SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të avokatit Alban Bengasi, i cili dyshohet se ka porositur tek Nuredin Dumani, dhunimin e ish-bashkëshortes së tij Blerta Bengasi (Ruçi).
Bengasi akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ngjarja ka ndodhur më 30 janar të vitit 2020, ku rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur shtetasja Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj, është dhunuar nga një person, i cili e ka goditur shumë herë me grushta në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës, dhe të gojës tek dhëmbët.
Nën hetim për ngjarjes është marrë edhe Eljo Bitri i cili dyshohet të ketë qenë personi që ka goditur dhe dhunuar Blertën.
“Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.
Konkretisht, i pandehuri Alban Bengasi (ish bashkëshorti i të dëmtuarës Blerta Ruçi), për shkak të konflikteve familjare, ka qënë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani. I pandehuri Nuredin Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.
Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.
Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke patur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.




