15 vite pas zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit ku shqiptarët u konsideruan si ushtarë grekë të rënë në Luftën e Parë Botërore, eshtrat janë rikthyer në vendprehje pasi analizat e ADN-së konfirmuan skandalin.
Por banorët e zonës tregojnë për mashtrimin që iu bë në atë kohë.
“Ne nuk kemi qenë dakord, nuk na ka pyetur askush, ai prifti na ka mashtruar. Punëtorët, në atë kohë gërmonin varret dhe i çonin deri tek pllakat, por nuk i zhvarrosnin, pasi vinte prifti dhe nuk i lejonte këta. Ato kanë qenë eshtra të banorëve të fshatit, nuk ka pasur asnjë ushtar grek, lufta italo-greke nuk është bërë në këtë fshat,” thotë banorja.
Madje duke folur për historinë, banorët shprehen se në luftë ishin vrarë gra të fshatit, dhe eshtrat u blenë me para.
“Janë vrarë 10 nuse në këtë fshat, po lanin rroba nuset e reja, greku mendonte se ishin çadrat e italianëve, dhe i bombardoi dhe vrau nuset e Kosinës. Ishte 2000 euro për një palë kocka,” thotë banorja.
Ceremonia e rivarrimit u zhvillua në heshtje ashtu siç qëndron edhe skandali i vitit 2006, ndërsa vetëm banorët që u morën eshtrat e paraardhësve vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi.
Eshtrat u rivarrosën të paidentifikuar, duke ia lënë në dorë banorëve të Kosinës që të bëjnë analiza të reja AND për tu dhënë emër mbi varr paraardhësve të tyre.
“Të gjitha këto janë bërë për pazare. Se si janë lidhur këta, po fajet në këtë mes i ka pasur shteti,” thotë ajo.
“U bë gjithë ajo ceremoni, erdhën nga Greqi e nga Shqipëria, erdhën njerëz plot, por nga fshati nuk dihej gjë, nga fshati nuk dinte njeri,” tha banori.




