Kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese është zgjedhur Holta Zacaj me 5 vota pro. Zgjedhja e saj ndodhi në raundin e tretë, pas dështimit të dy raundeve të para më 15 dhe 17 shkurt. Në garë për këtë pozicion ishin dhe 2 gjyqtare të tjera, kokretisht: Fiona Papajorgji, Marjana Semini, Holta Zaçaj, ku kjo e fundit arriti të siguronte votat këtë të hënë.
Mirëpo kush është Holta Zacaj ?
Holta Zaçaj është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetoën në SHBA, në kuadër të programit Fullbright. Rrugëtimin profesional e ka nisur si juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, duke u angazhuar në vitet 1999- 2001, në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, projekti për krimet e luftës në Kosovë. Më pas është angazhuar si avokate në Qendrën e Praktikave dhe Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI), në projektet e ndihmës ligjore falas, si: Klinika Ligjore për të Miturit, Zyra e Avokatit të Qytetit pranë Bashkisë Tiranë, Klinika Ligjore për Refugjatët.
Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në një zyrë ligjore. Gjithashtu, në periudhën 2009-2013, Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014. Ajo është bashkëautore e Kodit të Familjes, ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri, paketës ligjore për trajtimin penitenciar të të miturve në Kosovë.
Në muajin janar të vitit 2023, Zaçaj u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ku dhe u betua te presidenti Bajram Begaj.




