Ish-ministri dhe eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, ishte i ftuari i mbrëmjes i Juli Krisafit në SYRI TV.
Ai komentoi analizën e revistës ‘The Economist’, që thekson se paraja kriminale po shkakton një bum ndërtimesh në vendet e rajonit, duke theksuar sidomos Shqipërinë.
Malaj tha se ajo është një analizë shumë e mirë, pasi nënvizon se kostot po i vuajnë qytetarët, që nuk po përballojnë jetesën.
“Rritja e çmimeve, qoftë të shtëpive, qoftë të qirave, është një kosto shtesë, pasi nuk konkurrohet paraja kriminale.
A është toleruar kjo sepse ekonomia ishte duke ngecur? Kjo na kujton ato historitë e vendeve të dobëta, ku grupet kriminale marrin funksionet e shtetit. Rreziku më i madh është se nuk mund të kesh akses te paraja kriminale pa kriminalizuar politikanët.
Rritja e kostove ia bën më të vështirë jetesën shumicës së popullsisë. Shqipëria do bëhet më e pasur, por shqiptarët do bëhen më të varfër pasi do rritet kostoja e jetesës,” tha ai.




