A do të ma hapni derën?

A do të ma hapni derën?

Nga Jamarbër Hoxha

Unë quhem Jamarbër, jam 16 vjeç dhe ëndrra ime është të bëhem gazetar.

Po, unë i përkas edhe spektrit autik.

A e dini ju që autizmi është vrull dhe pasion?

Autizmi është ai ngërç ku nuk mund të nisësh asgjë të re pa e çuar projektin e mëparshëm në fund të përsosmërisë.

Mua më kanë ndihmuar shumë emra, por ende nuk po e arrij ëndrrën time!

Kam zjarr në shpirt sa për të ngritur raketa, por po eci me biçikletë.

Kam qenë në Festivalin e Fundvitit, me 2000 spektatorë. Kam bërë show në 10 teatro. U ngritën në këmbë.

Por të nesërmen? Hiç!

Gjumë!

Çfarë po ndodh me mua?!

Shkova edhe në protestë… Pashë postera, flamingo, tortë prej betoni, takova Gonin, Gonin, Gonin e Flamurit. Pastaj shkova në shtëpi dhe ishte kaq! Nesër, hiç!

Kam dalë në kaq televizione, media, dhe akoma pres me padurim. Ja, do iki edhe sot nga Piranjat, edhe po nesër?

Nisa një podcast. Pas një jave e gjeta veten prapë te dera, jashtë. Gjej sponsor, më thanë.

Më duhen para, por nuk di si t’i kërkoj.

Duhet të shkoj në bankë, pastaj do hap podcastin tim, e më pas televizionin tim.

Për sakrifica mos më flisni: Kam mposhtur frikën e detit, të lartësive dhe përbindëshin tim, MIZËN.

Ja ku e kam në xhep.

Me këtë insekt unë kam sfiduar shumë. Unë nuk frikësohem. Vetëm bezdisem dhe lodhem kur më vjen rreth e rrotull.

Unë jam djalë i spektrit autik.

Autizmi nuk është lebër. Është të jesh diçka ndryshe nga të tjerët. Bota ime është paralele me botën tuaj. Jemi botë të ndryshme, por jemi njësoj.

Pse ma mbyllni derën kur unë trokas tek ju? Dera ime për ju ka qenë gjithmonë e hapur.

Na pranoni ashtu siç jemi, kudo në fushat e jetës, sepse jemi një vullkan emocionesh dhe ndjenjash pozitive.

Emocionet na dalin nga shpirti, nga zemra, nga mendja, nga çdo qelizë e trupit tonë.

Hej, miq, keni përpara një djalë autik me emër shqiptar, Jamarbër, dhe unë jam një Ferrari me frena biçiklete.

Po të numëroj vitet, orët që prindërit e mi janë marrë me mua, po të kishin bërë biznes, sot do të ishim familje milionere.

“Mami im, ti je dashuria e parë e jetës sime të dytë.

Babi im, një ditë unë ty do të të nxjerr në pension. Të çlodhesh, se do të punoj unë për ty.

E di që Shqipëria ka temperaturë dhe është e sëmurë, dhe ky monolog po më shëron mua.

Po ne, si ta shërojmë Shqipërinë?

Flori dhe Dojna, ju jeni paragazetarët e mi. Fjalën “paragazetar” e kam shpikur unë. Jemi të tre para-gazetarë, pra jemi gazetarë para se të nisim të punojmë bashkë.

Sepse një ditë Piranjat do t’i drejtojmë të tre!/ piranjat news

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.

Share it :