Institucionalizohet akuza/ Gazeta e madhe e ushtarakëve në SHBA i bën jehonë skandalit McGonigal-Rama

Skandali i kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal vijon të jetë kryefjalë në SHBA.

Të gjitha mediat e mëdha amerikane dhe jo vetëm çdo ditë raportojnë detaje të reja nga dosja voluminoze e aferës korruptive. Plot 14 herë përmendet Edi Rama në aktakuzën e departamentit të drejtësisë për McGonigal, duke ngritur dyshime të forta për korruptimin e tij, për interesa politike.

Por tashmë nuk janë vetëm mediat që po flasin e shkruajnë, por edhe institucionet amerikanë janë vënë në lëvizje.

Kështu, gazeta e Ministrisë së Mbrojtjes në SHBA, Stars and Stripes, ka publikuar shkrimin për skandalin.

Kjo media shkruan se Edi Rama dhe Charles McGonigal janë të zhytur deri në grykë në marrëdhënie sekrete.

Pjesë nga artikulli
Në kohën kur McGonigal dyshohet se filloi të punonte për një rus, i cili ishte nën sanksionet e SHBA, sipas aktakuzës, McGonigal ishte i zhytur gjer në grykë në marrëdhënie të tjera sekrete me kryeministrin e Shqipërisë dhe një ish-operativ të inteligjencës shqiptare.

Puna shqiptare e McGonigal dyshohet se filloi ndërsa ai punonte ende për FBI-në, një pikë e veçantë shqetësimi për ish-kolegët e tij.

Prokurorët pretendojnë se deri në gusht 2017, McGonigal ishte lidhur me një person nga Nju Xhersi, i cili kishte lindur në Shqipëri dhe disa dekada më parë kishte punuar për inteligjencën shqiptare.

Aktakuza nuk e përmend emrin e këtij personi, por përshkrimi përputhet me Agron Nezën, për të cilin të dhënat e kompanive shqiptare tregojnë se hyri në biznes me McGonigal në vitin 2019, pasi McGonigal u largua nga FBI”, shkruan gazeta.

“Emri i Nezës, së bashku me të tjerë, u përfshi në një fletë-thirrje të jurisë së madhe të nëntorit 2021, të publikuar nga Business Insider në shtator dhe të konfirmuar nga ‘Washington Post’ nga një person me njohuri për hetimin.

McGonigal i kërkoi Nezës para- dhe Neza pranoi, duke i premtuar se do i paguante pak nga pak, sipas aktakuzës. Më pas, të dy burrat udhëtuan së bashku drejt Shqipërisë në shtator të vitit 2017, ku u takuan me kryeministrin Edi Rama, thuhet më tej në aktakuzës.

McGonigal, i cili ishte duke punuar për FBI-në në atë kohë, i dha zyrës së kryeministrit ‘parafernelia’ dhe e paralajmëroi atë kundër dhënies së licencave fitimprurëse të shpimit për kompanitë ruse të naftës.

Ndërsa McGonigal dukej se po vepronte si oficer kundërzbulimi kundër ndikimit rus, prokurorët pretendojnë se në fakt, Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal, i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës, kishin interesa financiare në fushat e naftës,” thekson gazeta e madhe amerikane.

“Një ish-piktor dhe ish-basketbollist, Rama ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, duke udhëhequr një nga dy partitë politike mbizotëruese- dhe shpesh në konflikt- në vend.

Vitet e fundit, ai ka paralajmëruar për rritjen e ndikimit rus mbi kundërshtarët e tij politikë, gjë që ata e kanë mohuar. Ekspertët thanë se liderët e dy partive përpiqen të ndërtojnë dhe forcojnë lidhjet e tyre me figura kryesore amerikane, duke e bërë një aleancë me një zyrtar të lartë të FBI-së një mjet potencialisht të dobishëm për Ramën për të ndërtuar popullaritetin e tij në vend.

Me kthimin e tyre në SHBA, prokurorët pretendojnë se Neza i dha McGonigal 80 mijë dollarë, ndërsa të dy ishin ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Manhattan. Pak më vonë, Neza i dha dy këste të tjera parash në shtëpinë e tij në Nju Xhersi, për një total prej 225 mijë dolalrësh- para që McGonigal tha se do ia kthente Nezës.

Prokurorët thanë se McGonigal nuk i përfshiu këtu pagesa në formularët financiarë të kërkuar nga FBI. Ai gjithashtu dyshohet se nuk bëri të ditur se Neza iu bashkua atij në udhëtim dhe se udhëtimi dhe akomodimi i tij iu dhanë falas.

Para se të tërhiqej nga FBI në vitin 2018, akuza pretendon se McGonigal dhe Neza u takuan vazhdimisht me Ramën në SHBA dhe Shqipëri, përfshi një herë për darkë në Uashington në mars 2018, kur atyre iu bashkua një ish-agjent i FBI-së, i cili nuk është identifikuar.

Një vend me shumicë myslimane, Shqipëria ka qenë një partner kryesor strategjik i SHBA që nga dalja nga komunizmi në vitet 1990, dhe shihet nga Uashingtoni si një lojtar i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Vendi dërgoi trupa për të mbështetur përpjekjet e SHBA në Irak dhe ngriti një statujë të presidentit Xhorxh Bush, në një kohë kur popullariteti i tij gjetkë në Europë po zhytej.

Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rrënuar nga korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar, dhe zyrtarët amerikanë kanë inkurajuar reforma në sistemin gjyqësor për ta bërë ligjin penal të vendit më të ndershëm dhe më të drejtë.

Si rezultat, diplomatë të nivelit të lartë amerikan dhe zyrtarë të sigurisë bëjnë udhëtime të shpeshta në Shqipëri, thotë Jasmin Mujanoviç, një ekspert i politikës ballkanike, duke treguar se ndërveprimet e McGonigal me kryeministrin do të ishin parë në vend si rutinë dhe jo befasuese.

Por, tha Mujanoviç, akuza se McGonigal po merrte para nga një aleat i Ramës, ndërsa takohej me kryeministrin dhe potencialisht po vepronte për të ndihmuar në avancimin e interesave të biznesit të njerëzve që e paguanin atë në krah, mund të pengojë seriozisht përpjekjet e reformës së udhëhequr nga SHBA në Shqipëri.

“Ajo që shpesh ka qenë zhgënjyese për njerëzit në rajon është se, shpesh, kur shfaqen këta zyrtarë të lartë perëndimorë, në vend që të përdorin pozicionet e tyre për të ngritur lart luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duket sikur zbresin në nivelin tonë dhe bëhen pjesë e lojës,” tha Mujanoviç.

Në një deklaratë, Manjola Hasa, një zëdhënëse e Ramës, tha se kryeministri u takua me McGonigal disa herë, por u prezantua me Nezën nga McGonigal dhe nuk kishte njohuri për marrdhëniet mes dy personave. “Sa i përket akuzave në aktakuzën e zotit McGonigal, ato nuk kanë asnjë lidhje me kryeministrin shqiptar apo ndonjë zyrtar shqiptar,” tha Hasa.

Akuzat kundër McGonigal në Shqipëri në një farë mënyrë komplikojnë një narrativë të thjeshtë të një zyrtari të FBI-së të kthyer nga rusët, të cilën e kanë avancuar disa që kur janë shfaqur akuzat për punën e tij me Deripaskën.

McGonigal akuzohet se ka marrë para për të çuar përpara interesat e Ramës, ndërkohë që disa analistë po ngrinin shqetësimet për interesa ruse që po përpiqeshin të influenconin kundërshtarët e kryeministrit.

Sipas aktakuzës, McGonigal inkurajoi FBI-në që të hapte një hetim penal në vitin 2018 për një lobist amerikan që vepronte në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, opozita kryesore e Partisë Socialiste të Ramës.

Një pjesë e informacioneve kundër lobistit, thanë prokurorët, kanë ardhur nga Neza dhe e kanë origjinën në zyrën e Ramës.

Individi nuk përmendet në aktakuzë, por duket se përputhet me lobistin dhe ish-punonjësin republikan të Kapitolit, Nick Muzin, që u vu nën vëzhgim në të njëjtën periudhë pas një artikulli të marsit 2018 në “Mother Jones”, ku ngriheshin pikëpyetje nëse tarifat e tij të këshillit mund të ishin paguar nga një kompani me interesa ruse, duke nxitur një hetim në Shqipëri. Për këtë rast, nuk u ngrit asnjë akuzë.

Në një email, Muzin tha: “Nuk kam asnjë arsye të besoj se kam qenë viktimë e këtij hetimi të rremë. Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”.

Alfred Lela, një zëdhënës i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e quajti pretendimin se McGonigal inkurajoi FBI-në të hapte një hetim penal ndaj një shtetasi amerikan, i cili po vepronte si lobist për partinë e Lelës, ‘një nga zbulimet më brutale’.

“Ju keni FBI-në, një degë të nderuar të zbatimit të ligjit në SHBA, të përdorur për të kryer veprime të pista të politikës shqiptare,” tha ai, duke shtuar se partia nuk është kontaktuar nga FBI për këtë akuzë.

Puna e McGonigal në Shqipëri solli në orbitën e tij ish-agjentë të tjerë.

Të dhënat e kompanive në Shqipëri tregojnë se në shkurt 2019- pesë muaj pasi McGonigal u tërhoq nga FBI- ai dhe Neza blenë secili 25 përqind të aksioneve në një firmë hetimore me bazë në vend, e identifikuar nga të dhënat e kompanive shqiptare si ‘Law Office & Investigation’.

Një tjetër partner në firmë ishte Mark Rossini, një ish-agjent i FBI-së, karriera e të cilit në fushën e zbatimit të ligjit përfundoi kur ai u shpall fajtor për akses të paligjshëm në dosjet e FBI-së në vitin 2007, ne emër të të dashurës së tij aktore.

Rossini është rishfaqur vitet e fundit si një konsulent ndërkombëtar- dhe ekspert për Shqipërinë, duke u shfaqur në intervista me mediat shqiptare për të paralajmëruar ndikimin rus mbi kundërshtarët politikë të Ramës.

Një person me njohuri për llogaritë e biznesit të Rossini-t tha se kompania shqiptare nuk kryente asnjë punë dhe nuk kishte asnjë klient.

Në gusht, Rossini u padit për korrupsion në një rast që përfshinte pagesa për guvernatorin e Porto Rikos. Ai është deklaruar i pafajshëm.

***

Stars and Stripes është një gazetë e përditshme ushtarake amerikane që raporton për çështje që kanë të bëjnë me anëtarët e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe komunitetet e tyre, me theks në ata që shërbejnë jashtë Shteteve të Bashkuara.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news