U votua pa konsultim publik”- Miratimi i ligjit për zonat e mbrojtura/ PS bëri një vesh shurdh ndaj paralajmërimit të BE-së! Delegacioni i kërkoi Kuvendit ta tërhiqte

Mazhoranca socialiste miratoi të enjten vetëm me votat e saj projektligjin që i hap rrugëve ndërtimeve për arsye ekonomike e turistike brenda Zonave të Mbrojtura, pavarësisht kundërshtimit të organizatave mjedisore dhe delegacionit të Bashkimit Europian.

Në hyrje të parlamentit, dhjetëra aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan të enjten paradite me banderolën “Mos voto ligjin masakrues të zonave të mbrojtura”. E megjithatë, 74 deputetë të mazhorancës ngritën kartonët jeshilë në një seancë të shkurtër për projektligjin e Zonave të Mbrojtura, duke bërë një vesh shurdh ndaj paralajmërimeve të organizatave mjedisore dhe Bashkimit Europian.

Ndryshimet e reja rrezikojnë sipas aktivistëve mjedisorë dëmtimin pa kthim të natyrës së mbrojtur, duke lejuar ndërtime të rënda brenda tyre për arsye ekonomike dhe turistike. Në seancë u votua varianti i sjellë nga qeveria në momentin e fundit pa konsultim publik, dhe pse delegacioni i BE i kërkoi Kuvendit ta tërhiqte, pasi dispozitat binin ndesh me legjislacionit europian për mjedisin.

Socialistët nuk morën parasysh as memon e zyrës së përafrimit të legjislacionit në Kuvend, sipas të cilit ligji është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe konventave të tjera ndërkombëtare, ku është pjesë Shqipëria.

Delegacioni i BE-së në Tiranë deklaroi pas votimit të ligjit se “do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, në përputhje me kuadrin ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”.

Në një reagim në platformën X, delegacioni theksoi se, “në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi temat e mbuluara nga acquis e BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, ​​si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.

Share it :