve të tjera.
Nga Reforma Agrare e pësuan më shumë myslimanët, dihet që pronarët më të mëdhenj të tokës në Shqipëri – të cilët u asgjësuan njëherë e përgjithmonë – ishin myslimanë.
Me faktin që më 1967 u prishën njëlloj xhamitë, teqetë dhe kishat, po e përmbyll këtë argument.
Diskutimi i komunizmit me qasje fetare është një debat krejtësisht i pafrytshëm, nëse nuk ke qëllim t’i ngulësh thikën në shpinë kombit. Fryma e regjimit komunist në Shqipëri ishte e qartë: ideologjia komuniste. Programi fillestar ishte shkruar e zeza mbi të bardhë që më 1848. Të tria besimet fetare në Shqipëri ishin kundër vendosjes së regjimit komunist. Ky qëndrim i tyre ishte i përcaktuar jo nga ata, por nga komunistët, të cilët i shpallën luftë fesë që në Manifestin Komunist. Pretendimet e tjera, me argumente sipërfaqësore, nuk bëjnë asgjë, veç fusin frymën e përçarjes në kombin shqiptar. Ndryshe nga besimet e tjera, në lidhje me Islamin, regjimi komunist shqiptar është artikuluar qartë pikërisht në vlerësimin e kryengritjes së Haxhi Qamilit, që zoti Gjekmarkaj e përmend si shembull të frymës islame të tij. Haxhi Qamili u përdor si një figurë heroike e fshatarësisë kundër “feudalëve”, por, sa i përket orientimit islamik, qëndrimi i regjimit dallohet qartë qoftë dhe në një citim të shkurtër nga Historia e Shqipërisë (1965, f. 442): “Ndërhyrja e fuqive të huaja dhe e krerëve reaksionarë turkomanë nuk e lejuan atë [kryengritjen] të arrinte objektivat e saj sociale, përparimtare dhe të zhvishej nga parrullat islamike”. Kur teksti zyrtar i historisë, i hartuar nën kontrollin e rreptë të regjimit, e shikon si defekt të kryengritjes frymën islamike të saj, s’ka asnjë shans që Islami të ishte fryma e regjimit.
Një akuzë e tillë është e rrezikshme, sepse e përsëritur shpesh, ajo përgatit terren për revansh, duke kërcënuar zhytjen e shoqërisë në një konflikt që askush nuk do ta dëshironte, sidomos pakicat. Harmonia fetare në Shqipëri, pavarësisht se nuk thuhet, është para së gjithash atribut i myslimanëve. Shumica toleron, jo pakica. Të vegjlit, edhe po të duan, s’kanë çfarë tolerojnë, ata janë në mëshirën e elefantit, po deshi ai t’i shkelë, ata zhduken nga faqja e dheut; po nuk deshi, atëherë triumfon teza e harmonisë (tolerancës). Xhon Loku e bazoi teorinë në një sistem ku të sundonte shumica, por u desh teza e Xhon Stjuart Millit për mbrojtjen e pakicave që filozofia e sistemit demokratik të plotësohej. Ata u nxitën në shpikjet e tyre nga një terren përjashtues, joharmonik dhe jotolerant.
Shqiptarët nuk kishin arsye nxitëse për të shpikur rrotën. Më 1912, Ismail Bej Vlora e propozoi kabinetin e parë të gjithë mysliman. Babë Dudë Karbunara shprehu pakënaqësinë që në të nuk kishte asnjë ortodoks (katolikët kishin zv.kryeministrin). Ismail Beu reagoi, jo duke bërë ndonjë ligj për mbrojtjen e pakicave, duke përcaktuar një numër vendesh fiks për ta në qeveri; ai propozoi që kabineti të kishte numër të barabartë myslimanësh dhe të krishterësh dhe ashtu u bë, asnjë mysliman nuk u shfaq qejfmbetur. Gjatë gjithë kohës, të krishterët kanë pasur në qeverisje hapësirë më shumë seç u takonte, bazuar në përqindjen e popullsisë. E megjithatë, dhunën në politikën shqiptare, në shkallë të gjerë, e ka futur një prift ortodoks, Fan Noli. Pastaj erdhi komunizmi që e himnizoi dhunën. Myslimanët nuk u treguan revanshistë, në asnjë fazë të historisë.
Argumenti i Agron Gjekmarkajt, që regjimi komunist kishte frymë islamike se “në vitin 1958, kryetar i Shoqërisë së Miqësisë me vendet ishte vetë Bilbil Klosi, funksionar i lartë i regjimit komunist”, është më i dobëti nga të gjithë. Shoqëria nuk ishte strukturë e Komunitetit Mysliman, por levë e partisë, siç ishte edhe Shoqëria e Miqësisë me Jugosllavinë. Meqë kryetarja e saj, Nexhmie Hoxha, ishte myslimane, i takon që dhe kjo shoqatë ishte islamike, e për rrjedhojë edhe Jugosllavia na qenkësh një vend islamik.
Debati që po zhvillohet sot në Shqipëri, në lidhje mbi të ashtuquajturin “rrezik nga terrorizmi islamik”, është thjesht një tullumbace gjigante. Fakirët që u arrestuan muajin e kaluar si terroristë, ishin viktima të injorancës së tyre dhe mendësisë totalitare të institucioneve (që e shpikin armikun edhe kur ai nuk ekziston) dhe medieve (që gëlltisin pa e përtypur gjithçka që artikulon politika). Personat e arrestuar nuk ishin klerikë të miratuar nga Komuniteti Mysliman, kaq mjafton për të mos folur, pro apo kundër, për aktivitet islamik. Të akuzohesh për islamik duhet të jesh i tillë, jo të pretendosh se je. Policia dhe mediet duhet t’i identifikojnë me terma laikë qytetarët që kryejnë ndonjë krim, përndryshe duhet që besimi i të arrestuarit të evidentohet në të gjitha rastet (jo vetëm kur arrestohen myslimanë). Po të tregohemi (vetëm një grimë) cinikë, “islamikët” e arrestuar nuk përmbushnin kushtet për të qenë as besimtarë myslimanë, në formë dhe në përmbajtje; mjekra e tyre nuk ishte më e gjatë se ajo e babait të ateizmit, Çarls Darvinit, kurse imami i vetëshpallur, ai që pretendonte se Toka është qendra e universit, ishte shumë katolik në formimin e tij. Teza që Toka është qendra e universit ka qenë qëndrimi zyrtar i Kishës Katolike për pjesën më të madhe të jetës së saj, derisa dolën në skenë shkencëtarët, një pjesë e të cilëve u persekutuan pikërisht se mendonin ndryshe nga ajo. Nga ana tjetër, “imami” është dëshmi e dështimit të shkollës shqiptare (komuniste e postkomuniste), e cila s’ka mundur t’i ngulitë në kokë atij (e shumë të tjerëve) as njohuritë më elementare. Megjithatë, toleranca e myslimanëve vazhdon e po zmadhohet në përmasa groteske: disa nga altoparlantët që ndotin akustikisht mjedisin shqiptar me propagandë antiislame janë jomyslimanë – ateistë, katolikë, ortodoksë etj. – që punojnë si lektorë (dhe paguhen mirë), në të vetmin universitet mysliman që ekziston në Shqipëri.




